Kryeministri Berisha: Rritja e kontributit të sektorit privat në arsim, garanton cilësinë dhe zhvillimin e sistemit arsimor
- Fuqizimi i arsimit profesional dhe përshtatja e arsimit me kushtet e tregut, sfidat e mëdha të sistemit arsimor shqiptar
Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se rritja progresive e kontributit të sektorit privat në fushën e arsimit është i domosdoshëm për garantimin e cilësisë dhe zhvillimit të sistemit arsimor.
“Një nga drejtimet themelore është dhe duhet të mbetet thellimi progresiv dhe i shpejtë i kontributit, pjesëmarrjes dhe rolit të sektorit privat në fushën e arsimit. Kjo është dhe mbetet një nga drejtimet më të rëndësishme për garantimin e cilësisë dhe zhvillimin e këtij sistemi. Duke studiuar praktikat më të mira të sektorit arsimor privat, me kurajë ne duhet të ecin drejt kësaj rruge,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri konsideroi se një nga sfidat e mëdha të arsimit sot është fuqizimi i arsimit profesional në funksion të përshtatjes së tij me kushtet e reja të tregut.
“Një nga problemet madhore dhe sfidat e mëdha është përshtatja e arsimit me tregun. Kjo përshtatje kalon së pari, nëpërmjet fuqizimit dhe drejtimit profesional të tij. Arsimi profesional ka një rënie të madhe, por këto vitet të fundit ka marrë kthesën e vërtetë reale. Shqipëria duhet të arrijë standardet e vendeve të BE-së në raportet arsim i përgjithshëm-arsim profesional. Ana tjetër është përshtatja e të gjitha degëve dhe fakulteteve me kushtet e reja të tregut.”
Në këtë drejtim, Kryeministri përshëndeti themelimin e Akademisë Profesionale në Durrës, si një institucion jashtëzakonisht të rëndësishëm në përmbushjen e këtij qëllimi.
“Konsolidimi i kësaj Akademie dhe shtrirja e këtij koncepti dhe shembulli në disa universitete në vend është i domosdoshëm. Në Shqipëri, ka pasur një rënie të madhe të numrit te nxënësve të shkollave të mesme, por kjo rënie është kapërcyer falë një pune shumë serioze, në një kohë kur tre vjet më parë, mendonim, në një dilemë, të zotoheshim për arsimin e mesëm të detyrueshëm. Por kjo po bëhet e panevojshme, sepse numri i nxënësve po rritet me shpejtësi dhe sot është mbi 80 për qind,” u shpreh Kryeministri.
Duke nënvizuar se pavarësisht këtyre arritjeve, sërish nuk jemi të kënaqur, Kryeministri theksoi se qeveria është angazhuar në ndërtimin e një zinxhiri konviktesh të reja në disa rrethe të thella të vendit, në mënyrë që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9-vjeçare, nga çdo zone apo fshat i vendit, t’u jepet mundësia të studiojnë aty ku janë shkollat e mesme.