“Tirana ka buxhetin e saj pas dy vitesh, të majtët votë kundër, duke konfirmuar kapjen politike”
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku, deklaroi dje se Tirana do ketë buxhetin e saj ekonomiko-financiar, pas dy vitesh neglizhence dhe mungese serioziteti të administratës së kaluar. Gjatë një deklarate për mediat, Tabaku u shpreh se buxheti i vitit 2012-të, për Bashkinë e Tiranës u realizua me një konsultim të gjerë ku mijëra qytetarë u përfshinë në këtë proces përmes 11 takimeve të kryetarit të Bashkisë me banorët e 11 njësive vendore, përgjatë dy javëve të fundit. Por, ajo theksoi se disa anëtarë të këshillit bashkiak votuan kundër projektit, për hir të mbrojtjes së kultit të konfliktit politik. “Këshilli Bashkiak miratoi dje (pardje) buxhetin për vitin 2012, për herë të parë pas dy vitesh. Ky buxhet u realizua me një konsultim të gjerë dhe mijëra qytetarë u përfshinë në këtë proces përmes 11 takimeve të kryetarit të Bashkisë me banorët e 11 njësive vendore, përgjatë dy javëve të fundit. Kryetari i Bashkisë gjen rastin t’i falënderojë të gjithë qytetarët që morën pjesë në këto takime, për kontributin që dhanë dhe për kohën që shpenzuan, për të bërë të mundur që zëri i tyre të dëgjohet. Mbrëmë (parmbrëmë), për fat të keq, disa anëtarë të Këshillit Bashkiak zgjodhën të votojnë kundër këtij buxheti dhe kundër zërit të qytetarëve, thjesht për hir të konfliktit politik dhe axhendës personale. Konflikti politik ka penguar progresin dhe ecjen përpara për shumë gjatë, dhe ky konflikt nuk do të ndihmojë aspak për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë. Kryetari i Bashkisë do të kërkojë pareshtur konsensusin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, por vjen një moment kur kemi të bëjmë me dy zgjedhje; të ndihmojmë për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë duke punuar së bashku, apo të ndjekim axhendën e konfliktit politik. Çdo këshilltar do të duhet të vendosë vetë për rrugën që do të ndjekë”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se mazhoranca në këshill e kaloi buxhetin, duke krijuar mundësinë për më shumë investime në Tiranë, më shumë rrugë të rregulluara, më shumë shkolla, çerdhe e kopshte, më shumë ndihmë dhe asistencë për personat në nevojë. Ndër të tjera ajo falënderoi edhe qytetarët që kontribuuan dhe morën pjesë në konsultat me kryebashkiakun Lulzim Basha. “Ky buxhet krijon një bazë të fortë për një Tiranë moderne dhe europiane, për ta bërë qytetin tonë një vend më të mirë për të punuar, për të jetuar dhe për t’u shijuar”, theksoi më tej nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.
Fakti-Tirana me buxhet pas dy vitesh/Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvilloi të mërkurën mbledhjen e fundit për vitin 2011-të, ku sipas rendit të ditës ishin në shqyrtim tetë projekt-vendime, një prej vendimeve më të rëndësishëm ishte dhe buxheti i viti 2012-të. Kryetari i bashkisë, Lulzim Basha bëri një prezantim të projektbuxhetit si dhe iu përgjigj pyetjeve të këshilltarëve të majtë, në lidhje me draftin, të cilët i kërkuan shpjegime në lidhje me investimet dhe vlerën e tyre. “Shifra e investimeve kap shifrën prej 33për qind të 7 miliardë lekëve që është buxheti total. Kjo është 2 për qind më shumë se sa sasia më e madhe e investimeve që qyteti ka përfituar këto 20 vite. Këtë e bëmë në një vit të veçantë, në vitin e parë ku Bashkia e Tiranës fillon të shlyejë principialin dhe interesat e kredive të marra në 10 vitet e kaluara”, deklaroi Basha.
Ndërsa këshilltarja e majtë, Adriana Berberi ka thënë se konsultimet me publikun por edhe me kryetarët e njësive kanë qenë thjeshtë një fasadë. “Qytetarët e Tiranës nuk duan vetëm rrugë. Nuk ka pasur konsultim real me qytetarët e Tiranës, pasi ata kanë edhe nevoja të tjera. Ne nuk duhet të fillojmë historitë nga e para, por të vazhdojmë traditat. Qytetarët janë përdorur si fasadë këto dy javët e fundit. Atyre nuk i është kërkuar mendim në procesin e hartimit të buxhetit”, deklaroi Berberi. Kryebashkiaku Basha, pasi u ka kthyer përgjigje këshilltarëve është larguar nga salla e mbledhjes, ndërkohë që këshilltarët kanë vijuar diskutimet për buxhetin për më shumë se dy orë. Më pas projekt-vendimi kaloi për miratim dhe mori 29 vota, të koalicionit PD-LSI, ndërsa 25 këshilltarët e majtë prezent në mbledhje votuan kundër. Buxheti i 2012-ës po vjen pas dy vitesh bllokim, pasi kryeqyteti për 2010-2011 nuk ka pasur një draft buxhetor të miratuar, për shkak të neglizhencës dhe indiferentizmit të treguar nga administrata e kaluar bashkiake.