Kryeministri Berisha: Qendra e Transferimit të teknologjive bujqësore, në ndihmë të fermerëve shqiptarë për të ecur me hapin e kohës
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në përurimin e ambienteve të reja të Qendrës së transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë –Krujë, e cila është investim i qeverisë shqiptare me vlerë rreth 100 milion lekë të reja.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se përurimi i Qendrës së transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë –Krujë, përbën një ngjarje të rëndësishme për kërkimin shkencor të vendit dhe fermerët shqiptarë , të cilët do të gjejnë tek kjo qendër, një institucion që do të transferojë tek ata teknologjitë më të mira dhe bashkëkohore. “Qendra do të ndihmojë në tërësi bujqësinë shqiptare , fermerët shqiptarë që të mund të ndjekin me ritmin e kohës bujqësinë evropiane dhe atë botërore.” - u shpreh kryeministri.
Kryeministri theksoi se Qendra e transferimit të Teknologjive Bujqësore vjen si rezultat i një reforme të thellë që qeveria ndërmori për të gjitha institucionet kërkimore , shkencore të vendit, reformë e cila tani po shkon drejt finalizimit të zbatimit të saj.
Kryeministri u shpreh se qeveria do të investojë në mënyrë të vazhdueshme për arsimin dhe kërkimin shkencor. “Qeveria po dyfishon buxhetin për arsimin. Qeveria ka trefishuar buxhetin për kërkimin shkencor. Qeveria ka krijuar lidhje të ngushta ndërkombëtare, siç është programi i 7 i BE-se, i cili në një pjesë të gjerë i përkushtohet teknologjisë bujqësore, bio-teknologjisë dhe nga i cili ju mund të përfitoni më shumë se të tjerët.”
Duke evidentuar faktin se bujqësia në tërësi po përjeton një moment shumë interesant, të shkëputjes nga një periudhë e shkuar, Kryeministri theksoi se tashmë është hyrë në kohën e vlerësimit të prodhimeve, bujqësore, blegtorale, në kohën e vlerësimit të mundit dhe djersës së fermerit. "Janë një seri faktorësh, të cilët kanë sjellë dhe do të sjellin vlerësimin e merituar të fermës, fermerit, kërkuesit shkencor, studiuesit të kësaj fushe."
Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare do të mbështesë në vazhdimësi programet për zhvillimin bujqësisë, si dhe progresin e teknologjive më të përparuara. “Ju siguroj se nuk do të ketë asnjë pengesë për ju që të dispononi të gjitha laboratorët, mjetet e kërkimit shkencor, e studimeve , e transferimit të këtyre studimeve dhe njohurive.”
Duke theksuarse një rëndësi të jashtëzakonshme për qendrën ka lidhja tërësore me Universitetin e Bujqësisë, Kryeministri nënvizoi faktin se kjo qendër me teknologjitë që ofron duhet të vihet në shërbim të studentëve e pedagogëve. “Universitetet në të gjitha kohërat janë dhe mbeten shtretërit e mendimit intelektual. Në këtë kontekst, Universitetet, katedrat, departamentet janë dimensioni jetik i punës suaj, ndaj ju ftoj, që nga laboratorët, parcelat, eksperimentet e kësaj qendre, e këtij ekipi, të përfitojnë njëkohësisht katedrat studentët, pedagogët e fakultetit.
Kryeministri shprehu besimin se kjo qendër do të përmbushë misionin e saj jetik mbi bazën e parametrave të zhvilluara moderne e bashkëkohore, duke qëndruar në lartësinë e kohës. “Ne e ruajtëm qendrën sepse të tilla standarde ekzistojnë kudo, por nuk e kemi ruajtur në asnjë rrethanë si një institucion të mirëfilltë burokratik. Qendra do mundë të përmbushë misionin e saj jetik kërkimor shkencor, mbi bazën e parametrave të zhvilluara moderne e bashkëkohore dhe unë kam bindjen se me këta punonjës me eksperiencën e shkëlqyer, me projekte që vazhdojnë dhe projekte të tjera në të ardhmen, kjo qendër do të jetë në lartësinë e kohës.” tha Kryeministri.
Më pas, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së konsumatorit, Jemin Gjana, drejtues së qendrës, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, vizitoi ambientet e reja të Qendrës dhe u takua e bisedoi me punonjës të saj.
Qendra e Transferimit të teknologjive bujqësore është një institucion që kontribuon në hartimin e politikave të zhvillimit të bujqësisë me ndërfutjen e teknologjive të reja bashkëkohore për bimët, blegtorinë, tokat dhe ujërat. Kjo qendër jep një kontribut të veçantë në drejtim të shërbimeve bujqësore, si në drejtim të analizave analitike, cilësore për bimët, tokën , ushqimet e blektorisë e materialet biologjike shtazore, të shërbimeve kadastrale të tokës dhe ujërave, të sistemit të informacionit gjeografik, etj
Në këtë qendër aktualisht implementohen 11 programe të zhvillimit të bujqësisë, nga 17 janë që janë gjithsej, të cilat janë në mënyrë direkte në ndihmë të zgjidhjeve të çështjeve që kërkojnë përgjigje nga fermerët e vendit tonë.
Drejtori i qendrës, zoti Adrian Doko në fjalën e tij u shpreh se krahas këtij investimi të rëndësishëm sapo ka përfunduar faza e parë e ndërtimit të sistemit modern të ujitjes në bazën eksperimentale prodhuese, me kanale të nëndheshme dhe me ujitje të kontrollueshme, te realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Ky investim, u shpreh zoti Doko, do të përbëjë sistemin më modern të ujitjes të ndërtuar në vendin tonë.