E Diel, 1 Nëntor 2026

Këtë javë pritet që Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë një ligj të ri për bankat

Kuvendi pritet të nisë këtë javë shqyrtimin e projektligjit të qeverisë që synon kompensimin e plotë të depozitave deri në 25 mijë euro ose shumën e barabartë në monedhën e huaj, në rast falimentimi të bankës. Sipas projektit të qeverisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) kompenson depozitat e siguruara kur autoriteti mbikëqyrës ndërhyn në bankën e siguruar, ose kur kjo e fundit likuidohet vullnetarisht. Në ligj thuhet se "Agjencia kompenson depozitën e siguruar në masën 100 për qind, por jo më shumë se 25 mijë euro. Kompesimi i depozitave fillon menjëherë pasi Agjencia njoftohet me shkrim për ndërhyrjen apo likuidimin vullnetar të bankës". Ndërkohë, në p/ligj janë parashikuar dhe afatet e kompensimit të plotë të shumave, duke mos lejuar shtyrjen e këtij procesi në një afat të tejzgjatur. Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, ASD-ja duhet të njoftojë të gjitha bankat apo kompanitë e tjera për ndryshimet në ligj si dhe për detyrimet që lindin prej tij. Referuar projektit të qeverisë, Autoriteti mbikëqyrës do të ketë detyra më të rrepta ndaj bankave, duke marrë dhe kompetenca për të ndërhyrë, në rast se vërehen shkelje apo problem. "Autoriteti gjithashtu mundet të urdhërojë bankën e siguruar për pushimin e menjëhershëm të veprimeve, të konsideruara si kundërvajtje dhe marrjen e masave korrigjuese. "Ai urdhëron bankën e siguruar që t’i paguajë Agjencisë fitimin e munguar për mospagimin në kohë të kontributit të primit", thuhet në projektligj. "Me këtë vendim garantojme 80 për qind të totalit të depozitave në vend", ka deklaruar kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë ku dhe u prezantua ky p/ligj. Vendimi i Këshillit të Ministrave synon të tërheqë në Shqipëri edhe kursimet e emigrantëve. "Është një vendim me impakt pozitiv për gjithë emigrantët që depozitojnë paratë në bankat e Shqipërisë, duke i pasur të sigurta në masën 25 mijë euro", ka sqaruar Berisha. Në ligjiin aktual shuma e garantuar e depozitave është 700 mijë lekë. Rritja e shumës deri në 25 mijë euro e rrit pragun afërsisht me katër herë. Rritja e kufirit të sigurimit të depozitave merret në një kohë kur vendet e zhvilluara po përballen me një krizë të rëndë financiare, e ardhur pas kolapsit të disa bankave. Ndërkohë, sistemi bankar në vendin tonë është konsideruar i shëndoshë dhe me imunitet ndaj kësaj krize. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha pak kohë më parë se qytetarët besojnë në sistemin shqiptar bankar dhe tregues është rritja e depozitave gjatë dy muajve të parë të këtij viti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›