Keta ftesë minatorëve, për takimin me "ACR", në Peshkopi
Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta ka ftuar minatorët, që nesër të jenë të pranishëm, në takimin që do të zhvillohet me përfaqësuesit e ACR-së, në Peshkopi.
“Sot kam pasur kontakte me ACR dhe nesër pritet një takim në prefekturë. I bëjë ftesë minatorëve, të zgjedhin vet përfaqësinë, që të jenë nesër të pranishëm”, u shpreh Keta.
Po ashtu ai i ka bërë thirrje palëve për të ruajtur qetësinë duke shprehur besimin për arritjen e një marrëveshjeje në takimin e ditës së nesërme.
“Përshëndes tolerancën që treguan minatorët duke kërkuar 20%. Është e drejta e minatorëve dhe ACR të kenë përfaqësuesit e tyre, e rëndësishme është të ulen palët e të bisedojnë për zgjidhjen”, vijoi ndër të tjera ai.
Kreu i Bashkisë së Bulqizës, deklaroi se gjendja e grevistëve nuk është e mirë, dhe nga dita në ditë po përkeqësohet.
Keta këmbënguli tek investimet që duhet të bëhen tek miniera e Bulqizës për përmirësimin e kushteve të punës.
“Duhet të këmbëngul tek investimet, ka kaq vite që nuk janë kryer investime në masën e duhur. Nëse nuk kryhen investime, nuk ka jetëgjatësi”, nënvizoi kryebashkiaku i Bulqizës.
Sipas tij, duhet të zgjidhet situata dhe të zgjidhen problemet që ka përcaktuar RISHM-i.