E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dashur shoqe dhe shokë socialistë, Motra e vëllezër, Të nderuar miq e të ftuar, Eshtë një kënaqësi dhe privilegj të marrësh pjesë në Konferencën tuaj, e cila përfaqëson orga

Të dashur shoqe dhe shokë socialistë,
Motra e vëllezër,
Të nderuar miq e të ftuar,

Eshtë një kënaqësi dhe privilegj të marrësh pjesë në Konferencën tuaj, e cila përfaqëson organizatën më të madhe dhe më të rëndësishme të socialistëve shqiptarë.

Unë vij sot këtu, në rradhë të parë, si militant i kësaj organizate, sepse bëj jetën time të Partisë me ju. Jam gjithashtu këtu për të ushtruar përgjegjësitë e mia përfaqësuese si Kryetar i PSSH për të dhënë llogari, sipas standarteve demokratike në këto kapacitete dhe natyrisht për t'ju shërbyer si deri më sot.

Më lejoni t'ju siguroj ju dhe Edit se prapë nuk do t'ju them asnjë gjë që se dini. Sepse unë di shumë mirë se ju dini të konkuroni dhe të fitoni. Prandaj duke qenë i bindur se Partia Jonë vazhdon të mbetet e duruar për të dëgjuar të gjithë të paduruarit deri tani, reflekton normalitetin e jetës sonë demokratike dhe shpresoj që me fjalimin e fundit të Edit mbaruan dhe fjalimet horror brenda nesh.

Kjo Konferencë mbyll ciklin e analizave dhe të vendimmarrjes në strukturat e Partisë në të gjithë Shqipërinë dhe i hap rrugë zhvillimit të punimeve të Kongresit tonë të gjashtë. Të gjitha Konferencat në mënyrë të përgjegjëshme kryen një proçes të thellë analizash për veprimtarinë politike dhe qeverisëse të Partisë Socialiste, duke përcjellë për në Kongres rekomandime të vlefshme për vendimarrje të dobishme që do të përmirësojë në mënyrë rrënjësore punën dhe aksionin tonë politik si forca kryesore drejtuese e maxhorancës.

Më lejoni të përcjell para jush faktin se të gjitha Konferencat që u mbyllën dje riafirmuan në mënyrë institucionale konsolidimin e vlerave tona fondamentale, të vlerave të socialdemokracisë që kemi promovuar për trembëdhjetë vjet rresht në Shqipëri, shfaqëm përpjekje reformuese dhe vetëdije të lartë politike me të cilat garantuam së bashku anëtarësimin e plotë në Internacionalen Socialiste, në organizatën më të madhe dhe më të vjetër politike të globit.

Ta gëzojmë së bashku këtë anëtarësim.

Konferencat e Partisë, që mbyllen sot, janë shquar për një analizë të thellë e të përgjegjëshme të zhvillimeve të katër viteve të fundit. Analiza ka qenë e thellë dhe e orientuar si në veprimtarinë e jetës së vetë partisë, edhe në qeverisjen që na ka besuar. Konferencat kanë synuar për të zgjeruar dhe institucionalizuar normat e një demokracie të brendëshme me rregulla të qëndrueshme. Edhe një herë gjatë këtij proçesi ne dëshmuam se mbetemi Partia më e madhe, më demokratike dhe më përfaqësuese e vlerave progresiste të shoqërisë shqiptare. Në këtë proçes hapësirat tona të lirisë, të konkurencës së ideve dhe alternativave, të tolerancës dhe të respektimit të mendimit ndryshe etj., jo vetëm që nuk u kërcënuan asnjë çast, por fituan edhe dimensione të tjera. Në fund të këtij proçesi analizash dhe kontaktesh politike me të gjithë Partinë, ne mund të deklarojmë krejtësisht të qetë: në Partinë Socialiste nuk ka asnjë depresion. Në Partinë Socialiste zien mendimi i lirë dhe përgjegjësia rritet edhe më shumë për shkak të detyrimeve qeverisëse që na kanë besuar shqiptarët prej vitesh.

Shoqe dhe shokë,

4 vitet që ndajnë dy kongreset zgjedhore u karakterizuan nga një veprimtari intensive politike dhe qeverisëse dhe nga një varg arritjesh të rëndësishme që do të mbeten përjetë në librin e historisë së re të Partisë Socialiste.

Në Kongresin e tretë ne adaptuam një seri rregullash dhe ndryshimesh në Statut, të cilat kishin në themel barazinë dhe përgjegjësinë e çdo anëtari përballë Partisë, pavarësisht detyrave përfaqësuese, përkatësisë gjinore, krahinore, e aq më pak pasurore. Kato katër vjet provuan vlefshmërinë dhe domosdoshmërinë e këtyre rregullave, siç edhe zbuluan gjithashtu nevojën e përsosjes së mëtejshme të tyre si instrumenta të rëndësishëm që garantojnë demokracinë dhe konsolidojnë reformën. Me paketën e rregullave të adaptuara dhe të zbatuara së bashku në këto vite, dhe jo me fjalë boshe, ne i hoqëm çdo individi apo forumi mundësitë për autoritarizëm, për vetëgjyqësi, apo për arrogancë. Kjo për arsyen e thjeshtë se çdo individ, forum a grup është pjesë koherente e proçesit të llogaridhënies dhe vjen natyrshëm në këtë kontakt pas një proçesi të hapur konkurimi, për t'u bërë pjesë përbërëse e ekipit tonë të madh politik dhe qeverisës, i cili vazhdon të votohet në shumicë.

Ne jemi krenarë që duke hyrë në vitin e 13-të të ekzistencës dhe veprimtarisë sonë partiake, jemi e vetmja parti e majtë e Evropës ish komuniste që kemi humbur vetëm një palë zgjedhje, ato të vitit 1992.

Ne kemi të drejtë të jemi krenarë që gjithnjë e më shumë po votohemi këtu nga zgjedhësit progresistë të Tiranës, ashtu si dhe në qytetet metropol të vendit. Suksesi i zgjedhjeve për pushtet vendor është rritja e përqindjes së votave që ne na u besua në kryeqytet, si fakt kuptimplotë dhe prova më e mirë se ne mbetemi të mirëorientuar, prandaj do të jemi të suksesshëm jo vetëm pas dy javësh. Unë jam i bindur se kjo Konferencë, me debatet e hapura, me përgjegjësinë e saj, do të bëjë akoma më të mundur që edhe më shumë vlera do të sillen në lidershipin e Partisë së Kryeqytetit. Sepse kemi krijuar ndërkohë vlera që janë provuar madje edhe në ekzekutiv, kemi bërë më shumë miq, më shumë dashamirës.

Ne jemi krenarë që e shpëtuam Shqipërinë nga gremina e vitit '97 dhe nga të gjitha tentativat e dhunshme dhe të përsëritura të opozitës për të prishur dhe rrënuar institucionet dhe rendin tonë kushtetues.

Ne jemi krenarë që sot kemi partnerë dhe miq në të gjithë botën, të cilët po na asistojnë vendin tonë në rrugën tonë për progres dhe integrim euroatlantik. Marrëdhëniet tona, veçanërisht me dy aleatët e mëdhenj të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, nuk kanë qenë ndonjëherë në nivel më të lartë sesa sot.

Ne jemi krenarë për atë progres reformues që kemi sjellë në Shqipëri si në rritjen e mirëqenies individuale apo familjare dhe në pasurimin e përshpejtuar të shtetit, zgjerimit të infrastrukturave moderne dhe të arterieve kombëtare të zhvillimit etj.

Ju e dini se për këto të vërteta ka edhe shifra, statistika, të cilat janë kokëforta dhe janë njëlloj me vlerësimet e çertifikuara nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët tashmë kemi hyrë në një dialog të zyrtarizuar, si përsa i përket integrimit në strukturat e Bashkimit Europian, ashtu edhe në NATO. Por më shumë se sa shifrat rëndësi ka pjesmarrja dhe kontributi i secilit prej nesh në këtë realitet të transformuar. Për shkak të faktit se ju jeni në kryeqytetin e vendit, ku edhe janë realisht të përqëndruara shumica e kapaciteteve realizuese kombëtare, edhe kontributi juaj është më i spikatur, edhe konkurimi juaj ka qënë më i vështirë, e pikërisht për këto edhe fitoret e arritura bashkë me ju shijojnë më shumë.

Dy të vërteta janë krejtësisht të pakundërshtueshme;

E para, Shqipëria e vitit 2003 dhe veçanërisht Tirana e këtij viti nuk ka asnjë të krahasuar me Shqipërinë e vitit '97. Kjo ka ardhur sepse ne nuk kemi dalë në skenën politike për të prodhuar politikë për politikë, por për të qeverisur më mirë, me profesionalizëm dhe me përkushtim, prandaj dhe doktori i sëmurë vazhdon të humbasë votat për vete dhe për partinë e tij, prandaj edhe nga tubimet e tij të marra njerëzit vetëm rrinë larg.

E dyta, Shqipëria nën qeverisjen tonë ka hyrë përfundimisht në rrugën e integrimit euroatlantik duke e pasur tashmë krejtësisht të garantuar realizimin e objektivit kombëtar, të instrumentave dhe transformimeve që po realizohen dhe që duhet të vazhdojnë të thellohen në të ardhmen. Pra, ne nuk po e çojmë as Partinë Socialiste dhe as Shqipërinë në drejtim të paditur, por drejt standarteve të lirisë, të jetesës, të rregullave, të sipërmarrjes, të arsimimit dhe të shëndetit publik, të sigurisë dhe kulturës, si në vendet europiane ku po punojmë të integrohemi.

Të gjithë jemi dëshmimtarë se si ky progres nisi me shpartallimin e bandave me maska që kishin pushtuar rrugët e Shqipërisë dhe institucionet e shtetit.

Ai eci përpara me mbylljen përfundimtare të skemave piramidale, pavarësisht kërcënimeve që morrëm nga bota e krimit që po humbte parajsën e dhuruar nga Berisha.

Ky progres vazhdoi me rimëkëmbjen e ekonomisë ligjore të tregut, me hartimin e projekteve serioze dhe sigurimin e financimeve për to dhe me luftën e qartë e të pamëshirshme për disiplinimin e ekonomisë së lirë të tregut dhe kundër informalitetit.

Ky progres përballoi sulmet deri kriminale të botës së kontrabandës dhe korrupsionit.
Ky progres na çoi natyrshëm në mbylljen e trafikut të skafeve dhe gomoneve, pavarësisht kostove që po përballojmë për shkak të fitimeve të munguara të trafikantëve dhe mbrojtësve të tyre. Në analizë të fundit ishte ky progres që bëri të mundur që në 31 janar të këtij viti ne të hapnim zyrtarisht negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Mund t'ju rreshtoja edhe shumë elementë të tjerë të progresit tonë, që vlen të kujtohet jo për të bërë propogandë apo për të mbuluar problemet ende të shumtë me të cilët ndeshemi, por për të pohuar faktin se në qendër të arritjeve është në radhë të parë edhe kontributi ynë i përbashkët.

Ky progres ka pasur përballë dhe ka përballuar në mënyrë demokratike një opozitë aspak konstruktive, si dhe botën e krimit që ngriti rregjimi i Berishës. Kjo kategori kriminale madje ka tentuar të hyjë edhe në forumet tona, edhe në institucionet tona përfaqësuese. Por ndërsa derën tonë e ka gjetur gjithmonë të mbyllur, është strehuar haptazi apo përmes aleancave të fshehta në Partinë e Berishës.

Të dashur Shokë,

E bëra këtë pasqyrë për t'ju ftuar të gjithëve të kthejmë kokën pas dhe për të mos harruar se me çfarë sakrifice e kemi çuar drejt standarteve moderne euroatlantike Shqipërinë me qeverisjen tonë të përgjegjëshme, siç çuam Partinë Socialiste në Internacionalen Socialiste. Natyrisht jo çdo gjë ka shkuar perfekt. Kemi pasur edhe gabime, por kurrsesi dështime. Gjithnjë kemi pasur kurajon dhe forcën morale për të analizuar dhe korrigjuar edhe Partinë edhe qeverisjen e saj. Me antarësimin tonë në Internacionalen Socialiste rruga jonë e reformimit nuk është mbyllur. Përkundrazi, ajo shndërrohet në domosdoshmëri modernizimi i saj të mëtejshëm. Prandaj ne vazhdojmë të kemi nevojë për të përmirësuar si funksionimin tonë të brendshëm edhe qeverisjen e vendit. Dhe unë jam i bindur, si militant dhe si Kryetar i PSSH, se do të vazhdojmë të qeverisim, do të vazhdojmë të prodhojmë progres, do përshpejtojmë integrimin euroatlantik të vendit, sepse forca jonë nuk bazohet në "forca magjike" udhëheqësish, por në ekipe të përkushtuar militantësh dhe profesionistësh që integrojnë të gjitha kontributet e anëtarësisë dhe të spektrit progresist të shoqërisë civile, të armatës së profesionistëve dhe ekspertëve etj, që e duan Atdheun tonë të përbashkët po aq sa ne.

Mbi këtë bazë nuk gjej dot asnjë arsyetim të ndershëm dhe të qëndrueshëm politik apo përfaqësues për qëndrimet apo veprimet e disa prej shokëve tanë. Partia jonë internacionaliste asnjëherë nuk i ka zgjidhur sfidat e zhvillimit me përjashtime, por vetëm me gjithëpërfshirje. Në themel të analizës dhe nevojës për ndryshim, asnjëherë nuk kanë qenë interesat e një pakice individësh, por interesat e gjëra të anëtarësisë dhe shoqërisë shqiptare. Aq më pak kemi lejuar që vlerat tona të patjetërsueshme të identifikohen me ata që abuzojnë me to.

Afirmoj solemnisht edhe në emrin tuaj se si në parti edhe në qeverisje ne kemi adoptuar politika dhe veprime:
pro lirisë, kundër diktateve,
pro rregullave kushtetuese, ligjore apo statutore, kundër anarkisë dhe kaosit,
pro individit, kundër individualizmit të sëmurë,
pro gjithpërfshirjes, kundër përjashtimit,
pro punës në ekip, kundër grupazheve të interesave,
pro ekonomisë së tregut, kundër shoqërisë së tregut,
pro kohezionit social, kundër informalitetit dhe evazionit fiskal,
pro sipërmarrjes së ligjshme, kundër korrupsionit dhe klientelizmit.

Këto nuk janë vlera të diktuara nga Fatos Nano, por janë themeli mbi të cilin është ngritur dhe funksionon me sukses prej 13 vjetësh partia jonë.

Unë si Kryetari juaj dhe si Kryeministër së bashku me anëtarësinë kemi përgjegjësinë për të nxitur të gjitha kontributet që konsolidojnë demokracinë dhe rregullin në Partinë Socialsite të Shqipërisë dhe për të ndalur abuzimin e mëtejshëm me to. Ne kemi nevojë për të gjitha kontributet komplementare që përmirësojnë programet qeverisëse, por nuk kemi nevojë për një "opozitë" brenda nesh. Ne kemi nevojë për të konsoliduar maxhorancën tonë qeverisëse dhe jo ta hollojmë atë pa shkaqe të përligjura apo interesa të errëta.

Tashmë vetëm pak ditë na ndajnë nga Kongresi, të cilin kam bindje se do e përdorim për të konsoliduar sistemin e vlerave tona brenda një sistemi të qartë rregullash demokratike, ku të gjithë janë të barabartë përpara Partisë dhe zgjedhësve.

Motra e vëllezër,

Qëndrimi im si Kryetar i Partisë për vendimin e Gjykatës që ktheu zgjedhjet për shumë qendra votimi në bashkinë e Tiranës është pjesë e zemërimit tuaj të natyrshëm e të ligjshëm. Pavarësisht gjykimit tonë për këtë vendim sa absurd dhe aq jo ligjor të një pjese të sistemit gjyqësor që ende nuk kemi arritur ta shërojmë nga izmat, ndryshe nga kundërshtarët tanë politikë ne e pranuam atë dhe do të hyjmë në zgjedhje për të fituar edhe më thellë se në 12 tetor 2003, më 28 dhjetor 2003. Kemi rastin të dëshmojmë përkrah Edit dhe Musait edhe njëherë se fitohet duke bashkuar kontributet dhe jo duke u ndarë. Ky vendim i padrejtë duhet të shërbejë sërish si një instrument i kohezionit të pashoq dhe të mos demotivojë askënd. E keqja, pak rëndësi ka nëse na ka ardhur nga Berisha apo nga brenda, shërohet vetëm duke fituar bindshëm dhe pastër sërish. Dhe ne do ta festojmë Vitin e Ri me fitore.

Përfundimisht Tirana është shndërruar sot në një model të zhvillimit kombëtar, sepse Partia Socialiste ka arritur të thithë kontributin e tiranasve të vjetër e të rinj, të socialistëve të vjetër e të rinj, të progresistëve të vjetër e të rinj, të vajzave të reja dhe prindërve të motshëm, të shoqërisë civile dhe të mediave të lira, të sipërmarrjes së tezgave dhe VIP-ëve të biznesit, të besimeve të ndryshme fetare dhe partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Tirana, si qendra më e madhe administrative dhe sipërmarrëse e Shqipërisë, vetëm në qeverisjen tonë arriti t'i shpalosë vlerat dhe potencialet e saj kaq afër botës moderne. Ne i dhamë Tiranës së bashku pamjen e një qyteti perëndimor. Prandaj unë theksoj bindjen se organizata e socialistëve të kryeqytetit do të vazhdojë të jetë edhe më përfaqësuese se sot, edhe më e hapur se sot, edhe më gjithëpërfshirëse se sot, edhe më e votuar se sot. Vetëm kjo hapje më e madhe e dyerve për të gjitha kategoritë e vlerave që realisht dëshirojnë të kontribuojnë për progresin, do të vazhdojë ta mbajë Partinë Socialiste në ballë të zhvillimeve dhe do ta bëjë të aftë të përballojë konkurimin, që sa vjen e rritet dhe vjen nga disa drejtime.

Përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë është gjithashtu një moment reflektimi për të gjithë ata që e duan Partinë Socialiste, e duan dhe besojnë në qeverisjen e saj të përgjegjëshme, e duan Tiranën pa sharlatanë, e duan Tiranën të progresojë në rrugën drejt një metropoli modern evropian, e duan dhe respektojnë kontributin dhe sakrificën e çdo socialisti të ndershëm që me të drejtë nuk e kupton pse duhet të rivotojë.

Kongresi dhe përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë janë një shans për të gjithë ata që besoj se çdo ditë e më shumë po kuptojnë vullnetin e pathyeshëm të anëtarësisë, të maxhorancës së zgjedhësve shqiptarë që përfaqësojmë dhe të partnerëve ndërkombëtarë të vendit për të vazhduar me temp edhe më të lartë reformat transformuese europiane të vendit. Kush e quan veten socialist, le të rrijë me socialistët dhe të kontribuojë për progresin. Unë sërish do të jem edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit vullnetar i socialistëve të Tiranës dhe, padyshim, edhe i sfidantit tim Edi Rama.

Sepse sitemi ynë politik nuk është i qelbur dhe dallon diametralisht me atë që Edi e quajti të qelbur 12 vjet më parë, në Akademinë e Arteve, në 10 vjetorin e vrasjes së Xhon Lenon. Qysh atëherë Xhon Lenoni nuk ka nevojë të vritet prapë. Kjo nuk është parti që mund të shqyhet. Kjo është parti politike dhe nuk është "saturday night party". Këtu nuk bëhet aheng. Kjo është parti e madhe, socialdemokrate dhe nuk mund të shqyhet në pakte apo pjesë sipas interesave më të vogla sesa ato të zgjedhësve shqiptarë. Nuk mund të shqyhet si ish partia e madhe demokratike e Berishës.

Në Partinë Socialiste të Shqipërisë do të vazhdojë të lulëzojë mendimi ndryshe, por nuk mund të lejohet të vazhdojë të lulëzojë veprimi kundra.

Në vitin '97 njeriu që korruptoi sistemin u asgjësua nga vota plebishitare e shqiptarëve, Sali Berisha. Pra, ky sistem, jo i qelbur që kemi ndërtuar qysh nga '97, nuk mund të korruptojë lehtë socialistët. Mund të korruptojë cilindo tjetër por jo ju dhe mua.

Më në fund, ky sistem jo i qelbër nuk mund të korruptoj Fatos Nanon, të burgosurin politik që vetëm Berisha e futi në burg për korrupsion. Siç më dëgjuat, ju fola si gjithnjë dhe ju duruat të dëgjoni të gjithë të paduruarit. Unë nuk dua të besoj se padurimi i Edit vjen për të kandiduar për kryetar të Partisë Socialiste, në përputhje me rregullin që ai propozoi që të largohet në 2005 pasi të ketë humbur zgjedhjet parlamentare Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne nuk e presim vdekjen nga prapa, prandaj i kemi dalë asaj ballas në regjimin e Berishës dhe përballë sfidave të integrimit.

Punë të mbarë dhe suksese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›