E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sigurimit diskuton të hënën për Kosovën

Të hënën mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Në këtë seancë do të diskutohet për zhvillimet që kanë karakterizuar Kosovën gjatë tre muajve të fundit, ndërsa pritet që edhe njëherë t’u bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ulen në tryezën e bisedimeve për çështje teknike.

Kosova në këtë seancë do të përfaqësohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i cili të shtunën ka udhëtuar për në New York.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në fjalën e tij Ministri Hyseni do të paraqesë zhvillimet dhe arritjet e Kosovës gjatë periudhës mes dy mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit.

Ndërsa raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit do ta paraqesë përfaqësuesi i tij special në Kosovë, italiani Lamberto Zannier.

Në muajt e fundit bashkësia ndërkombëtare ka shpeshtuar thirrjet në drejtim të Kosovës dhe Serbisë për bisedime të reja për çështje teknike. Këto bisedime janë mbështetur edhe nga ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Philip Gordon, i cili gjatë vizitës së tij në Prishtinë ka thënë se Shtetet e Bashkura janë të gatshme të lehtësojnë bisedimet teknike, nëse palët pajtohen për zhvillimin e tyre.

Edhe Prishtina është shprehur e gatshme për bisedimet të këtij karakteri ndërsa ka përjashtuar çdo mundësi bisedimesh për statusin final.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në selinë e OKB-së, Ministri Hyseni do të zhvillojë një varg takimesh me përfaqësues të përhershëm të vendeve të ndryshme në OKB, kryesisht të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme këto takime kanë për qëllim lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›