E Diel, 1 Nëntor 2026

Një e treta e vendimeve të qeverisë nuk janë në Fletoren Zyrtare

Nga Luljeta Progni

Një e treta e vendimeve të qeverisë nuk kanë vlerë juridike, për shkak se nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare.

Këtë fakt e bëri të ditur dje kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë Kombëtare të PSSH, Ylli Manjani. “Sali Berisha në këto vite i ka imponuar shqiptarëve legjislacion të pavlefshëm juridikisht. Nga verifikimi që i kemi bërë botimit të akteve të shtetit në Fletoren Zyrtare, na rezulton se nga 2924 VKM të marra në tre vitet, 1010 ose 34.5% e tyre janë të pabotuara ende në Fletoren Zyrtare, pra pa fuqi juridike ose me vlerë 0”. Me vendime të tilla Sali Berisha ka disponuar taksat, pasuritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Me këto vendime ka drejtuar vendin në korrupsion masiv, siç është tashmë edhe rasti i korrupsionit të rrugës Durrës-Kukës”, - tha Manjani.

Zyrtari socialist numëroi më poshtë arsyet se pse kjo qeveri ka prodhuar legjislacion jodemokratik, jo-kushtetues e pa fuqi juridike.

“Nga vëzhgimet tona sistematike për këto vite rezulton se: Sali Berisha dhe qeverisja e tij kanë prodhuar legjislacion antikushtetues me shumicë. Që nga ligji për KLD e deri ligji i dosjeve Sali Berisha është rekorduar në memorien e këtij shteti si dhunuesi më i madh i Kushtetutës në vend. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një pjesë të mirë të këtyre ligjeve, disa të tjera janë në proces. Jemi të shqetësuar për një seri VKM dhe aktesh nënligjore të qeverisë që vazhdojnë të jenë në fuqi, megjithëse shkelin Kushtetutën dhe ligjet.

Sali Berisha dhe qeverisja e tij kanë prodhuar legjislacion në një mënyrë antidemokratike. Shqiptarët gjatë këtyre tre viteve janë përjashtuar dhunshëm nga e drejta e tyre për të marrë pjesë në vendimmarrjen e shtetit. Grupet e interesit asnjëherë nuk u pyetën nga Sali Berisha dhe qeveria e tij.

Sali Berisha dhe qeverisja e tij me legjislacionin që prodhoi në këto tre vite nuk shoi asnjë konflikt social. Përkundrazi, thelloi pabarazinë sociale dhe krijoi tensione të reja. Përplasjet ndërmjet pronarëve dhe të legalizuarve ose pronarëve dhe sipërmarrësve janë të njohura tashmë për të gjithë ne.

Sali Berisha hartoi e miratoi një legjislacion në mënyrë diletante dhe shumë larg standardeve profesionale. Fakti që ligjet dhe VKM e tij ndryshohen çdo muaj apo çdo dy muaj tregon më së miri sesa profesionale është kjo qeveri.

Sali Berisha dhe qeverisja e tij nuk arriti të harmonizojë me standardet e acquis communitaires asnjë ligj të zbatuar. Ai përshtati legjislacionin vetëm me interesat e korrupsionit dhe të grupimeve monopol të lidhura me to. Ligjet e Gërdecit dhe ato të monopoleve në ekonomi (më së fundi edhe në sektorin e naftës), tregojnë me së miri këtë gjë.

Sali Berisha disa herë anashkaloi Kuvendin dhe gjykatat me vendime të qeverisë ose me ligje të posaçme. Të gjithë e dimë kaosin që solli kjo qeveri me praktikën e akteve normative, ashtu siç kemi vënë re se vendimet e qeverisë marrin fuqi ligjore, para se të miratohen vetë ligjet.”

Alibeaj: Janë botuar vendimet me karakter normativ

“Për sa i takon akuzave pa bazë të PS se rreth 1010 ose 34.5% e akteve zyrtare të dala në tre vitet e fundit nga Këshilli i Ministrave nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare, deklarojmë se të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave me karakter normativ në përputhje me Kushtetutën janë të botuara në Fletoren Zyrtare”.

Ky ka qenë reagimi i Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me deklaratat e PS.

Më tej dikasteri i Alibeajt thotë se Republika e Shqipërisë ka përjetuar dy nga ngjarjet më të rëndësishme, plotësimin e ratifikimit të MSA me vendet e BE dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.

Për Ministrinë e Drejtësisë është fakt se në këto vite si kurrë më parë është synuar bërja e reformave dhe jo pengimi i tyre, plotësimi i akteve ligjore dhe nënligjore dhe jo krijimi me qëllim i vakuumeve ligjore që pushtetarët e djeshëm të luanin si të donin me normën juridike, zbatimi i plotë i tyre dhe jo miratimi në letër, publikimi i plotë dhe tërheqja e konsulencës juridike në proces.

“Gjithashtu, - vijon reagimi, - dëshirojmë të theksojmë për publikun kaosin që gjeti kjo qeveri në çdo fushë, të pleksur me interesa korruptive të shtetarëve të djeshëm, malin e falsifikimeve dhe të mbivendosjeve të llahtarshme të pronave të bëra në 8 vjet qeverisje të majte, si dhe përpjekjet madhore të pushtetit të sotëm për t’i zgjedhur ato me drejtësi dhe profesionalizëm”.

Në këtë pikë, ministria kërkon të shprehë mirënjohje për “dhjetëra institucione, organizata dhe misione të vendeve mike dhe organizmave ndërkombëtarë që kanë asistuar dhe vazhdojnë të asistojnë institucionet qeveritare për përmirësimin e performancës së tyre dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›