Kryeministri Berisha: Ky vit, viti i suksesit kulmor të reformave të qeverisë
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha sot se ky vit do të jetë viti i suksesit kulmor të reformave të qeverisë.
“Duhet të jetë në dinjitetin dhe detyrimin tona ndaj qytetarëve shqiptarë, që këtë vit ta shndërrojmë në vitin e suksesit kulmor të reformave tona. Asnjë nuk do të mund të falej, nëse ritmi i këtyre reformave jetike për vendin do të dobësohet dhe nëse kufiri i tyre nuk do të ecë çdo ditë e më përpara,” u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga ministrat që të paraqesin në qeveri në javën e fundit të gushtit buxhetin për vitin 2009.
“Unë nuk mund të mohoj se është vit elektoral, por do të ishte e pafalshme që ne të mos dyfishonin përpjekjet dhe disiplina buxhetore e fiskale të mos vazhdojnë të jenë të konsoliduara dhe të pacenuara nga klima elektorale. Ky do të jetë zotimi ynë. Qeveria ia ka dalë të ketë sot investime publike 9 për qind të GDP-së, pothuajse 2-fish e qeverive të mëparshme. Kjo ka ndodhur sepse asnjë prej tyre nuk ka trashëguar një rrjet kaq të keq rrugësh, sa kemi trashëguar ne. Sikundër asnjë nuk ka trashëguar sistem të tillë ujësjellësish, si ne. Por ne ia dolëm që të përformojmë në mënyrë të tillë dhe të arrimë që 32 për qind të buxhetit ta shndërrojmë në investime publike. Kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk po ndodh vetëm këtë vit. Në rast se qeveria do të luajë rolin e lektorit të zhvillimit të vendit, do të duhen disa vite të tjera, investime të tilla. Kjo është koha e rrugëve. Koha tjetër do të jetë koha e ujësjellësve. Pra, janë shumë detyra bashkë që ne do të duhet t’u zgjidhim qytetarëve shqiptarë. Ajo që nuk duhet toleruar dhe që do të jetë etalon kryesor i vlerësimit të gjithsecilit do të jetë buxheti dhe disiplina fiskale,” u shpreh Kryeministri.