E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miratoi sot, në mbedhjen e radhës, disa vendime, në kuadër të reformës për decentralizimin e pushtetit vendor, për miratimin i listave të inventarit të pronave të pal

Këshilli i Ministrave miratoi sot, në mbedhjen e radhës, disa vendime, në kuadër të reformës për decentralizimin e pushtetit vendor, për miratimin i listave të inventarit të pronave të paluajtshme në disa bashki dhe komuna; miratimin e disa akteve nënligjore për zbatimin e ligjit për sigurimet dhe risigurimet në Republikën e Shqipërisë; si dhe miratimin e rregulloreve për organizimin dhe funksionimin e disa organizmave, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Po ashtu Këshilli i Ministrave miratoi edhe Protokollin e Sesionit të Nëntë të Komitetit të Përbashkët Ndërqeveritar shqiptaro-grek, për Bashkëpunimin Ekonomik, Industrial dhe Tekniko-Shkencor.

• Në kuadër të procesit të decetralizimit të pushtetit vendor dhe kalimit në pronësi të pushtetit vendor të pronave të paluajtshme shtetërore të bashkive dhe komunave, Këshilli i Ministrave, në vijim të vendimeve të mëparshme, miratoi me vendime të veçanta listat e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në:

- Bashkinë e Delvinës, të qarkut Vlorë
- Bashkinë Lac , të qarkut Lezhë
- Komunën e Kolonjës, të qarkut Fier
- Komunën Bulgarec të qarkut Korce
- Komunen e Fierzës të qarkut Kukës

• Po ashtu në kuadër të reformës në fushën e sigurimeve, Këshilli i Ministrave miratoi disa akte nënligjore për zbatimin e ligjit për sigurimet dhe risigurimet në Republikën e Shqipërisë. U miratua vendimi "Për kriteret dhe procedurat e licensimit te agjenteve te sigurimeve, si dhe rregullat per mbikqyrjen e veprimtarise se tyre".

Qëllimi i vendimit është rregullimi dhe kontrolli i aktivitetit të agjentit në sigurime si ndërmjetës dhe licensimi i tyre në bazë të rregullave dhe kërkesave profesionale të parashikuara, si dhe vendosja për ta e kërkesave mbi mbrojtjen e konsumatorit në sigurime.

Synimet e këtij projekti janë:

1. Forcimi i kritereve për licensimin e agjenteve, duke dhënë kritere të besueshmerisë dhe ato profesionale. Në këto kritere përfshihen pajisja e agjentit me policë sigurimi për përgjegjësitë profesionale, të ketë një depozitë bankare, si dhe garancia profesionale e vërtetuar me një certifikatë trajnimi në sigurime.

2. Procesi i licensimit konceptohet si nje faze e vetme që është ajo e pajisjes me licensë të agjentit në sigurime, ruajtja e konfidencialitetit të të dhënave të të siguruarve nga ana e agjentit në sigurime me qëllim mbrojtjen e tyre.

3. Në kuadrin e mbrojtjes konsumatore, parashikuar në direktivat e Bashkimit Europian për ndërmjetësimin, për herë të parë agjentit të sigurimeve i kërkohet të japë informacion të qartë për produktin që ai ofron.

• U miratua edhe vendimi "Për miratimin e metodikës "Për mënyrat e llogaritjes të nivelit të kërkuar të aftësisë paguese për sigurimin e jetës dhe të jojetës (dëmeve) së shoqërive të sigurimit"

Qëllimi i vendimit është përcaktimi i rregullave për llogaritjen e nivelit të kërkuar të aftësisë paguese për shoqëritë e sigurimit, duke plotësuar kuadrin ligjor të fushës së sigurimeve. Në çdo kohë shoqërisë së sigurimit i nevojitet të ketë active të mjaftueshme dhe të disponueshme në mënyrë të tillë që të plotësojë detyrimet që lindin nga kontrata e sigurimit dhe të mbetet në situatë të mirë financiare.

• Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua edhe rregullorja për organizimin dhe funksionimin e disa organizmave, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në përputhje me standartet bashkohore. Kështu u miratua "Rregullorja e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Arkivave"

Rregullorja përmban statusin, përbërjen, rregullat e funksionimit dhe shpërblimin e anëtarëve të këtij këshilli, si dhe parashikon procedurat e hollësishme të funksionimit dhe detyrat e tij.

• U miratua vendimi për "Rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të Komisionit Qendror të Ekspertizës, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivës.

Vendimi miraton rregulloren e organizimit dhe funksionimit të Komisionit Qendror të Ekspertizës, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivës.

• U miratua vendimi "Për rregulloren e organizimit dhe funksionimit të Komisionit të Përgjithshëm të Ekspertëve, pranë Drejtorisë së Rërgjithshme të Arkivave".

Vendimi miraton rregulloren e organizimit dhe funksionimit të Komisionit të Përhershëm të Ekspertëve, i cili vlerëson dokumentat me rëndësi historike. Rregullorja parashikon konstituimin e KPE dhe procedurat e hollësishme të funksionimit të Komisionit.

• Gjithashtu sot u miratua vendimi "Për pranimin e nënoficerëve në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë".

Vendimi ka për qëllim rregullimin ligjor të pranimit si nënoficer aktiv. Plotësimi i këtyre kritereve do të rrisë cilësinë e pranimit dhe aftësitë profesionale të nënoficerëve.

Sipas vendimit ata që aplikojnë për nënoficer, përveç kushteve të përcaktuara në ligjin "Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë", duhet të plotësojë:

- Të ketë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak;
- Të ketë përfunduar Akademinë e Nënoficerëve "Lodewijk Tomson" ose akademi jashtë vendit;
- Të përmbushë testimin shëndetësor, fizik dhe intelektual;
- Shtetaset femra duhet të kenë kryer stërvitjen bazë në Qendrën e stërvitjes Bunavi.

• Këshilli i Ministrave miratoi në parim edhe Protokollin e Sesionit të Nëntë të Komitetit të Përbashkët Ndërqeveritar shqiptaro-grek, për Bashkëpunimin Ekonomik, Industrial dhe Tekniko-Shkencor.

Sesioni i 9-të i Komitetit të përbashkët ndërqeveritar shqiptaro-grek për bashkëpunimin ekonomik, industrial dhe tekniko-shkencor, i cili do të mblidhet nga datat 28-29 mars në Janinë, do të shqyrtojë nivelin e marrëdhënieve të deritanishme ekonomike, tregtare dhe tekniko-shkencore në fushën e punësimit dhe të çështjeve sociale, bashkëpunimi midis dy vendve në kuadrin rajonal, aspekte të planit grek për rindërtimin e Ballkanit nxitjen dhe realizimin e tyre. Gjithashtu do të diskutohet në lidhje me perspektivat e këtij bashkëpunimi. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga ministri i Ekonomisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›