E Diel, 1 Nëntor 2026

Kështu Besa hedh rrënjë në kategorinë e parë

Analizë përmes faktesh kokëforta, që tregon se verdhezinjtë e kanë nisur keq kampionatin e ri

 

4 ndeshjet e Besës

Besa-Gramozi 1-2

Ada-Besa 2-2

Besa-Kukësi 2-0

Mamurrasi-Besa 2-1

Besa e Kavajës e ka nisur në mënyrën jo të duhur kampionatin. E para, sepse i duhet të garojë në kategorinë e parë, të dytën për nga rëndësia në futbollin shqiptar, dhe e tjetra, sepse nuk po ngjitet në lartësinë e emrit të vet, edhe mes skuadrave modeste që e rrethojnë atje. Pas katër javësh kampionat, vendi i 12-të në klasifikim është shumë pak për verdhezinjtë, madje mjafton për tu rënë kambanave të alarmit.

Para se koha të ikë si pa kuptuar dhe mundësitë për rikthim në elitën e futbollit shqiptar të kësaj skuadre të sfumohen. 4 pikë (afërsisht 25 për qind e totalit) në po kaq ndeshje të luajtura deri më tani, tregojnë më së miri produktivitetin minimal të skuadrës së presidentit Bizhdili dhe të trajnerit Magani.

Fitoret dhe barazimet janë dy, po aq sa numëron humbjet, ndërsa golaverazhi ka ekuilibër, 6 gola të shënuar, aq sa edhe të pësuar. Duke shëtitur nëpër shifrat e verdhezinjve, nuk e ke të vështirë të hetosh problemin transfertë, tejet të pakapërdishëm në kategoritë inferiore të futbollit tonë. Për shkaqe të ndryshme, më së shumti ekstrasportive.

Por llogaritë e këtij sporti janë të qarta për cilindo: nuk mund të kapësh majat e kategorisë ku luan vetëm duke fituar në shtëpi. Kjo mjafton për të mbijetuar, por kurrsesi për tu rikthyer në elitë. Këtë gjë duhet ta dinë mirë edhe drejtuesit e Besës, të cilët deri më tani nuk kanë gjë në vijë.

Veteranët  Po të shikosh përbërjen e Besës, kupton se ka mbajtur nga sezoni i shkuar disa lojtarë kyç në formacionin e saj. Të tillë si Mihani, Dhëmbi, Poçi, pa harruar të rinjtë premtues, si Tragaj, Okshtuni, Hasa Çelhaka etj. Përforcim cilësor në sulm mund të konsiderohet edhe Bubeqi, i njohur për nuhatjen para portës, por edhe portieri E.Bakaj, për nivelin e kategorisë së parë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre fakteve, produktiviteti i skuadrës kavajase nuk është i duhuri. Çka u dëshmua që në javën e parë, kur u mund brenda në shtëpi nga Gramozi. Për të mos folur pastaj për lënien e pikëve në fusha modeste sportive, me rivalë po të këtij rangu, si Ada apo Mamurrasi. Me këtë ritëm, pritshmëritë duken negative, edhe pse është veçse fillimi i kampionatit.

Formacioni Trajneri Magani, që vinte në Kavajë me petkun e nënkampionit të vendit, me Flamurtarin, duket se nuk ka ende, as sot, një konkluzion përfundimtar për formacionin bazë. Këtë e tregojnë lëvizjet e shumta në të. Fjala vjen, në katër javët e deritanishme të kategorisë së parë, vetëm 4 lojtarë verdhezinj njohin aktivizim të plotë. Pra, kanë regjistruar nga 360 minuta lojë.

Ata janë: portieri Bakaj, Duka, G.Krasniqi dhe Poçi. Pas tyre, me më pak aktivizim vijnë: Fejzullahu me 348 minuta, E.Hoxha me 306 minuta, R.Dushku me 300 minuta dhe Mihani, me 294 minuta. Gjithsesi, rrethi i të përzgjedhurve të Maganit për formacionin në këto javë ka qenë i ngushtë.

Numri i të aktivizuarve, që nga ai me më pak kohë, 12 minuta, e deri tek të tjerët, me hapësirë të plotë, është 16 lojtarë. Kjo tregon se grupi në duart e trajnerit peqinas sështë dhe aq cilësor, apo i larmishëm. Si në të shkuarën e afërt, kur presidenti Bizhdili vinte në dispozicion të trajnerëve të vet thuajse dy skuadra të gatshme për lojë.

Çështje financash, apo mospëlqimi i lojtarëve të spikatur për të luajtur në kategorinë e parë? Ndoshta ekzistojnë të dyja. Aq më keq për pritshmëritë e tifozërisë së zjarrtë kavajase, që duan ta shohin sezonin tjetër në superligë skuadrën e tyre të zemrës.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›