Këshilli i Ministrave miraton akte ligjore për përmirësimin e legjislacionit në industrinë e minierave, atë joushqimore dhe Shërbimin Gjeologjik Shqiptar Këshilli i Ministrave miratoi sot
Këshilli i Ministrave miraton akte ligjore për përmirësimin e legjislacionit në industrinë e minierave, atë joushqimore dhe Shërbimin Gjeologjik Shqiptar
Këshilli i Ministrave miratoi sot disa akte ligjore për përmirësimin e legjislacionit për administrimin dhe shfrytëzimin e minierave, për krijimin e hapësirave të nevojshme për rritjen dhe efektivitetin e punës së Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe për nxitjen e mbështetjen e sektorit prodhues në industrinë joushqimore.
Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për industrinë joushqimore".
Projektligji synon të rregullojë marrëdhëniet juridike dhe institucionale të organeve shtetërore me subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në fushën e industrisë joushqimore.
Nxjerrja e këtij projektligji ka rëndësi për këto arësye:
• Vërehet se veprimtaritë që mbulon ky ligj janë të shumëllojshme dhe kanë karakteristika të veçanta, por kanë të përbashkët faktin se produktet ‘fabrikohen' nga një industri që në terma të përgjithshëm quhet "industri sekondare", në dallim nga industritë primare që kanë si bazë përpunimin e burimeve natyrore. Ky diversitet ka sjellë edhe vështirësi në grupimin e tyre dhe ka bërë të nevojshëm hartimin e ligjit.
• Ligji organik do të shërbente si bazë referimi gjatë hartimit të akteve të ndryshme ligjore e nënligjore, që lidhen me probleme të veçanta të veprimtarive industriale joushqimore, të cilat duke patur parasysh shkallën e lartë të diversitetit, parashikohen të jenë të shumta dhe mund të shkaktojnë konfuzion në legjislacionin e përgjithshëm.
• Vërehet se disa aktivitete të industrisë joushqimore, pavarësisht se janë zhvilluar spontanisht dhe se janë të mbështetur kryesisht në shfrytëzimin e krahut të lirë të punës, japin më shumë se 70% të eksportit sot në Shqipëri. Ky fakt tregon se kësaj dege duhet t'i kushtohet një vëmendje më e madhe. Është e rëndësishme të menaxhohet drejt kjo tendencë, në kuptimin që të bëhet një pikënisje për krijimin e aktiviteteve të tjera të bashkëpunimit industrial në një shkallë më të lartë, duke e disiplinuar dhe kontrolluar atë nëpërmjet ligjit.
U miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8366, datë 2.7.1998, "Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar (ShGjSh)"".
Hartimi i projektligjit synon përshtatjen e ligjit ekzistues me ndryshimet dhe zhvillimet që ka pësuar gjatë zbatimit në praktikë ky ligj, duke e bërë atë më koherente ndaj problemeve të konstatuara.
Qëllimi është përmirësimi i ligjit për Shërbimin Gjelogjik Shqiptar, duke krijuar hapësirat e nevojshme për rritjen dhe efektivitetin e punës së Shërbimit Gjelogjik Shqiptar në prespektivë.
Këto ndryshime do të shërbejnë që ShGjSh të pajiset me një ligj të përmirësuar, të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarisë së tij për tani edhe në perspektivë.
U miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 77.96, datë 17.2.1994, "Minerar i Shqipërisë"".
Periudha 10-vjeçare e zbatimit intensiv të Ligjit Minerar Shqiptar në industrinë minerare (mbi bazën e tij janë dhënë më shumë se 750 leje kërkim-zbulimi e shfrytëzimi për një pjesë të madhe mineralesh), krahas avantazheve ka nxjerrë në pah edhe disa mangësi, të cilat rrjedhin nga vetë stadi i zhvillimit ekonomik dhe legjislacionit, si dhe të meta të cilat nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të ligjit.
Ndryshimet në ligj do të përmirësojnë punën për nxitjen e zhvillimit të industrisë minerare, për mineralet tradicionale dhe minerale të tjerë me perspektivë. Amendimi ka për qëllim të saktësojë më mirë emërtimet dhe shprehjet që përdoren në ligj, për mbrojtjen e zonave me vlera të veçanta natyrore, për përmirësimin e rregullave të monitorimit të lejeve minerare, për përmirësimin e marrëdhenieve të subjekteve private me shtetin, etj.