Flamuri tregon bëmat e Frangajt tek “beteja” e Kinostudios
Korrespondenti i Antenës si më të shumtën e herëve e nisi ditën me Flamurin.
Kërkoi të bënte një shkrim për gjestin e fundit të presidentit Topi që dekoroi botuesit dhe mënyrën si e shihnin strukturat e PD këtë gjest.
E gjeti në zyrë të lëshuar fare sikur i qenë mbytur gjëmitë. Me ç’duket e kish përjetuar jo dhe aq mirë atë dorëheqjen me propozim nga poshtë e me orientim nga lart të ca ditëve më parë.
- Lëre se e di mirë unë pse i bën ai dekorimet, për inat të atij burrit e bën. Sa mori vesh se ai burri kishte bërë atë shkrimin me pseudonim për gazetarët që bënin seks në ashensor, s’e ka zënë gjumi sa t’ia fuste.
- Po pse o mixhë, ata vërtet kanë qenë nga të parët, dhe s’u bë qameti për një dekoratë dreqi ta hajë.
- Lëre mor ti se nuk i di ca gjëra. Po pse pak kishte ai gazetarë të tjerë për të dekoruar. Nuk dekoronte dot Sandrin apo Fevziun, po gjeti Nikollën dhe Bolinon.
- Po mirë këtë Fevziun, po këtë Sandrin përse ta dekorojë se ai përveçse ka zaptuar gjithë Kinostudion, s’ka ndonjë meritë tjetër.
- Ka, s’i s’ka. Se ai di ta përdorë pushtetin. Jo si këta të tjerët që kanë frikë. Ja për shembull, javën e kaluar thirri policinë në radio. Se mbajnë dhe një radio policie ata të Klanit ta kenë për urgjenca. Shkoi furgoni aty me 7 policë dhe djalin e tezes së Sandrit, po ashtu polic në vend të parë. Ishte dhe ai polici i shëndoshë që erdhi e mbylli gazetën TemA. Shkuan tek Sandri. Çfarë halli ke, i thanë?
- Ky i Ora Neës kërkon që unë të mos zë rrugën para tij, tha. Po rruga dhe gjithçka në Kinostudio më takon mua. Kam folë me doktorin, më ka thënë, vë gishtin ku të duash. Tani unë kam vënë gishtin në gjithë cepat bosh të Kinostudios dhe i kam marrë. Ky i Ora Neës thotë nuk lejohet të merret rruga se u takon të gjithëve.
- Fol, çfarë t’i bëjmë, i tha djali i tezes polic.
- Merreni në furgon pisin, i tha Sandri.
Ju turrën ata rojes së Ora Neësit, i cili paskësh sharë vëllain e Sandrit dhe e morën në furgon. Kur e pa që e kapën policët dhe po e fusnin në furgon, vëllai i Sandrit ia futi me celular. Nuk e zuri celulari, po ai e bëri gjestin.
- Kë të arrestojmë tjetër, i thanë policët.
- S’ka nevojë se tremben vetë të tjerët, tha Sandri.
Pastaj erdhi ai pronari i Ora Neës, po kishte ikë policia. “E sqaroi” Sandrin për punën e rrugës dhe Sandri hoqi dorë nga rruga, po policia nuk hoqi dorë nga Sandri. Po pse pak është kjo që ai të përplaset me njerëzit për rrugicat e Kinostudios. Nuk meriton dekoratë kjo.
- Paske të drejtë, s’e dija këtë detaj, i tha korrespondenti. Paska bërë alamet beteje. Dhe hera e parë që e humb. Se më kanë thënë tek fshati në Golem ka zënë rrugën me vazo lulesh, po askujt s’ia mban ta heqë. Shkoi një herë ai i policisë ndërtimore dhe i çoi auditin e kryeministrisë për ta hequr. Ia kishte quajtur ndërhyrje kundër bimësisë së pafajshme.
- E pra, një dekoratë e ka meritu dhe ai. Tek Koha Jonë ai, tek Koha Jonë, Nikolla. Kur u dogj redaksia ishte e të dyve. Në fund të fundit, ky e ka tani Kohën Jonë dhe e ka tamam ashtu siç duhet të kishte qenë me kohë. Kjo gazetë tregon se Nikolla ka qenë i poshtër dhe Sandri ka qenë korrekt, tha Flamuri. Dmth çdo gjë që ka bërë, e ka bërë pa dashje nën diktatin e Nikollës. Ndryshe presidenti do dekoronte Sandrin e jo Nikollën.
- S’di ç’të them, i tha korrespondenti. Por po të jetë kështu, kur presidenti të ndajë dekorata për shoqatën e ndërtuesve duhet ta kujtojmë t’i japë dhe Sandrit ndonjë.
- Është i madh fare, tha Flamuri. Ik shiko si e ka bërë zap Kinostudion. Ka kapur çdo cep të saj. Në një krah ai, në krahun tjetër kunati i Berishës e kanë bërë bahçe me lule. Sandri dhe ullinjtë që janë para Klanit i ka krasitur duke lënë vetëm dy degë lart në formën e dy gishtave. Është i madh fare. Vdes për doktorin. E ka meritue Kinostudion të gjithë pa dyshim. Le të thojë kush të dojë që jeton në sqetullat e atij burrit, po sqetullat e tij nuk vijnë erë, vijnë aromë malesh me trëndelinë. Sandri e ka meritu Kinostudion, e ka meritu një dekoratë. Po s’ia dha ai pisi, që s’ia dha.