E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Këtë vit realizuam reformat më të rëndësishme”

30-12-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha jep një pritje për anëtarët e qeverisë, në prag të Vitit të Ri
 
Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, dhanë një pritje koktej për anëtarët e qeverisë, me rastin e mbylljes së këtij viti dhe ardhjes së Vitit të Ri 2012.
Shefi i qeverisë falënderoi anëtarët e kabinetit për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre, në realizimin e reformave të mëdha, gjatë këtij viti.
Mirënjohje të veçantë, Kryeministri shprehu për të gjithë qytetarët shqiptarë, për punën dhe sakrificat e tyre gjatë këtij viti, për punonjësit e administratës, zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e tyre, duke i ftuar për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta, në çdo fushë, për realizimin e projektit më madhor: Shqipëria- vend i zhvilluar. “Dua ta nis këtë fjalë me një mirënjohje dhe falënderim shumë të përzemërt ndaj jush, për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer, luajal, të frytshëm e të suksesshëm që kemi pasur gjatë këtij viti pune intensive. Falënderim e mirënjohje për kontributin tuja, të bashkëpunëtorëve dhe ekipeve tuaja, në procesin e reformave të gjithanshme të ndërmarra gjatë këtij viti. Reforma, të cilat kanë bërë të mundur që ky vend i vogël, me një ekonomi jo të rëndësishme krahasuar me vendet e mëdha të zhvilluara, në një kohë të krizës më të thella që Europa ka njohur të performojë, të funksionojë normalisht, të mos njohë krizën dhe të realizojë me ambicie të gjitha objektivat e parashikuara në programin e saj, një vit më parë. Unë dua të falënderoj bashkëshortet tuaja, me bindjen më të thellë se pa mbështetjen tuaj nuk do mund të ishin realizuar këto objektiva që janë realizuar gjatë këtij viti. Ky ka qenë një vit shumë i rëndësishëm. Këtë vit, reformat strukturore, që duheshin ndërmarrë, ishin reformat më të rëndësishme në të gjitha fushat. Këtë vit, pesha e krizës europiane e botërore bëhej gjithnjë e më madhe. Ne ramë në një farë situate, ku dy partnerët tanë kryesorë përjetuan dhe përjetojnë vështirësi serioze nga kriza e euros dhe kriza e borxheve. Edhe këtë vit, sërish, ambiciet e projektet tona ishin shumë të mëdha, por mendoj se dy procese të mëdha e të rëndësishme patën vend këtë vit: Zgjedhjet lokale jashtëzakonisht të rëndësishme, në të cilat mbizotëroi Kushtetuta, kushtetutshmëria dhe u numërua çdo votë e qytetarëve shqiptarë para kamerave dhe dritës së diellit dhe një proces tjetër, edhe ky jashtëzakonisht i rëndësishëm, ishte Censusi që përbën fotografinë e vërtetë të realitetit shqiptar dhe tregues i tij më kryesor për vitin 2011. Në objektivat madhore të kësaj qeverie kanë qenë rritja e rrogave e pensioneve dhe këto objektiva u përmbushën plotësisht. Qeveria shqiptare është nga më të paktat qeveri në Europë e në botë që në këtë periudhë krize botërore vazhdon rritjen e ndjeshme të rrogave e pensioneve të qytetarëve shqiptarë. Në këtë periudhë u realizuan projekte të mëdha infrastrukturore, që, së shpejti, shndërrojnë në realitet ëndrra shekullore të qytetarëve shqiptare, siç është autostrada Tiranë-Elbasan dhe qindra e mijëra kilometra rrugë të tjera në të katër anët e vendit. Këtë vit, komunikimi i shqiptarëve, i cili dora dorës shndërrohet në një të drejtë themelore të qytetarëve, ka njohur nivele të paimagjinueshme më parë. Sot, Shqipëria renditet në telefoninë mobile në kuotat më të larta në Europë dhe e vërteta është se telefonia mobile e saj po shkon drejt teknologjive më të avancuara 3G dhe shumë shpejt 4G”, u shpreh Berisha.
Duke specifikuar rezultatet e qeverisë gjatë 1 viti kalendarik, Berisha cilësoi si sukses të veçantë reformën në sistemin shëndetësore, e cila sipas tij, do avancojë vitin e ardhshëm, drejt kompletimit të saj.
Arritjet janë të prekshme në çdo fushë, theksoi kryeministri, ndërsa specifikoi investimet e bëra në fushën e arsimit, mjedisit, mbrojtjes dhe rendit. Për kryeministrin Berisha viti 2011 ka qenë një vit i suksesshëm pasi janë përmbushur objektivat dhe një sërë reformash të gjithanshme. Berisha veçoi mbajtjen në shifrat 3.5 për qind të deficitit buxhetor si dhe ruajtjen e parametrave të stabilitetit makro-ekonomik më mirë se vendet e eurozonës. Falë reformave, theksoi kryeministri, Shqipëria mbetet jashtë krizës financiare botërore. Duke uruar anëtarët e kabinetit për vitin e ardhshëm, Berisha tha se 2012-a është një vit i veçantë, pasi është viti i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Kemi një vit tjetër intensiv. Një vit, i cili dallon nga çdo vit tjetër, sepse është viti i 100 vjetorit të pavarësisë. Është viti, në të cilin ne duhet të bëjmë gjithçka që Shqipërinë 100 vjeçare ta nusërojmë e nderojmë sa më mirë”.
Kryeministri u ndal dhe te rezultatet e Censusit “Shqipëria 2011”, ku vlerësoi se Shqipëria lë pas disa vende anëtare të OECD-së, në arritjet e shënuara 20 vitet e fundit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›