E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltarët e LDK-së akuzojnë zyrtarët arsimorë për 800 orë mësimi të humbura

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike në legjislativin e Rahovecit, nëpërmjet këshilltares Marigona Berisha, kanë akuzuar zyrtarë arsimorë për 800 orë të humbura mësimi në ciklin e ulët dhe të lartë të shkollës fillore të mesme të ulët “Heronjtë e Kosovës” në fshatin Hoçë e Vogël. Tre mësues dhe një edukatore prej tetorit çdo të premte vijojnë studimet për rikualifikim në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë, ndërkohë që mësimdhënësit e tjerë bëjnë mungesa ditore. Drejtori i shkollës ka mohuar pohimet e Berishës si të pavërteta dhe tendencioze.

“Katër mësues për çdo të premte mbajnë vetëm nga një orë mësimi me lejen e drejtorit të shkollës, kurse orët e tjera i lëshojnë. E dimë se MASHT-i ka dhënë pëlqimin që katër mësues të vazhdojnë studimet dhe të avancohen, por jo të bëhet në dëm të fëmijëve”, ka thënë këshilltarja Berisha. Sipas informatave që ajo i ka, janë humbur 368 orë mësimi, pastaj nga mosmbajtja e orëve të pesta nga gjysma e tetorit deri më 18 shkurt janë humbur rreth 280 orë, duke i përfshirë edhe mungesat ditore të arsimtarëve që janë rreth 200 orë, ndaj totali arrin 800 orë të humbura. Pos kësaj, Berisha e cila bazën e këshilltares në Hoçë të Vogël, ka ngritur shqetësimin edhe për gjendjen aktuale në këtë shkollë, për dobësitë dhe lëshimet që po bëhen në dëm të fëmijëve, siç janë mungesat e shumta të trupit arsimor, raportet jo të mira kolegjiale midis mësimdhënësve dhe sulmet fizike midis këtyre të fundit. Nga ana tjetër, Ilmi Elshani, drejtor i kësaj shkolle, duke iu përgjigjur kritikave ka mohuar kategorikisht pohimet e këshilltares Berisha. Sipas Elshanit, pohimi se janë bërë mungesat e shumta të trupit arsimor nuk është i vërtetë.

”Janë tre mësues dhe një edukatore, të cilët çdo të premte shkojnë për rikualifikim në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë. Dhe nuk është e vërtetë se mbajnë nga një orë, sepse këta shkojnë në ligjërata pas orës së dytë e cila përfundon në ora 14:25. Ndaj, orët tjera të këtyre 3 mësimdhënësve janë përkujdesur dhe përkujdesen mësimdhënësit e tjerë të klasave përkatëse, kështu që nuk kemi orë të humbura”, ka potencuar drejtori Elshani.

Edukatorja ka punuar vetëm në një ndërrim me të dy grupet e fëmijëve dhe asgjë nuk ka humbur.

”Prandaj, pohimi se janë humbur rreth 280 orë është i pabazë, ashtu siç është i pabazë edhe deklarimi (Berishës), se janë rreth 200 orë të humbura nga mungesat ditore të mësimdhënësve. Në fakt, për shkaqe shëndetësore, raste vdekjeje apo për ndonjë arsye tjetër, deri më tani 131 mungesa janë me arsye, kurse pa arsye 26 orë”, ka sqaruar Elshani. Ai ka bërë me dije se çështja e shkuarjes së mësimdhënësve në ligjërata për rikualifikim, nuk është çështje e drejtorit të shkollës, as e DKA-së, por qëndrim i MASHT-it për të gjitha shkollat në Kosovë. Drejtori ka mohuar edhe pohimet e Berishës se në ndërresën e dytë, orët e pesta të mos jenë mbajtur nga gjysma e tetorit e deri më 18 shkurt.

”Gjatë dimrit për shkak të motit të lig dhe mungesës së ndriçimit të rrugës kryesore, me kërkesë të prindërve, për shkaqe sigurie, nxënësit të përfundojnë mësimin pas orës së katërt. Në marrëveshje me mësimdhënësit në dhjetor dhe janar nxënësit të lirohen, kurse orët e pesta të pambajtura, të kompensohen në muajin mars dhe prill, gjë e cila është duke u bërë”, ka deklaruar Elshani, sipas të cilit janë 126 orë të pesta të edukatës fizike, lëndëve zgjedhore dhe edukatës qytetare, të cilat janë duke u kompensuar dhe nuk do të ketë asnjë orë të humbur. Ky drejtor shkolle, ka akuzuar babin e kësaj këshilltareje, Jemin Berisha, mësimdhënës dhe ish-drejtor shkolle.

”Të gjitha parashtresat janë hartuar nga prindi i saj, për arsye të heqjes së një mëditjeje për muajin janar i cili ka munguar pa arsye. Këtë e ka pranuar edhe para arsimtarëve në Këshillin e klasave të mbajtur më 23 mars 2013”, ka thënë Elshani. Ky i fundit, ka mohuar se marrëdhëniet kolegjiale janë të këqija dhe ka pasur sulme fizike midis mësimdhënësve. ”Raste të tilla absolutisht nuk ka pasur deri tani. Po ashtu edhe raportet kolegjiale, në përgjithësi janë të mira, por që mund të ketë ndonjë përjashtim”, është

shprehur ai. Ndërkaq, i apostrofuari Berisha, nuk e ka mohuar se sherri të ketë qenë heqja e mëditjes nga drejtori për mungesë në mësim.

”Është e vërtetë se kam munguar duke mos e njoftuar drejtorin”, ka pohuar shkurt ai. Gazeta ka provuar të marrë opinione nga arsimtarë shkolle në lidhje me pohimet e Berishës dhe mohimet e Elshanit në lidhje me sulmet fizike të arsimtarëve dhe raportet kolegjiale të tyre, por ata kanë refuzuar të flasin për këtë gjë.

Drejtoresha e Arsimit, Besa Hoxha-Beqiri, ka hedhur poshtë pohimet e këshilltares Berisha, për numrin e madh të orëve të humbura. ”Nuk është e vërtetë se të premteve është mbajtur vetëm një, por dy orë mësimi nga mësimdhënësit që shkonin në rikualifikim në FE të Gjakovës. Orët e tjera janë mbajtur nga mësimdhënës tjerë klasorë, kurse orë të tjera po kompensohen nga vetë mësimdhënësit klasorë”, ka potencuar ajo. Sipas Berishës, edhe mosmbajtja e orëve të pesta gjatë muajve dhjetor dhe janar do të kompensohet për një muaj e gjysmë.

Ndërsa, kreu komunal, Smajl Latifi, thotë se do të kërkojë nga DA-ja të formojë Komision për të analizuar gjendjen në këtë shkollë.

Legjenda: Tre mësues dhe një edukatore prej tetorit çdo të premte vijojnë studimet për rikualifikim në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë, ndërkohë që mësimdhënësit e tjerë bëjnë mungesa ditore./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›