Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendos sot për paqeruajtësit në Liban

Këshilli i Sigurimit pritet të votojë sot për zgjatjen e mundshme të mandatit të forcës paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor, të cilin Franca, ashtu si Bejruti, dëshiron ta rinovojë për një vit, por ideja shihet me armiqësi nga Izraeli dhe SHBA-të.
15 shtetet anëtare, të përhershme dhe jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit filluan bisedimet një javë më parë mbi projektrezolutën e përgatitur dhe të paraqitur nga Parisi dhe që synonte rinovimin e mandatit të afërsisht 10,800 helmetave blu (anëtarë të forcave të armatosura të Indonezisë, Indisë, Italisë, Ganës dhe madje edhe Nepalit), të cilët u vendosën fillimisht në kufijtë e Izraelit dhe Libanit në mars të vitit 1978.
Teksti i projektrezolutës, parashikon rinovimin e mandatit të UNIFIL deri më 31 gusht 2026, ndërsa në të njëjtën kohë shpreh qëllimin e Këshillit të Sigurimit për të punuar drejt tërheqjes së helmetave blu.
Votimi vjen ndërsa Bejruti është zotuar të çarmatosë dhe shpërbëjë krahun ushtarak të lëvizjes shiite Hezbollah, e cila është e afërt me Iranin, deri në fund të këtij viti, nën presionin e SHBA-së dhe si pjesë e zbatimit të armëpushimit që i dha fund luftës dy-mujore midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në nëntor 2024.
/rtsh.al/