Këshilltarët e LSI-së në Korçë paralajmërojnë votën kundër projektbuxhetit të Bashkisë
Nuk ka llogaridhënie se ku shkruan paratë për vitin 2008
TIRANE - Këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në këshillin Bashkiak të qytetit
të Korçës kanë paralajmëruar votën e tyre kundër projektbuxhetit për vitin 2009. LSI ka ngritur pretendime lidhur me transparencën e investimeve të 2008-ës, ndërkohë që sipas përfaqësuesve të saj politikë në këshill, synohet që të debatohet për të përmirësuar shërbimet dhe investimet gjatë vitit në vazhdim.
Përfaqësuesi i këshilltarëve të LSI, Riza Ashimi ka argumentuar se 3 ditë më parë është kërkuar nga kjo forcë që miratimi i buxhetit të vitit 2009 të shtyhet për disa ditë më vonë, për arsye se nuk kishte asnjë të dhënë për rezultatet e vitit 2008. Kryetari socialist i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi është shprehur se loja politike e LSI-së rrezikon të sabotojë buxhetin me pasoja për vetë qytetarët.
“Nëse ky buxhet nuk do të miratohet, për shkak të synimeve të partive për të grumbulluar një kosh me vota, do të sjellë një reagim qytetar ndaj politikes së vjetër”, ka pohuar Peleshi.
Kalimi i buxhetit varet nga tre vota që ka Lëvizja Socialiste për Integrim në këshill. Në kushtet kur balancat janë 18 këshilltare të së majtës me 17 të krahut të djathtë, mjafton edhe një votë për të vënë në dilemë miratimin e këtij buxheti.