Kaos në Vatikan
_322289.jpg)
Hetimet e Vatikanit për të zbuluar njeriun, i cili ka bërë publike dokumente të fshehta, prodhuan rezultatin e parë me arrestimin e shërbëtorit të Papës, por hetimet po rrëshqasin në një skandal, i cili ka turpëruar Selinë e Shenjtë, pasi që janë zbuluar dëshmi për luftën e brendshme për pushtet, për intriga dhe korrupsion në nivelet më të larta të kryesimit të kishës katolike.
Arrestimi i shërbëtorit Paolo Gabriele, njëri nga anëtarët e personelit shërbyes të Papës, e ka zhytur Selinë e Shenjtë në kaos, në momentin kur Vatikani po hyn në fazën kritike në përpjekjet për t’i dëshmuar botës se respekton normat ndërkombëtare për transparencë financiare.
Rrëmuja filloi me publikimin javën e kaluar të një libri, në të cilin janë përfshirë dokumente që kanë rrjedhë nga Vatikani, përfshirë këtu edhe korrespondencat, shënimet dhe shkresat e Papës dhe të sekretarit të tij privat. Ajo vazhdoi të enjten, me shkarkimin e kryetarit të Bankës së Vatikanit dhe kulminacioni u arrit me konfirmimin se vetë shërbëtori i Papa Benedictit XVI dyshohet të ketë ushqyer me dokumente gazetarët italianë, në përpjekje për të diskredituar njeriun numër dy të Papës.
“Po ta kishit shkruar si fiksion, askush nuk do ta besonte këtë. Asnjë botues nuk do të ju lejonte që këto gjëra ti përfshini në libër”, deklaroi Carl Anderson, anëtar i bordit të Bankës së Vatikanit, e cila i kontribuojë rrëmujes, me votën e mosbesimit për kryetarin e bankës, Ettore Gotti Tedeschi.
Banka, e njohur si Instituti për Punë religjioze, lëshoi një shkresë, në të cilën përmenden arsyet e shkarkimit të Tedeschit. Në të thuhet se ai vazhdimisht i është shmangur mbledhjeve të bordit, nuk ka kryer punën si duhet, ka dështuar që të mbrojë bankën, ka polarizuar personelin dhe në vazhdimësi ka pasur sjellje të gabuara personale.
Bordi ka fajësuar Tedeschin edhe për rrjedhje të informata dhe nuk ka dhënë shpjegim për humbjen e dokumenteve, të cilat kanë qenë në posedim të tij.
Tedeschi deri me tani nuk ka komentuar publikisht shkarkimin e tij apo arsyet, duke theksuar se ka së tepërmi respekt për Papën sa për ta bërë këtë. Ai nuk është arrestuar, duke ju shmangur fatit të Gabriele.
Ky 46 vjeçar po mbahet nën arrest që nga e mërkura, pasi që hetuesit e Vatikanit zbuluan dokumente të selisë së shenjtë në banesën e tij. Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi, theksoi se Gabriele është takuar me avokatët e tij dhe se hetimet po zhvillohen brenda sistemit juridik të Vatikanit.
Gabriele, shërbëtori personal i Papës që nga viti 2006, është parë shpesh publikisht përkrah Papës. Lombardi theksoi se arrestimi i Gabrieles është një zhvillim pikëllues për gjithë personelin e Vatikanit.
“Të gjithë e njohin në Vatikan dhe qartazi se ka befasi dhe dhimbje”, theksoi Lombardi.
Skandali i quajtur “Vatileaks” ka dëmtuar rëndë Vatikanin, në kohën kur Vatikani po tenton t’i dëshmojë botës dhe komunitetit financiar se ka ndërruar faqen dhe se nuk është më parajsë e tatimeve e dërrmuar nga skandalet.
Dokumentet e Vatikanit, të siguruara muajve të fundit nga mediet, kanë minuar këto përpjekje, pasi që në to flitet për korrupsion në financat e Vatikanit, si dhe për grindjet e brendshme në lidhje me përpjekjet e Selisë së Shenjtë për të zbatuar normat ndërkombëtare për të luftuar shpërlarjen e parave dhe financimin e terroristëve.
Vatikani në korrik do ta kuptojë se a ka zbatuar kriteret për transparencë financiare, të përcaktuara nga Komiteti i Këshillit të Evropës, Moneyval-hap vendimtar ky për t’u përfshirë në “listën e bardhë” të shteteve, të cilat shkëmbejnë informata për të luftuar evazionin tatimor.
Skandali Vatileaks filloi në janar, kur gazetari italian, Gianluigi Nuzzi publikoi letrat, të cilat ish-administratori numër dy i Vatikanit ja kishte dërguar Papës, në të cilat ju lut që mos të transferohet, pasi që kishte ekspozuar një rast të korrupsionit. Prelati Carlo Maria Vigano tani është ambasador i Vatikanit në SHBA.
Nuzzi, javën e kaluar publikoi veprën “Shenjtëria e Tij”, në të cilin paraqiten edhe korrespondencat personale mes Papës dhe sekretarit të tij, në shumicën prej të cilave njeriu numër dy i Papës, Kardinali Tarcisio Bertone, portretohet si një njeri negativ.
Nuzzi thotë se dokumentet i janë ofruar nga shumë burime në Vatikan dhe se nuk ka paguar asnjë cent për to.
Nuzzi nuk pranoi të thotë se a i ka ofruar dokumente edhe Gabriele.
Anderson thotë se është i sigurt se Vatikani do ta përballojë këtë stuhi dhe se Banka e Vatikanit do të lëvizë përpara, nën kryesimin e një udhëheqësi të ri. (AP)