Kryeministri Berisha: “Fiera Del Levante” në Shqipëri, ngjarje e madhe në raportet e shkëlqyera mes dy vendeve
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së edicionit të 8-të të “Fiera Del Levante”, në Shqipëri . Ky panair zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, nga 20 deri në 23 maj.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Rajonit të Puglias, Nichi Vendola, Presidenti i Fiera Del Levante, zoti Lacirignola, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, zoti Saba D’Elia, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë së të dy vendeve, sipërmarrës, etj.
Në përshëndetjet e tyre, përfaqësuesit italianë vlerësuan zhvillimet në Shqipëri dhe klimën miqësore ndaj biznesit, duke siguruar se sipërmarrësit italianë po bëhen çdo ditë e më shumë prezentë në Shqipëri, me bizneset e tyre në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, vlerësoi organizimin e këtij panairi si “një ngjarje të madhe në raportet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy brigjeve të Adriatikut, midis Shqipërisë dhe Italisë, midis Shqipërisë dhe rajonit të Puglias, që është dhe partneri italian më i rëndësishëm i vendit në gadishullit Apenin.
“Investimet italiane në Shqipëri po rriten çdo javë. Ky panair është një ngjarje e madhe jo vetëm për eksportin e produkteve italiane dhe pulieze, por sidomos për të njohur më mirë potencialet e vendit tim”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se tashmë Shqipëria është një vend i stabilizuar, një vend i sigurt, në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Duke falënderuar për mbështetjen italiane në rrugën e integrimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Berisha u shpreh: “kemi pasur një ndihmë me të vërtetë të çmuar nga Italia në të gjitha fushat, ndihmë e cila ka kontribuar në marrjen e ftesës për anëtarësim në samitin e Bukureshtit, nga ana e Shqipërisë”.
Më tej, Kryeministri vuri në dukje se qeveria shqiptare i është përmbajtur plotësisht objektivit të deklaruar prej tij, 3 vite më parë, në një bashkëbisedim me sipërmarrës italiane, në Romë, se Shqipëria do të bëhet vendi më tërheqës për investimet e huaja. “Qeveria ime ka punuar ditë dhe natë për të realizuar këtë objektiv të vështirë. Pasi kemi vendosur sigurinë dhe rregullin në mbarë Shqipërinë, sot vendi ka një indeks të kriminalitetit nën mesataren evropiane, duke u bërë një vend vërtetë i sigurt”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë drejtim, Kryeministri nënvizoi gjithashtu se qeveria ka filluar eliminimin e pengesave burokratike për biznesin dhe sot Shqipëria është një vend në të cilin çdo biznes regjistrohet në një sportel “One stop Shop” dhe me vlerë 1 euro, nga 42 ditë të nevojshme që duheshin më parë për regjistrimin e tij. Ka filluar puna edhe për vendosjen e “One Stop Shop” edhe për lejet dhe licencat, dhe po punohet për reduktimin e tyre, duke ndjekur standardet më liberale.
“Po aplikojmë “Shqipëria 1 euro” dhe çdo muaj lista po rritet. Ka investitorë të huaj dhe vendas që mund të kenë dhe kanë për 1 euro të gjithë kontratën e tokës për shfrytëzim bujqësor, turizëm ose industrial. Ka shumë tarifa 1 euro. Vendimi më i fundit është ai i para pak javësh, që çdo anije që prek brigjet tona do të paguajë vetëm një euro”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi edhe punën e madhe që është bërë për ta bërë Shqipërinë vendin me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Shqipëria sot është vendi me një taksë të të ardhurave 10 për qind nga 25 për qind që ka qenë më parë, me një taksë të të ardhurave personale 10 për qind, nga 23 për qind që ka qenë më parë, taksën e kontributit shoqëror të ulur në 31 për qind. Në dy ose tre javët në vijim, do të ketë disa thjeshtësime të tjera në sistemin tonë fiskal. Kështu, do të zbresin, nga 23 taksa kombëtare në 6 taksa kombëtare.
“Me ambasadorin D’Elia kemi inauguruar fabrikën Cotonella në Shkodër, ku sipërmarrësit italianë më kërkuan të bëj lobing pranë qeverisë turke, në mënyrë që Turqia të ratifikojë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Shqipërinë. Dhe kjo u bë, Turqia e ratifikoi këtë marrëveshje, që do të thotë se ndërmarrjet që importojnë lëndën e parë nga Turqia për të prodhuar në Shqipëri, do të kenë 12 për qind më pak taksa”, tha Kryeministri.
Kryeministri siguroi se qeveria po punon për realizimin e të gjitha standardeve, duke vlerësuar se çdo përpjekje drejt liberalizimit është një hap drejt lirisë.
“Unë dua t’ju siguroj se qeveria shqiptare do të bëjë çdo gjë për të mbështetur projektet tuaja, sforcot tuaja”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria përfaqëson një potencial të madh energjetik, me më shumë se 2 miliardë orë energji elektrike të pashfrytëzuara. “Ne jemi vendi me lartësitë mesatare më të mëdha në Evropë dhe me brigje të gjata. Jemi një vend i njohur si eolik, ku shumë kompani italianë kanë pasur licencat për të ndërtuar parqe eolike. Vendi ka një breg të mrekullueshëm të pashfrytëzuar, burimet e mineraleve që janë të mirëkuotuara në tregjet botërore dhe kanë një perspektivë shumë të mirë, si në shfrytëzimin e kromit, nikelit, bakrit, me të cilin Shqipëria është nga më të pasurit në Evropë”, nënvizoi Kryeministri.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Berisha i siguroi investitorët italianë se “historia e investimeve të huaja në Shqipëri do të jetë një histori suksesi”
Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të pranishme në këtë panair vijnë nga rajoni i Puglia-s, por edhe nga zona të tjera, të cilat paraqiten me një ofertë të gjerë në aksesorë, rafinitura për ndërtimin, sisteme të sigurisë, material elektrike, shërbime për ndërmarrjet, produkte agroushqimore, mobilje, transport, mbrojtjen e kulturave, detergjente industrialë dhe energji të burimeve të rinovueshme. Gjithashtu, janë të përfshira në këtë aktivitet dhe institucione dhe Ente të tjera si Ministria e Politikave Bujqësore, Ushqimore dhe e pyjeve, Unioni i provincave të Puglia-s, Fiera del Levante me Shërbimet dhe Instituti Agronomik i Mesdheut në Bari. Gjithashtu, në panair përfaqësohet edhe Banka Italiane e Zhvillimit dhe revista italo-shqiptare Porta e Ballkanit.
Gjatë panairit, do të organizohen, sipas kërkesave të pjesëmarrësve, edhe takime biznesesh, seminare, workshop-e, debate dhe konferenca për shtyp, për të përditësuar mundësitë e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve.