Liderët e BE në Davos: Vlerësim reformave, mbështetje për aplikimin e statusit të kandidatit dhe mirëkuptim për lëvizjen pa viza për qytetarët shqiptarë

Kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së shprehën mirëkuptimin e tyre për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti dhe vullnetin për të proceduar me shpejtësi në liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Ky vullnet është shprehur nga drejtues shtetesh e qeverish të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në takimet e tyre me Kryeministrin Berisha.
Gjatë qëndrimit në Davos, ku po zhvillon punimet Forumi Ekonomik Botëror, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin e Belgjikës, Kryeministrin e Danimarkës, Presidentin e Lituanisë, Presidentin e Letonisë, Kryeministrin e Suedisë si dhe me personalite të tjera të politikës europiane.
Gjithashtu Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në takimin privat të zhvilluar me praninë e të gjithë kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik të Davosit.
Ndryshe nga vitet e tjera, kur ky takim zgjaste rreth 2 orë, këtë herë takimi zgjati mbi 4 orë dhe në të u diskutua për gjetjen mënyrave për të dalë nga kriza.
Në këtë takim Kryeministri Berisha tha se Shqipëria është një nga vendet e pakta që ende nuk është prekur nga kriza ekonomike globale dhe për më tepër nuk rrezikon të preket shumë. Duke prezantuar situatën ekonomike në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se ekonomia shqiptare në 9-mujorin e parë shënoi një rritje dyshifrore dhe në dy muajt e fundit Shqipëria arriti të nënshkruajë marrëveshje me vlerë 3.5 miliard euro në fushën e energjisë. Kryeministri theksoi se gjatë muajit janar u pa një tendencë e rritjes së kursimeve.
Ky takim u dominua nga optimizmi dhe besimi për gjetjen e rrugëve të duhura për daljen nga kriza brenda një kohe sa më të shkurtër.
Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel shprehu optimizmin se Gjermania do të dalë shpejt nga rënia ekonomike duke evidentuar domosdoshmërinë e transparencës së plotë në tregjet private botërore. Ndërsa kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Braun e vuri theksin në domosdoshmërinë e një bashkëpunimi të sinqertë dhe transparent, i cili do të nxjerrë ekonomitë nga kriza për të reformuar dhe rigjallëruar institucionet financiare ndërkombëtare të ngritura që në vitin1949.
Roli i Europës në arenën botërore ka qenë në qendër të diskutimeve gjatë darkës së punës ku merrnin pjesë liderët europianë.
Kryeministri Berisha, i ftuar të mbante një fjalë përshëndetëse gjatë kësaj darke, u shpreh se Bashkimi Europian për Shqipërinë është një projekt-ëndërr që bazohet në tre shtylla: projekt i parezistueshëm, i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, që do të ndryshojë pozitivisht petkun social të Europës.
Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian shprehën vlerësimet e tyre për reformat e ndërmarra në Shqipëri dhe mbështetën aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Gjithashtu Përfaqësuesit e lartë të BE-së shprehën mirëkuptimin e tyre për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, në vazhdën e plotësimit të kërkesave dhe standardeve të kërkuara.
Gjatë darkës Kryeminstri Berisha bisedoi gjithashtu me analistin e njohur amerikan Farid Zakaria lidhur me krizën botërore. Kryeministri e cilësoi babëzinë njerëzore si një nga shkaqet kryesore të kësaj krize të paprecedent.
...