E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Situata në vend është e qetë dhe stabile

PRISHTINË-Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën shqyrtoi situatën e sigurisë në vend. Kryeministri i Republikës së Kosovës, kryesuesi i Këshillit të Sigurisë të Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se situata në vend është e qetë dhe stabile, por herë pas here e karakterizuar me tensione politike, të nxitura nga individë dhe grupe ekstremiste, të cilat kanë për qëllim të ndikojnë në mosnjohjen e realitetit të krijuar politik në Kosovë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson inkurajues faktin që numri i këtyre veprimeve të dhunshme dhe antikushtetuese ka shënuar rënie. Këto veprime kanë mbetur dhe vazhdojnë të mbeten veprime të izoluara dhe pa ndikim.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerësoi lart veprimet e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante të sigurisë për punën e mirë dhe profesionale, që kanë bërë në luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar.

Në takimin e sotëm të Këshillit të Sigurisë së Kosovës u veçuan aktivitetet të cilat mbeten edhe më tej shqetësuese për qytetarët e Kosovës, si: kultivimi dhe kontrabandimi me substanca narkotike, posedimi ilegal i armëve tek qytetarët dhe rritja e numrit të vrasjeve, si dhe aksidentet në komunikacion që po rezultojnë me fatalitet.

Për eliminimin e të gjitha aktiviteteve joligjore Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkoi angazhim shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia e Kosovës, si dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, si KFOR-in dhe EULEX-in në gjetjen e autorëve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.

Në këtë takim u diskutua edhe për procesin e bisedimeve ndërshtetërore Kosovë – Serbi, si dhe për rëndësinë e këtij procesi për normalizimin e raporteve në mes dy shteteve.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës po ashtu i rekomandoi Qeverinë e Republikës së Kosovës që t’i trajtojë me prioritet të lartë të gjitha aktivitetet dhe obligimet që dalin nga procesi i negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›