E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për lejimin e Entit Kombëtar të Banesave të fillojë proçedurën për përfundimin e tri godinave në zonën e Laprakës, Tiranë, si dhe ndërtimi

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për lejimin e Entit Kombëtar të Banesave të fillojë proçedurën për përfundimin e tri godinave në zonën e Laprakës, Tiranë, si dhe ndërtimin e godinave në ish frigoriferin e Vlorës, të cilat do të përdoren për kreditorët, që kanë humbur banesat në skemat piramidale".

Nëpërmjet këtij vendimi do të bëhet i mundur ndërtimi në 3 objektet e lëna përgjysëm në zonën e Laprakës nga ish Kompania Vefa, ku do të mund të strehohen 54 familje, nëpërmjet adaptimit të projekteve ekzistuese. Po ashtu, në qytetin e Vlorës do të bëhet i mundur ndërtimi i një objekti të ri me 24 apartamente. Ky hap do të pasohet nga hapa të tjerë që do të marrë Qeveria për t'i ardhur në ndihmë kësaj kategorie.

Për të mundësuar strehimin sa më të shpejtë të rasteve më emergjente, ky vendim lejon Entin Kombëtar të Banesave të fillojë proçedurën për përfundimin e godinave në zonën e Laprakës me një fond prej 98.287.673 lekë, si dhe për ndërtimin e godinave në ish frigoriferin Vlorë me një fond prej 65.000.000 lekë.

Të dyja këto qytete zënë edhe numrin më të madh të familjeve të kësaj kategorie. Për këtë arsye edhe përdorimi i fondeve për ndërtime në këto dy qytete do të ketë impakt pozitiv në sigurimin e strehimit për rastet më emergjente.

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e datës 26 nëntor 2003 miratoi përdorimin e fondit prej 240 milion lekë për ndërtimin e apartamenteve në Tiranë dhe Vlorë për këtë kategori.

U miratua "Për lejimin e Bashkisë së Sarandës të fillojë proçedurën për financimin e studimit urbanistik të qendrës së qytetit".

Me anë të këtij vendimi, lejohet bashkia e Sarandës të fillojë proçedurën me shoqërinë "Hasbiu Projekt", për kryerjen e studimit urbanistik të qendrës së qytetit. Kryerja e studimit do të përfundojë brenda 3 muajve nga nënshkrimi i kontratës përkatëse nga bashkia e Sarandës. Nisur edhe nga përvoja e zhvillimit të qyteteve bregdetare në rajon, kryerja e studimit urbanistik në drejtim të përmirësimit të aspektit turistik, paraqitet imediate.

Shoqëria "Hasbiu Projekt" fitoi konkursin kombëtar për hartimin e një plani konceptual mbi studimin urbanistik dhe arkitekturor të qendrës së qytetit të Sarandës dhe një zone rreth saj.

Adoptimi në vijim i studimit, do të stabilizojë përfundimisht një pjesë të problematikës së rënduar urbane nga e cila vuan qyteti i Sarandës.

U miratua vendimi "Për miratimin e rregullores së administrimit të qytetit muze të Gjirokastrës".

Hartimi i rregullores dhe i hartës së zonifikimit që e shoqëron atë përmbush një detyrim të shtetit shqiptar dhe të plotësimit të dosjes së qytetit muze të Gjirokastrës, dërguar në UNESCO për të fituar statusin e pasurisë kulturore të njerëzimit.

Gjirokastra është shpallur qytet muze me vendim të Këshillit të Ministrave, datë 02.06.1961, së bashku me qytetin muze të Beratit. Prej atij viti ka qenë aprovuar edhe një rregullore për administrimin e këtyre qyteteve muze, e cila për shkak të trajtimit të dy qyteteve në një dokument të vetëm nuk solli rezultatin që pritej. Për këtë arsye, duke vlerësuar statusin e këtij qyteti muze, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, propozon një rregullore të veçantë të administrimit të qytetit të Gjirokastrës.

Rregullorja sjell një standart të ti në trajtimin dhe administrimin e vlerave të një rëndësie të veçantë, siç është edhe qyteti muze i Gjirokastrës. E reja e saj është edhe krijimi i Komitetit Mbikqyrës i qytetit, i ngritur pranë Bashkisë së Gjirokastrës, duke përmbushur në këtë mënyrë dhe një nga rekomandimet e UNESCO-s.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›