E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pas pak muajsh të skadon mandati, eja bëhu kryetar i Bashkimit të Pensionistëve Shqiptarë”

30-12-2011 / Gazeta 55

Lajmi/Partia e Pensionistëve, ftesë Bamir Topit

Nga korriku i vitit të ardhshëm, Bamir Topi s’do jetë më President i Republikës së Shqipërisë. Kjo, jo për faj të tij, apo të ndonjë tjetri, por se ashtu e parashikon Kushtetuta, që kreut të shtetit i skadon mandati 5 vite pas emërimit. Ende pa u mbyllur 2011-a, shqetësimi për fatin politik të Presidentit në 2012-ën, është jashtëzakonisht i madh. Prej afro dy muajsh në zyrën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi qëndron në pritje një kërkesë e Partisë së Bashkimit Popullor të Pensionistëve të Shqipërisë, drejtuar kreut të shtetit për t’u bërë kryetar i kësaj partie. “Më datën 15 tetor të këtij viti i kam dërguar Presidentit kërkesën time, ku i kërkojë edhe një takim. Në këtë takim kam qëllim të diskutojmë për situatën politike dhe t’i bëj një thirrje, më që ai ka deklaruar vet, se do të mbetet në politikë pas mandatit presidencial. Pra, ne dëshirojmë që të ishte në partinë tonë dhe pse jo kryetar i partisë tonë, që do të thotë kryetar i partisë së baballarëve dhe nënave të këtij kombi, e cila mbron jetën e fëmijëve dhe nipërve dhe mbesave të tyre, pra të gjithë popullit shqiptarë”, thotë kryetari aktual i kësaj partie Selami Jenisehri.
Kryesia e Partisë së Pensionistëve ja ka bërë këtë ofertë presidentit duke parë se atij i skandon afati pas pak muajsh dhe me bindjen se ai përfaqëson më së miri interesat e kësaj force politike.
“Ky është person i cili ka integritet absolut për të kryer këtë detyrë, ndershmërisht dhe absolutisht shumë mirë”, thotë Jenisehri.
I pyetur se përse e konsideron kreun e shtetit si kryetar ideal, kur ai është ende larg moshës së pensionit Jenisehri thotë, ai thotë se pavarësisht emrit, kjo parti ka vend për të gjithë. “Te partia jonë hyjnë fëmijët, nipat dhe mbesat dhe çdo qytetarë i Republikës së Shqipërisë. Ne mbrojmë jo vetëm pensionistët që kanë qenë anëtar të Partisë së Punës. Ne nuk na intereson se në çfarë partie ka qenë një pensionist, ne na intereson të mbrojmë jetën e tyre, na intereson të mbarojmë jetën e nipave dhe mbesave të gjithë pensionistëve, në gjithë vendin”, thotë Jenisehri.
Nga ana tjetër, kreu i Partisë së Pensionistëve thotë se vetëm kreu i shtetit aktual mund të bëjë një bashkim të kësaj force politike. “Ne na intereson të bashkohemi bashkë të gjithë dhe është Bamir Topi ai që e bënë këtë gjë”, thotë ai.
Kjo ofertë i vjen Presidentit Topi vetëm pak kohë pasi ai deklaroi publikisht se do t;i rikthehet politikës aktive me mbarimin e mandatit presidencial.
Nuk dihet nëse në se kreu i shtetit do ta marrë në konsideratë këtë ofertë, apo kërkesa e Partisë së Pensionistëve do të mbetet pa përgjigje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›