Kuvend, të premten nis shqyrtimi për imunitetin e tre deputetëve të PS-së
Të premten, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, do të nisë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Tom Doshi.
Dje, prokuroria i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë Doshi, Balla dhe Bare për të sqaruar pozicionin e tyre në protestën e ’21 janarit 2011-të’.
Në mbledhjen e Këshilliy për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u vendos që ditën e premte në orën 10:00, në Këshillin e Mandateve të paraqitet Tom Doshi, të shtunën Taulant Balla dhe të hënën Besnik Bare.
Gjatë fjalës së saj, Topalli theksoi se kjo mbledhje ka ardhur menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë, për dhënien e autorizimit për procedim penal ndaj deputetëve socialistë, të dyshuar si organizatorë të protestës së dhunshme të 21 janarit.
Pas një viti, dje pasdite ka ardhur në zyrat e Kuvendit kërkesa e Prokurorisë, ku kërkohet dhënia e autorizimit për procedim penal ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Besoj se edhe në këtë rast, që është shumë më i veçantë se rastet e tjera, Kuvendi do ti japë mundësi Prokurorisë për të bërë një hetim të gjithanshëm të asaj dite të zezë, citoi Topalli.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit propozoi që prej ditës së nesërme, në orën 11:00, të dëgjohet njëri nga tre deputetët socialistë. Ajo i kërkoi Këshillit që të përcaktojë relatorët dhe nesër të fillojë thirrja e deputetëve për të cilët kërkohet heqja e imunitetit, për të dhënë arsyet.
Kur bëhet kërkesë për autorizim për procedim penal, Kuvendi nis menjëherë procedurën. Kjo mbledhje është thirrur për t`i bërë të njohur anëtarët e këtij Këshilli dosjet e sjella pas një viti nga Prokuroria e Përgjithshme. Deputet janë lajmëruar, do zbatohet rregullorja. Kuvendi do të japë mundësi Prokurorisë për të bërë një hetim të gjithanshëm të asaj dite të zezë të 21 janarit, të një viti më parë. Them të zgjedhim relatorët që të hartojnë raportin dhe nesër të thërrasim njërin nga këto tre deputete për të dhënë mundësi në respekt të rregullores, për të dhënë shpjegimet e tyre, deklaroi Topalli.