Këshilli i Ministrave, miratoi sot gjatë mbledhjes së tij të radhës, të drejtuar nga Kryeministri Fatos Nano, vendimin "Për pagat e ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republi
Këshilli i Ministrave, miratoi sot gjatë mbledhjes së tij të radhës, të drejtuar nga Kryeministri Fatos Nano, vendimin "Për pagat e ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", përmes të cilit realizohet kalimi në sistemin e pagës sipas gradave.
Me anë të këtij vendimi, synohet krijimi i një sistemi pagash që vlerëson karrierën dhe më të lehtë në zbatim dhe llogaritje.
Si rezultat i kalimit në sistemin e pagave sipas gradës, për oficerët parashikohet një rritje e pagës prej 4%, nënoficerët 11% dhe për ushtarët me pagesë parashikohet një rritje prej 14%. Ndërsa për ushtarakët, të cilët, sipas këtij sistemi, do të përfitojnë një pagë më të ulët sesa aktualja, parashikohet ruajtja e pagës aktuale deri në dy vjet, kohë në të cilën mendohet se rritja e pagave do ta bëjë atë të panevojshme.
Efektet financiare të këtij vendimi janë 147 milion lekë, të cilat janë parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2004.
Në kuadrin e Strategjisë për Reformimin dhe Modernizimin e FASH, Ministria e Mbrojtjes ka përpunuar strategjinë për reformimin e sistemit të pagave në Forcat e Armatosura. Ky reformim është mbështetur njëkohësisht në sistemet e pagave të ushtrisë amerikane si dhe të vendeve të tjera të NATO-s.
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të sotme miratoi dhënien e një ndihme financiare prej 2 500 000 (dy milion e pesëqindmijë) lekësh, familjes së të ndjerit Genci Sina, ish oficer i Gardës së Republikës, i vrarë në krye të detyrës.
Me anët të këtij vendimi, Qeveria synon t'i vijë në ndihmë dhe të lehtësojë sado pak dhembjen e madhe që ju shkaktua familjes së të ndjerit Sina.
Genci Ferhat Sina ka shërbyer me përkushtim e devotshmëri në radhët e efektivit të Gardës së Republikës për një periudhë gati 12 vjeçare. Gjatë së cilës është karakterizuar nga disiplina e lartë, korrektësia, guximi dhe profesionalizmi në zbatimin e detyrave të ngarkuara si nënoficer dhe, së fundi, si shofer i Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës.
Më datën 29 shtator të këtij viti, rreth orës 21.30, nënoficeri Sina gjatë drejtimit të automjetit në të cilin ndodhej familja e Prokurorit të Përgjithshëm, në kryqëzimin e rrugës pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës është qëlluar me armë zjarri nga një qytetar, i cili udhëtonte me taksi në krah të tij. Menjëherë është dërguar në Spitalin Ushtarak, por në orën 21.45 jeta e tij është ndërprerë.
Ndodhur para kësaj ngjarjeje të rëndë me pasoja tragjike për familjen, nisur nga kontributi që ka dhënë në shërbimin e Gardës së Republikës, sidomos në shoqërimin e personaliteteve të larta shtetërore dhe nga rrethanat e humbjes së jetës së tij, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për akordimin e ndihmës financiare familjes së të ndjerit.
U miratua vendimi "Për mbrojtjen e veçantë të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, kur për shkak të detyrës, i kërcënohet jeta, familja apo prona".
Duke marrë parasysh natyrën e detyrave që kryhen nga punonjësit e Gardës, rrezikshmërinë që paraqet ajo në mbrojtjen e personaliteteve të larta apo të objekteve që ruan, vendimi parashikon mënyrat e mbrojtjes së veçantë që do t'i bëhen punonjësit të Gardës të rrezikuar, të cilat jepen të përshkallëzuara, sipas rastit që paraqitet.
Vendimi parashikon marrjen e masave si ruajtja fizike, ruajtja e banesës apo e pronës, trasferimi i punonjësit, dërgimi i tij jashtë shtetit, si dhe masa të tjera në varësi të çështjes.
Vlerësimi i kërcënimeve dhe mënyra e mbrojtjes së veçantë që do t'i bëhet punonjësit të kërcënuar, parashikohet të bëhet nga një komision i posaçëm. Ky komision do të marrë në shqyrtim kërkesat e paraqitura nga vetë punonjësit e kërcënuar, apo mund të shqyrtojë me inisiativën e vet raste që, sipas informacioneve që mund të ketë nga Garda, është e nevojshme marrja në mbrojtje e punonjësit.
Vendimet e Komisionit miratohen nga Komandanti i Gardës dhe brenda tre ditëve vihet në dijeni Ministri i Rendit Publik dhe, pasi e pranon atë, vendimi merr formë përfundimtare.
U miratua vendimi "Për pajisjen e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë me armatim dhe mjete teknike të posaçme".
Ky vendim lejon që punonjësit e Gardës së Republikës të pajisen me armatimin dhe mjetet teknike të posaçme më të nevojshme, të cilat u duhen për realizimin e detyrave të parashikuara në ligj, si përballimin e të gjitha situatave të mundshme që do t'i paraqiten për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe të rezidencave.
Llojet e armatimit dhe mjetet teknike që do të përdoren nga Garda parashikohet të jenë ato të cilat disponohen aktualisht në Gardën e Republikës, apo që mund të sigurohen në vendin tonë. Në vendim jepen llojet e armatimit të posaçëm, atij xhenjero-kimik, teknik, të ndërlidhjes etj.
Vendimi rrjedh si detyrim i ligjit "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", i cili përcakton se për realizimin e detyrave, punonjësit e Gardës pajisen me armatim dhe mjete teknike të posaçme, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi edhe vendimin "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtëshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjesi administrimi Ministrisë së Rendit Publik", si vendimin "për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtëshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjesi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes".
Ministrisë së Mbrojtjes i kalojnë në administrim të saj pronat në listën e pronave të Bashkisë Himarë, "Ish posta kufitare në Jalë" si dhe pronat në listën e pronave të paluajtëshme të Bashkisë së Kukësit "ish qendra e stërvitjes", aktualisht në administrim të Ministrisë së Rendit Publik.
Ministrisë së Rendit Publik, për nevojat që ka Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit dhe Komisariati i Policisë në Has, i kalojnë në administrim të saj, objektet dhe trualli funksional i "Shtabit të Brigadës së Këmbësorisë, Fier" si objektet dhe truallin funksional të "Ish shtëpia e ushtarakëve" të qytetit Krumë, aktualisht në administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes.