E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron ministrat e rinj me rastin e fillimit të detyrës

-          Kryeministri Berisha: Reformimi i sistemit arsimor dhe konsolidimi i tij mbeten jetike për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe si i tillë është përparësi e qeveris.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha uroi 3 anëtarët e rinj të qeverisë, Zëvendëskryeministrin Genc Pollo, Ministrin e Arsimit Fatos Beja dhe Ministren e Shëndetësisë Anila Godo për fillimin e detyrës së re. 

Duke uruar zotin Pollo për detyrën e re e të rëndësishme të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet për punën e kryer gjatë periudhës që zoti Pollo drejtoi Ministrinë e Arsimit për reformimin e sistemit arsimor.

“Shqiptarët sot, janë të vetëdijshëm se shkollat dhe sistemi arsimor është një nga sektorët që ka ndryshuar më shumë në këto tre vjet. Kështu, u vendos matura shtetërore, një standard shumë i rëndësishëm për vendin. Një arsim modern dhe praktikë e re kjo, tërësisht e pacenuar nga korrupsioni, zëvendësoi praktikën e korruptuar të pranimeve në universitete. Gjithashtu u bënë përpjekje serioze për reformimin e arsimit të lartë dhe sukseset janë të qartë. Ky sistem u vu mbi baza ligjore bashkëkohore, u ngrit Këshilli i Arsimit të Lartë, një institucion shumë i rëndësishëm këshillimor për zhvillimin e shkencës dhe të arsimit. Projekti i shtrirjes së internetit në të gjitha shkolla po ecën më shpejt sesa ishte parashikuar. Si në asnjë vend tjetër të Europës, rrogat e arsimtarëve po shkojnë drejt dyfishimit. Është krijuar Fondi i Ekselencës dhe Fondi i Brain Gain. Të gjitha këto, janë një seri risish thelbësore.”

Kryeministri theksoi se reformimi i sistemit arsimor dhe konsolidimi i tij mbeten jetike për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe si i tillë është përparësi e qeverisë, duke shprehur bindjen se zoti Fatos Beja në detyrën e Ministrit të Arsimit do të çojë përpara procesin e reformave të këtij sistemi. 

“Zoti Fatos Beja, një nga politikanët më të sprovuar, por njëkohësisht një personalitet background universitar dhe që e njeh arsimin, do të vazhdojë thellimin e këtyre reformave të rëndësishme. Reformimi i arsimit, konsolidimi i tij është jetik për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Në këtë drejtim, jam i bindur se zoti Beja do të shtyjë përpara këtë proces.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›