E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një problem për marrëveshjet ndërkombëtare



Një nga sukseset dhe argumentet më të forta që u përdorën fushatën e kaluar zgjedhore ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ose MSA-së ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shqipërisë. I shtyrë nga ndërgjegjja qytetare për të kuptuar përfitimet reale të Shqipërisë prej nënshkrimit të saj, por dhe i nxitur nga puna ime si këshilltar pranë Gjykatës Kushtetuese, vendosa të lexoj me vëmendje këtë marrëveshje. Gjatë leximit konstatova se MSA kontribuon dukshëm në modernizimin dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të komuniteteve evropiane, madje e bën këtë përafrim një detyrim të mirëfilltë për shtetin shqiptar. Mes shumë të tjerave, MSA përmban dispozita shumë të rëndësishme të karakterit substancial, edhe mbi të drejtën e konkurrencës. Këto dispozita marrin vlerë të rëndësishme për faktin se komunitetet evropiane janë ndërtuar rreth idesë së një bashkimi ekonomik, një tregu të përbashkët me rregulla dhe të drejta konkurrence të ngjashme. Gjatë leximit të dispozitave të MSA-së mbi konkurrencën më tërhoqi vëmendjen pika 2 e nenit 71 të kësaj marrëveshjeje. Në këtë dispozitë parashikohet se “Praktikat në kundërshtim me këtë nen vlerësohen në bazë të kritereve që lindin nga zbatimi i rregullave të konkurrencës të aplikueshme në komunitet, sidomos në nenet 81, 82, 86 dhe 87 të Traktatit themelues të Komunitetit Evropian dhe instrumenteve interpretuese që përdoren nga institucionet e Komunitetit”. Dispozita, përmbajtja e së cilës është mjaft e qartë, është e pamundur të zbatohet nga gjyqësori shqiptar. Arsyeja është e thjeshtë: mungon një përkthim ligjor dhe me fuqi detyruese të neneve 81, 82, 86 dhe 87 të Traktatit themelues të Komunitetit Evropian!

MSA në asnjë pjesë të saj nuk përmban përkthimin zyrtar të këtyre neneve dhe ky përkthim nuk është përfshirë në asnjë akt të botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, duke krijuar kështu një boshllëk të mirëfilltë ligjor.

Publikimi i akteve normative është kusht i domosdoshëm për hyrjen e tyre në fuqi. Arsyeja logjike që e bën të domosdoshme vetë publikimin është që shtetasit të njihen me aktet normative në mënyrë që t’i zbatojnë ato. Rrjedhojë logjike e kryerjes së formalitetit të publikimit është parimi i përgjithshëm i së drejtës që askush nuk mund të pretendojë se nuk është në dijeni të ligjit (Nemo censetur legem ignorare). Por, përtej arsyes logjike publikimi i akteve normative është detyrim kushtetues, bazuar në nenin 117 të Kushtetutës. Paragrafi 3 i këtij neni të Kushtetutës parashikon se: “Marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen me ligj, shpallen dhe botohen sipas procedurave që parashikohen për ligjet”, dhe ligjet, bashkë me aktet normative të Këshillit të Ministrave sipas po këtij neni duhet të botohen në Fletoren Zyrtare që të hyjnë në fuqi. Këtë detyrim kushtetues e vlerëson po kaq qëndrimi i mbajtur në mënyrë të qartë nga Gjykata Kushtetuese që në vitin 2001. Siç është shprehur kjo gjykatë në vendimin nr. 206 të vitit 2001 në lidhje me mospublikimin e një vendimi të Këshillit të Ministrave, akti normativ që nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare: “[...]sipas Kushtetutës nuk ka marrë fuqi juridike, Gjykata Kushtetuese thekson se ky akt, që në momentin e hyrjes së tij, nuk krijon dhe as mund të krijojë pasojat juridike për të cilat është nxjerrë. Një akt i tillë nuk ka fuqi detyruese ndaj subjekteve apo personave të cilëve u drejtohet dhe këta ose çdo organ tjetër kanë të drejtë të mos përmbushin detyrimet apo urdhërimet që rrjedhin prej tij, pa qenë nevoja që për pavlefshmërinë e aktit, të shprehet patjetër ndonjë organ shtetëror”.

Jo vetëm kaq, por ky detyrim për marrëveshjet ndërkombëtare ritheksohet edhe në nenin 122 të Kushtetutës që parashikon se: “Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik, pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur nuk është e vetëzbatueshme dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji”. Por tek sjell këtë shqetësim, jam i prirur të sjell dhe një zgjidhje që të jetë konstruktive. Cilësia e një debati vlerësohet, në radhë të parë, nga analiza që i bëhet problemit dhe më pas nga zgjidhja që kjo analizë prodhon. Në këtë optikë zgjidhja më e shpejtë dhe efikase e këtij problemi mbetet nxjerrja e një akti ligjor në zbatim të nenit 122 të Kushtetutës në të cilin do të bëhej përkthimi zyrtar i këtyre neneve.

Mungesa e këtij përkthimi ka shkaktuar një boshllëk ligjor që duhet mbushur. Rruga e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk mund të pengohet nga grimca të tilla të vogla që prekin konkurrencën, pra një nga shtyllat kryesore të këtij bashkimi. Kjo mangësi ligjore reflekton edhe njëfarë mungese serioziteti nga ana jonë. Tanimë kanë kaluar mbi 3 vjet nga botimi i MSA-së dhe ende ky boshllëk nuk është mbushur. Por më mirë vonë se kurrë thotë populli!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›