E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sigurimit dënoi masakrën në Siri

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar vrasjet e më shumë se 100 personave në një qytet të Sirisë.

OKB tha se të paktën 108 vetë u vranë dhe 300 u plagosën të premten në sulmet në Houla, pranë qytetit Homs.

Këshilli i Sigurimit, në një deklaratë të lëshuar pas takimit urgjent, theksoi se “në sulme është përfshirë përdorimi i armëve të rënda nga qeveria siriane”.

Deklaratat u lexuan nga zëvendës ambasadori i OKB-së nga Azerbejxhani, Tofig Musajev.

"Anëtarët e Këshillit të Sigurimit i dënojnë në fjalët më të forta të mundshëm vrasjet që janë konfirmuar nga vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara, ku përfshihen dhjetëra burra, gra e fëmijë dhe qindra të tjerë të plagosur në fshatin Houla, afër Homsit. Në sulme janë përdorur armë të rënda nga qeveria siriane”, tha Musajev.

Këshilli ka "dënuar vrasjen e civilëve nga të shtënat nga një distancë të afërt dhe po ashtu ka dënuar abuzimet e rënda fizike”.

Në deklaratën e lëshuar, është thënë se “ata që janë përgjegjës për vrasjet ,duhet të mbajnë përgjegjësinë” dhe është kërkuan nga presidenti sirian, Bashar al-Assad, që t’i tërheqë armët e rënda nga qytetet siriane.

Ndërkohë, opozita siriane tha se të paktën 30 vetë u vranë të dielën, kur ushtria bombardoi qytetin qendror Hama, por këto deklarata nuk kanë mundur të verifikohen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›