Këshilli i Ministrave miraton një paketë vendimesh për transferimin e pronave, pyjeve dhe kullotave qeverisjes vendore
Qeveria miratoi sot 50 vendime për transferimin e pronave, pyjeve dhe kullotave në pronësi të njësive të qeverisjes vendore. Kryeministri Berisha the se paketa e sotme e transferimit të pronave pushtetit vendor miratohet në përputhje dhe përmbushje të procesit të decentralizimit të pushtetit vendor.
“Mbledhja e sotme do të mbetet mbledhja rekord për numrin e ligjeve dhe vendimeve që miratohen dhe korpusi kryesor i rendit të ditës janë dorëzimi i pronave autoriteteve vendore, bashkive dhe komunave të vendit, në përputhje me parimin e decentralizimit,” u shpreh Kryeministri.
Vendimet për transferimin e pronave, pyjeve dhe kullotave në pronësi të njësive të qeverisjes vendore shtrihen në të gjitha qarqet e vendit.