Gjata: Votat në kutitë e gabuara përfshihen në rezultat
Ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, pohoi se fletët e votimit që janë gjetur në kutitë e gabuara përfshihen në rezultat. Në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, Gjata sqaroi se çështja e këtyre fletëve rregullohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas nenit 123 të Kodit Zgjedhor. “Nuk mundet që një veprim administrativ t’i mohojë zgjedhësit të drejtën kushtetuese të votës. Këto fletë votimi rregullohen nga KQZ, sipas nenit 123. Është KQZ-ja ajo që bën korrigjimet në tabelën përfundimtare të llogaritjes së rezultateve, duke përfshirë edhe këto fletë”, - tha ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata. Ai shpjegoi më tej se fenomene të tilla janë hasur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe, sipas tij, e drejta e qytetarit për të zgjedhur prevalon mbi gabimet administrative. “Në zgjedhjet lokale, të katërta fletët konsiderohen si të një kutie, të cilat ndahen për arsye teknike. Po sikur 100% e fletëve të hidheshin gabim, si i bëhet?”, - pyet Gjata, duke shtuar më tej se në këtë rast zbatohet direkt Kushtetuta, e se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në të drejtën e vet për t’i shpallur të vlefshme. Ish-kryetari i KQZ-së ka sqaruar edhe procedurat që po ndiqen për nxjerrjen e rezultatit për Tiranën, duke sqaruar se është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që shpall rezultatin, për arsyen se për Bashkinë nuk ka KZAZ. Sa i përket afatit për nxjerrjen e rezultatit, Gjata pohoi se Kodi e ka të përcaktuar qartë se kjo ndodh 48 orë pas dorëzimit të tabelave nga KZAZ-të. “Kur KZAZ-ja e fundit dorëzon materialet e fundit, në atë moment fillon afati i KQZ-së. Kodi e ka të përcaktuar qartë mënyrën sesi vepron KQZ-ja”, - thotë Gjata, duke shpjeguar se në asnjë rast nuk është respektuar nxjerrja e rezultatit në orën 17:00, një ditë pas zgjedhjeve.