FMN: Kriza e tejskajshme shmanget vetëm duke pastruar bankat

Bota është zhytur në një krizë ekonomike të tejskajshme dhe rimëkëmbja e saj nuk do të mund të arrihet deri sa sektori financiar të jetë pastruar plotësisht, deklaroi sot kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Kriza do të çojë miliona njerëz drejt papunësisë dhe varfërisë duke shtuar kështu rreziqet e trazirave sociale madje edhe të shpërthimit të luftërave, dhe për këtë arsye duhet një reagim dhe masa urgjente, deklaroi drejtori i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn. “Situata është e tejskajshme", deklaroi ai gjatë një takimi të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), një agjenci e Kombeve të Bashkuara që përfaqëson sindikatat, punëtorët dhe qeveritë për çështjet e punësimit. Strauss-Kahn e bën këtë deklaratë më pak se dy javë përpara një samiti të 20 vendeve të zhvilluara të botës (G20), që do të mbahet më 2 prill për të diskutuar lidhur me masat për përballimin e krizës ekonomike globale. Me përhapjen e krizës në vendet në zhvillim, miliona njerëz do të shkojnë drejt varfërisë dhe mjerimit, theksoi Strauss-Kahn. "E gjitha kjo do të prekë në mënyrë dramatike punësimin dhe, përveç punësimit, në disa vende të caktuara do të jetë burimi i trazirave sociale, kërcënimit të demokracisë dhe ndoshta në disa raste kriza mund të degjenerojë në luftë", parashikoi kreu i FMN-së.
...