Kryeministri Berisha: Qëndrimi në mbrojtje të hebrenjve, qëndrim jo vetëm i qytetarëve, por i të gjithë faktorëve shqiptarë
Nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha dhe Institutit Ndërkombëtar për Kërkimet e Holokaustit (Yad Vashem), u zhvillua sot në Tiranë Konferenca “Shqipëria, shqiptarët dhe holokausti një çështje e jashtëzakonshme në kontekst”. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha tha se kjo Konferencë kujton një nga zhvillimet më tragjike në historinë e njerëzimit, Holokaustit, proces nga i cili shqiptarët, për traditën dhe virtytin e tyre, dolën krenarë, pasi nuk morën pjesë në këtë proces barbar.
“Dëshiroj t’ju përgëzoj shumë përzemërsisht për organizimin e kësaj Konference, në të cilën ju trajtoni ndoshta momentin më tragjik të historisë së njerëzimit, Holokaustin, barbarinë për të zhdukur një komb vetëm e vetëm nga pozicione raciste, pavarësisht nga kontributet e tij thelbësore në tërë historinë e njerëzimit. Nga ana tjetër, Konferenca ka si qëllim të theksojë e të nxjerrë në pah qëndrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët, në këtë periudhë, absolutisht ndër më të zezat në ndërgjegjen e qytetërimit dhe të njerëzimit, ndonëse ishin një vend i pushtuar nuk morën pjesë në këtë proces. Por e kundërta është e vërtetë. Shqiptarët i trajtuan dhe i mbrojtën anëtarët e komunitetit hebre në Shqipëri, apo që erdhën nga vende të tjera, njësoj sikundër t’i kishin anëtarë të familjeve të tyre, duke vënë para çdo gjëje tjetër virtytin e tyre, ndoshta më të arrirë shpirtëror, besën, por edhe të tolerancës fetare dhe atë ndëretnike që karakterizon kombin tonë.”
Kryeministri nënvizoi se qëndrimi në mbrojtje të hebrenjve nuk ishte vetëm qëndrim i qytetarëve, por ishte i të gjithë faktorëve shqiptarë që, në përmbajtje të këtij virtyti të lartë shpirtëror të tyre, i strehuan dhe nuk lejuan përndjekjen e tyre.
“Përpjekjet dhe qëndrimi shqiptar, - u shpreh Kryeministri - për të shpëtuar qytetarët hebrenj nga ai gjah i pashembullt, në të cilën humbën jetën mbi 6 milion fëmijë, të rinj e të reja, të moshuar, burra e gra, qytetarë evropianë, vetëm e vetëm për përkatësinë e tyre hebreje, nuk ishte vetëm qëndrim i qytetarëve. Ndaj shpresoj që historia të ndriçojë të gjitha aspektet e këtij qëndrimi. E vërteta është se ky ishte qëndrim i të gjithë faktorëve shqiptarë që, në mënyra të ndryshme, nuk lejuan gjahun ndaj hebrenjve, por iu përmbajtën parimit, sipas të cilit, për shqiptarët, pas Zotit, miku është institucioni kryesor i tij dhe i tyre."
Kryeministri tha se historia e marrëdhënieve midis dy kombeve tona duhet të ndriçohet.
“Studimet arkeologjike faktojnë se ngulimet hebreje në Shqipëri kanë qenë një realitet i hershëm. Burime të ndryshme pohojnë se pas spastrimit të tyre nga gadishulli Iberik, mijëra e mijëra hebre ndër trevat e perandorisë Otomane erdhën edhe në trevat e Shqipërisë. Fisnikët shqiptarë, të cilët, sot, shndrisin në kurorën e marrëdhënieve midis dy kombeve e vendeve tona, për shumë vite e dekada mbetën tërësisht në harresë. Pas çlirimit të Aushviçit, shumë nga kombet që kontribuuan në fitoren mbi nazizmin, më vonë përjetuan regjimet më të egra në tërë historinë së tyre të brendshme, luftën e egër klasore. Shqipëria, por edhe vende të tjera, u mbushën me gulagë e kampe përqendrimi, u vendosën në një hiperkolektivizëm që kishte rezultante masive mjerimin e ekstrem, vdekjen nga uria dhe pasoja të tjera të tmerrshme.”
Kryeministri e konsideroi përkujtimin e Holokaustit një moment tejet të rëndësishëm jo vetëm kujtimi, por edhe reflektimi për mbarë njerëzimin, për paqen dhe dinjitetin njerëzor.
“Holokausti është një moment i thellë reflektimi të domosdoshëm dhe jetik, për të pasur një të ardhme në paqe, dinjitet dhe liri. Për të mos pasur shkarje drejt asaj psikologjie dhe atyre instrumenteve komplekse, pjesëmarrjes të padenjë dhe jo të kufizuar në këtë proces, është e domosdoshme të rikujtojmë për të nderuar viktimat, por edhe t’i rikujtojmë për të pasur një të ardhme të sigurt.”
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë edhe për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike midis Shqipërisë dhe Izraelit.
“Në këto 17 vite, Shqipëria ka zhvilluar marrëdhënie të gjithanshme me vendin dhe kombin mik. Vizita politike të nivelit më të lartë dhe shkëmbimet në të gjitha fushat janë dëshmi e këtyre marrëdhënieve,” u shpreh Kryeministri.
Në këtë Konferencë, një organizim i përbashkët e Fakultetit të Historisë në Universitetin e Tiranës dhe Universitetit Bar-Ham të Izraelit, ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kongresit Botëror i Hebrenjve, ambasadori Mordechai Arbell, ambasadorja e Izraelit Amira Arnon, historianë, stuiues vendas e të huaj, diplomatë dhe përfaqësues të medias.