E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keshilli i Mandateve te premten seanca degjimore me Tom Doshin

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet nisi shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit për tre deputetët socialistë, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj.
Pas një viti hetimesh organi i akuzës arriti të konstatojë se këta tre deputetë kanëpasur një rol aktiv në protestën e dhunshme të 21 janarit, teksa kryeprokurorja Ina Rama e konsideroi të nevojshme kryerjen e disa veprimeve hetimore ndaj disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët për shkak të këtij roli aktiv, të incidenteve dhe të dhënave të grumbulluara tashmë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se, me veprimet e kryera gjatë zhvillimit të kësaj proteste, kanë konsumuar veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Prandaj për Tom Doshin,Taulant Ballën e Besnik Baren iu kërkua Kuvendit të Shqipërisë dhënia e autorizimit për procedim të këtyre deputetëve.
Kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, njëherësh anëtar i Këshillit të Imuniteteve, kërkoi kohë për njohjen me dosjen. Për Topallin ky është një justifikim për zvarritjen e procedurës
Disa herë Ruçi tentoi të tërhiqte debatin jashtë procedurës së kësaj mbledhjeje, duke vijuar debatin me kryetaren e këshillit, Topalli.
Të premten në orën dhjetë, seancat dëgjimore nisin me deputetin Tom Doshi. Sipas rregullores kanë të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet rreth çështjes. Rregullorja në përfundim të shqyrtimit, parashikon që Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi dhe Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›