E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltarët e majtë: Basha tu tregojë shqiptarëve të Amerikës për vrasjet e 21 janarit

Share

Vizita e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në Amerikë dhe deklaratat e tij atje kanë ngjallur indinjatë tek grupi i këshilltarëve socialistë në këtë bashki. Në një deklaratë të mbajtur nga kreu i grupit të këshilltarëve, Aldrin Dalipi, i kërkohet Bashës që të mos jetë cinik me të vërtetën dhe të mashtrojë shqiptarët e Amerikës apo zyrtarët amerikanë duke folur për bëma në krye të bashkisë, kur në të vërtetë në bilanc ka vetëm shkatërrimin e disa punëve të mira të nisura më parë. Duke iu referuar një takimi që Basha ka sot në konsullatën shqiptare në Washington me shqiptarë që banojnë atë, Dalipi i këshillon Bashës të jetë i sinqertë për 21 Janarin dhe për karrierën e tij politike që i ka shpëtuar gjykimit për vjedhjen e miliona eurove.

Kryetari i emëruar i bashkisë së Tiranës së bashku me gjithë stafin e tij po bëjnë turizëm. Jo vetëm që nuk janë në krye të detyrës, por mbi të gjitha po bëjnë reklamën e punëve të pabëra apo të prishura që nga themelet që kur Basha rrëmbeu mandatin me votat e grabitura brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po shpërdoron taksat e qytetarëve dhe në mënyrën më të turpshme, ai që do u dëgjonte zërin nuk denjon as të japë llogari për abuzimin miliona euro me sheshin Skënderbej apo me shthurjen e planit urbanistik të hartuar nga studio me përvojë dhe të njohura ndërkombëtarisht, shqetësim ky edhe i Presidencës së Bashkimit Europian, thotë Dalipi. Sipas kryekëshilltarit socialist, Lulzim Basha duhet të gjejë guximin e tu shpjegojë atyre shqiptarëve që do të mblidhen për ta dëgjuar në konsullatë sesi i shpëtoi gjykimit për vjedhjen dhe abuzimin prej 200 milion eurosh në rrugën Durrës Kukës me procedurë, pasi nuk pati guximin që të përballej me këto akuza. Por mbi të gjitha le tu shpjegojë atyre akuzën më të rëndë që i rëndon mbi supe: sesi, në 21 Janar 2011, në kohën kur ai ishte ministër i brendshëm, Garda Republikane nën urdhrat e tij dhe të Sali Berishës, hapi zjarr dhe vrau në mes të bulevardit 4 qytetarë të pafajshëm, thekson ai në deklaratën për shtyp mbi vizitën e Bashës në SHBA.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›