Këshilli i Rregullores vijoi sot diskutimet për votimin e dekreteve të Presidentit Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë

Zhvillohet mbledhja e katërt e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe imunitetet, ku vijoi diskutimi mbi përmbajtjen e propozimit të një grupi deputetësh për një ndryshim në Vendimin nr.166, datë 16.12.2004. Anëtarët e Këshillit ndanë të njëjtin mendim, duke e konsideruar votimin e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, si një votim jo formal por substancial. Ata theksuan se parimi i transparencës, si përgjegjësi politike ushtrohet përmes votimin të hapur. Çdo deputet duhet të ushtrojë e të mbajë përgjegjësinë e votës së tij. Duke sjellë modele të votimit të anëtarëve të Gjykatave në SHBA dhe në vende të ndryshme të Evropës, anëtarët e Këshillit thanë se transparenca në votimin e kandidaturave është një instrument thelbësor parlamentar. Deputetët propozues thanë se ky përmirësim i Rregullores vjen si rezultat i një procesi dinamik dhe një eksperiencë parlamentare të këtyre viteve, si një domosdoshmëri për të ndjekur plotësisht frymën e Kushtetutës dhe mbi të gjitha, për të rritur transparencën dhe nivelin e përfaqësimit cilësor në sistemin e drejtësisë. Këshilli i Rregullores do të vijojë diskutimin në mbledhjen e ardhshme.