E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët e PD-së kërkojnë shkarkimin e Ramës nga bashkia



Kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak, Ferdinand Poni: Kryebashkiaku Edi Rama ka kryer shkelje të vazhdueshme dhe krime të rënda

Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Tiranës, anëtarët e Partisë Demokratike do të kërkojnë shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Edi Rama për abuzime me lejet e ndërtimit. Kjo bëhet e ditur në një deklaratë për shtyp nga grupi partiak i PD-së në këtë këshill.

Kërkesa

“Grupi i këshilltarëve demokratë do të kërkojë në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Tiranës shkarkimin tuaj nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Këshilli Bashkiak i Tiranës do të të shkarkojë ty për dëmet dhe krimet monstruoze ekonomike, dhe jo vetëm kaq, por do të kërkojë rivendosjen e normalitetit dhe vendimmarrjet e tua që kanë dëmtuar rëndë qytetin e Tiranës, siç është rasti i tokës dhënë besnikut tënd tek parku “Rinia” etj., etj.”.

Në deklaratën për shtyp, Partia Demokratike, grupi i këshilltarëve në Këshillin e Bashkisë Tiranë u shprehën gjithashtu: “Opinioni publik është njohur me fakte të pakundërshtueshme që vërtetojnë kapjen e Ramës nga kupola e krimit ekonomik”.

“Rama ndodhet në një pozitë të mjerueshme, për shkak të krimit dhe shkatërrimit të Tiranës; kur tjetërsonte në favor të Besnik Sulës mbi 1300 m katrorë truall publik; kur tjetërsonte për llogari të z. Peza e grupit të tij rrugën publike të marrë me qera; kur ndërtonte në binomin Rama - Delijorgji apo Delijorgji - Rama një qytezë të tërë me mbi 50 pallate; kur tjetërsonte, nënshtronte e shkatërronte mbi 500.000 m katrorë pjesë të territorit të Tiranës”.

Argumenti

Në cilësinë e kryetarit të grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak, Ferdinand Poni, njëkohësisht zv.ministër i Brendshëm, argumentoi dhe akuzoi Ramën për nënshtrim ndaj interesave abuzive të mafies së ndërtimit. "Rama është inspirues i shkatërrimit urban të Tiranës, shkelje flagrante të ligjit, si dhe abuzime monstruoze me pronën publike dhe interesave të qytetarëve të kryeqytetit”. Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Tiranës mblidhet si rregull jo më shumë se një herë në muaj. Ai numëron 55 anëtarë, 18 prej të cilëve i ka PD, 21 PS, 6 LSI, 2 PR, 1 PAD, 1 BLD, 1 LZHK, 1 PAA, 1 PBDNJ, 1 PDI, 1 PSD, 1 PDK.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›