Këshilli i shkeljeve
Korrupsioni dyshohet se ka depërtuar deri në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që është “qeveria” e të gjitha gjykatave të vendit. Madje abuzimet me para dyshohet se kanë mbërritur deri aty, sa të përfitohet edhe nga mbjellja e barit, drunjve, blerja e një gjeneratori, montimi i aparateve të klimave e deri te rinovimi apo ndërtimi i objekteve të gjykatave. Kështu të paktën del nga të dhënat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), e cila ka kryer auditimin e pasqyrave vjetore financiare të KGJK’së për vitin e kaluar.
Më shumë sesa të merret me të tjerët, KGJK është bërë vetë për hetime. Në dokumentin zyrtar të ZAP’it tregohet se shkeljet më të rënda janë gjetur në rastet që kanë të bëjnë kryesisht me prokurimin. Së paku në një rast dyshohet se janë keqpërdorur 18 mijë e 676 euro, për shkak se tenderi për furnizim me aparate të klimës dhe montim të tyre në gjykata, përkundër dy shkeljeve, i është dhënë një kompanie të cilës nuk i përmendet emri.
Kjo kompani ka fituar tenderin edhe pse në garë, sipas ligjit, është dashur të jenë së paku tre ofertues, kurse e shkelja e dytë është se konkurrentja e saj, edhe pse më e lirë për 18 mijë e 676 euro, është eliminuar me arsyetimin se nuk ishte profesionale.
Por, pas verifikimit të dokumenteve përkatëse, ZAP ka gjetur se kompania fituese, për punën e njëjtë, ka kërkuar 48 mijë e 621 mijë euro, kurse e diskualifikuara, përveç që ishte e specializuar për këtë punë, ka pasur ofertën vetëm 29 mijë e 945 euro.
Në një rast tjetër, sipas raportit, për furnizim me derivate, kontrata kompanisë së përzgjedhur i kishte skaduar më 10 shkurt 2010. Pavarësisht kësaj, KGJK ka vazhduar furnizimin me derivate pa kontratë nga e njëjta kompani deri mё 15 mars 2010. “Vlera e këtyre furnizimeve për periudhën pa kontrate ёshtё pёrafёrsisht 14 mijë euro“, shkruan në dokument.
Situatë më e mirë nuk është as në rastet e tenderëve për kryerjen e punëve që kanë të bëjnë me objektet e gjykatave. Kështu, te kontrata “Punë për largimin e gypave të ujësjellësit dhe zhvendosjen e mureve” në objektin e Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prizren, ZAP ka vërejtur se punët ishin kryer para se të zhvillohen procedurat e prokurimit.
“KGJK i ka zhvilluar procedurat e prokurimit me kuotim tё çmimit dhe ka nënshkruar kontratё me operatorin ekonomik, i cili paraprakisht kishte përfunduar punёt”, shkruan në dokument.
Në këtë rast, kontrata ёshtё nënshkruar më 8 dhjetor 2010, nё vlerё prej 9 mijë e 953 eurosh, kurse kërkesa nga kompania e caktuar, drejtuar KGJK’sё pёr kryerjen e pagesës për punën e bërë, mban datën 19 tetor 2010.
As tenderët për ndërtimin e objekteve të gjykatave duket se nuk kanë kaluar më mirë. ZAP ka gjetur shkelje lidhur me ndërtimin e objektit të Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prizren, ku Sekretariati i KGJK’së ka nënshkruar kontratё me kompaninë e caktuar në vlerë prej 595 mijë e 909 euro. Por, duket se kompania e cila e ka fituar tenderin, punët jashtë ndërtesës nuk i ka kryer fare, pavarësisht kontratës.
“Sipas nenit 4 tё kontratës, firma duhej të ofronte sigurimin e vend ndёrtimit. Gjatё testimit tё dokumenteve, kemi vërejtur qё fituesi nuk ka ofruar sigurimin e vendin e ndёrtimit. Mё tutje, gjatë ekzaminimit fizik të objektit, kemi vërejtur qё disa nga pozicionet e parapara me kontratën bazë (rrafshimi i oborrit, mbjellja e barit dhe drunjve dekorativë, punimi i skarës dhe oxhakut) nё vlerë totale prej 2 mijë e 93 euro nuk janë përfunduar, ndërsa KGJK i ka paguar të gjitha obligimet ndaj OE’së që ka ndërtuar objektin”, sqarohet në dokument.
Përveç kësaj, në rastin e ndërtimit të objektit të gjykatave në Gjilan – për fazën e parë, ZAP ka gjetur parregullsi të tjera, ku Sekretariati i KGJK’së i ka paguar kompanisë më shumë para sesa që është dashur. “...Janë paguar 167 mijë e 111 euro, kurse në bazë të rishikimit dhe rillogaritjeve të pagesave, kemi vërejtur se vlera e saktë pёr pagesë ka qenë 155 mijë e 718 euro ose 11 mijë e 393 euro”, shkruan në raportin e publikuar të hënën nga ZAP.
Keqmenaxhimi i organit përkatës të KGJK’së ka arritur deri në atë pikë, sa madje edhe një tender që ka të bëjë me blerjen e një gjeneratori të mos bëhet ashtu siç duhet.
“Blerja e agregatit nё vlerë prej 15 mijë e 550 eurosh për Gjykatën Supreme të Kosovës është bërë nga kodi ekonomik i Mallrave dhe Shërbimeve (që vlen për gjërat nën vlerën e 1 mijë eurove). Ndërsa, ky është një investim në pasuri kapitale, e cila do të duhej të bëhej nga kodi 31690- pajisje të tjera. Arsye për kёtë, sipas KGJK’së, ishte se kjo ka qenë një nevojë urgjente dhe nuk ka pasur mjete të mjaftueshme në kategorinë Investime kapitale”, thuhet në raportin e ZAP’it.
Por, KGJK ka kryer edhe disa veprime të mira gjatë vitit 2010. Sipas ZAP-it, dobësi janë identifikuar në disa fusha të menaxhimit financiar, por raporti tregon se në auditimin e pasqyrave vjetore pёr vitin 2009 janë dhënë nёntё rekomandime kryesore, prej të cilave, për vitin 2010, katёr janë implementuar plotësisht, dy janë nё proces të implementimit, ndërsa tri të tjera nuk janë adresuar fare.
Raporti më tej thekson se bazuar në të dhënat, KGJK ka shpenzuar buxhetin brenda limiteve tё përcaktuara nga Kuvendi. Megjithatë, dokumenti sqaron se kryerja e shpenzimeve dhe pagesat e shumta në muajin e fundit të vitit paraqet ngarkesë për zyrtarët e financave dhe prokurimit. Kjo mund të shpjerë deri te lëshimet eventuale gjatë zhvillimit tё procedurave të prokurimit dhe kontrollit të pagesave. Në dokument përmenden edhe disa sqarime të KGJK’së, për raste të caktuara, por të cilat nuk ndikojnë në ndryshimin e të gjeturave të ZAP’it.