Këshilli i Ministrave miraton planin afatmesëm të veprimit të programit “Brain Gain” 2008-2009
- Identifikohen 20 vende në administratë me gradën “Doktor Shkencash”
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi planin afatmesëm të veprimit të programit “Brain Gain”, për periudhën 2008-2009. Plani i veprimit ka për qëllim përshpejtimin e ritmit të punës dhe krijimin e një klime nxitëse, për realizimin e objektivave “Brain Gain”, një nismë kjo e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me UNDP-në për të tërhequr të gjithë ata që kanë mbaruar studimet në universitetet jashtë vendit për të dhënë kontributin e tyre në vend.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij u shpreh se kjo është një reformë e cila do të vazhdojë. “Kjo është një reformë nga e cila nuk do të hiqet dorë asnjëherë. Janë identifikuar rreth njëzet pozicione në administratë që kërkojnë nëpunës me gradën “Doktor Shkencash”, por kjo ende është një shifër e ulët. Mendoj se duhet të jetë më shumë, sepse për këtë arsye u miratuan rreth 400 vende të reja për pedagogë në universitete”, u shpreh kryeministri.
Në kuadër të përpjekjeve serioze që qeveria po bën për të investuar mbi dijen, Kryeministri përmendi edhe Fondin e Ekselencës për të mbështetur me bursë ata të rinj që do të fitojë të drejtën e studimit në një nga dhjetë universitetet më të kuotuara të botës.