E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD lë për të dëshiruar

Një nga figurat e Partisë Demokratike i bashkohet korit në rritje të kritikëve ndaj mënyrës së qeverisjes

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Omer Stringa, shpjegon arsyet që, sipas tij, kanë vonuar procesin e zgjedhjeve të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike. Në një bisedë me “Korrierin”, ai analizon qeverisjen e djathtë gjatë këtyre tre viteve. Sipas Stringës, ajo që mund të thuhet për këtë qeverisje është se lë shumë për të dëshiruar, edhe pse ka punuar më shumë se qeverisjet paraardhëse. Një nga problemet që ai vëren gjatë bisedës, është se PD-ja ka harruar të vlerësojë kontributet e anëtarëve të saj, ndërsa ka emëruar në poste drejtuese edhe njerëz të cilët nuk kanë punuar për PD-në. Anëtari i kryesisë, i cili është edhe një nga figurat kryesore të kritikës brenda Partisë Demokratike, shpjegon se këto emërime kanë ardhur si pasojë e mungesës së konsultimeve me strukturat partiake. Në intervistën e mëposhtme, Stringa analizon rikthimin e figurave të hershme të Partisë Demokratike, imazhin e qeverisë dhe bëhet pjesë e debatit për vlerësimin e kontributeve të anëtarëve të PD-së.

-Procesi i zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike duket se është i vonuar. Cilat janë arsyet e kësaj vonese?

 “Në gjykimin tim, ristrukturimi i Partisë Demokratike duhet të kishte filluar shumë kohë më përpara, kjo për dy arsye themelore. E para, ne duhet të fillonin ristrukturimin e partisë, pasi të analizonim rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2005 dhe, e dyta, duhej ta ristrukturonim partinë për t’iu përshtatur sa më mirë gjendjes sonë në pushtet, që të perfeksiononte rolin e saj në mazhorancë dhe në qeverisje. Unë e kam thënë edhe më parë, që PD-ja ka qenë shumë e qartë në rolin e partisë opozitare, madje e them me bindje, që ne në opozitë e kemi luajtur mjaft mirë rolin e një partie opozitare, pavarësisht nga ulje-ngritjet e rolit tonë. Ndërsa në mazhorancë, unë gjykoj se roli i PD-së në qeverisje lë për të dëshiruar. Kjo në tre drejtime: së pari në punën e emërimeve; së dyti në drejtim të marketingut të partisë, të punëve të qeverisë së PD-së dhe, së treti, në drejtim të organizimit dhe përpunimit të vendimmarrje të mëdha politike që duhej të realizoheshin. Nisur nga ky fakt, ne kemi filluar ta riorganizojmë partinë, pavarësisht nga debatet e mëdha që janë bërë në media, por ristrukturimi i saj ka ngelur në vend për shkaqe objektive dhe subjektive”.

-Cilët janë shkaqet subjektive dhe ato objektive?

“Shkaku i parë subjektiv është se shumë njerëz me pushtet në PD kanë dashur të qeverisin pa institucionet e partisë. Institucionet e partisë janë të atillë, që në rast se do të kishte një konsultim me to, do të arrihej në emërime më të mira, do të kishim bërë vendimmarrjen më të mirë dhe nuk do të kishim arritur të bënim edhe mjaft gabime në emërimet tona. Ndërsa si faktor objektiv që ka penguar edhe ristrukturimin e PD-së, është edhe Kodi i ri Zgjedhor. Ndryshimet në Kushtetutë krijuan mundësitë për ndryshimin e Kodit Elektoral. Duke qenë se PD-ja është parti elektorale, padyshim që strukturat e saj duhet t’i përshtaten Kodit Elektoral. Nisur nga ky fakt, PD-ja e pret me interes Kodin e ri Zgjedhor. Megjithatë, çfarëdolloj organizimi të ketë partia, seksionet janë dhe do të jenë pjesa më e rëndësishme e PD-së. Mesa di unë, puna nëpër seksione ka filluar”.

-Pak më parë ju thatë se qeverisja në disa aspekte lë për të dëshiruar. Për cilët dikastere e keni fjalën?

“Mazhoranca e PD-së pothuajse gjatë tre viteve ka qenë një mazhorancë numerike. Asnjëherë nuk ka qenë një mazhorancë me filozofi qeverisëse. Në përgjithësi ne jemi të interesuar që të kemi numrat në parlament, sesa të kemi një filozofi në qeverisje. Po ta shikoni më konkretisht këtë, dy ministri më të rëndësishmet, siç ka qenë Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, nuk kanë qenë objekt i punës së PD-së. Jo për të larguar përgjegjësitë nga PD-ja, por fakti është që arsimi dhe shëndetësia gjatë këtyre tre viteve kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë probleme mjaft të rëndësishme, megjithëse kanë qenë prioritete”.

-Megjithatë, me ndryshimet e fundit qeveritare u rregullua pak...

“Pak a shumë rregullimi është bërë. Por problemi qëndron se mazhoranca duhet të jetë jo numerike, por duhet të jenë me një filozofi të qartë. Pra, Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk mund të realizojë punën e saj, në qoftë se nuk ka një koordinim me ministritë e tjera. E thënë ndryshe, Ministria e Shëndetësisë nuk mund të bëjë asgjë pa Ministrinë e Financave, pa Ministrinë e Pushtetit Lokal, nuk mund të bëjë asnjë pa Kryeministrinë etj. Pra, duhet një koordinim i punës. Shpeshherë qeverisja është parë me copa, ku secila parti nga mazhoranca e ka quajtur pronë të vet dhe ka filluar të bëjë punë me kuadrin e vet. Pra, njerëzit që kanë qeverisur nuk janë vendosur për të përmirësuar dhe për të ngritur punën në nivel më të lartë, por thjesht kanë vënë njerëz për të krijuar partinë e vet. E thashë edhe në fillim: nuk kanë qenë njerëz me aftësi për të kryer punën q iu është ngarkuar”.

-A mund të paraqitet Partia Demokratike në zgjedhjet e ardhshme me këtë imazh qeveritar?

“Çdo mazhorancë vjen në qeverisje me një program të sajin dhe gjatë katër viteve të qeverisjes, në thelbin e saj ajo do të ketë punën që ka bërë gjatë këtyre viteve. Për të vlerësuar punën e një qeverie, unë kam thënë që ka tre kritere. I pari, të krahasohesh me qeverinë paraardhëse. E parë me këtë sy, unë them me siguri të plotë që ne kemi qeverisur më mirë sesa qeveria paraardhëse, pavarësisht nga problemet që kemi. Kriteri i dytë është krahasimi i realizimeve tona me atë që kemi thënë. Po ta shohim në këtë drejtim, këtu lëmë për të dëshiruar. Nëse kemi realizime në të ardhura dhe tatime, kemi mungesa në realizimin e investimeve deri tani. Unë shpresoj që kjo të rregullohet. Jemi larg premtimeve në sistemin shëndetësor, larg premtimeve nga sistemi arsimor etj. Kjo tregon se në raport me kriterin e programit lëmë për të dëshiruar. Ndërsa një parti e vërtetë e djathtë e mat veten me kohë. Koha është kriteri më i rëndësishëm. Çdo parti që drejton, nuk ka punë me të tjerët, por ka punë me kohë. Sa më shumë ne të kalojmë kohë, aq më e mirë do të jetë qeverisja. Dhe unë e shikoj në raport me kohën, në shembullin më të thjeshtë. Rritja ekonomike prej 6 për qindësh është një rritje e vlerësueshme dhe e konsiderueshme për të thënë që ekonomia jonë ka ecur para. Po të bëjmë një llogari të thjeshtë: nëse ne vazhdojmë me ritmet 6 për qind, u afrohemi vendeve me nivel më të ulët ekonomik-social të vendeve të Komunitetit Evropian, si Rumania apo Bullgaria, dhe i bie me një përllogaritje të thjeshtë, që t’u afrohemi këtyre vendeve rreth viteve 2020-2025. Rritjet tona ekonomike duhet të jenë rreth 7 për qind e lart, që të pretendojmë të jemi në Komunitetin Evropian rreth viteve 2014-2014. Unë mendoj se në raport me kohën, na mbetet shumë për të bërë. Në lidhje me paratë jemi mirë, në lidhje me programin jemi mjaftueshëm, ndërsa në lidhje me kohën duhet të bëjmë shumë më shumë. Flas gjithmonë në aspektin ekonomik. Ndërsa për sa u përket të tjerave, pra funksionimit të shtetit ligjor, përgatitjes së vendit për zgjedhje, ristrukturimit të sistemit të gjykatave dhe pushteteve të tjera, gjykoj se jemi prapa dhe kemi shumë për të bërë”.

-Ju jeni një nga figurat e hershme të PD-së dhe keni parë largime dhe rikthime të njerëzve brenda saj. Si i shikoni rikthimet për të cilët po diskutohet kohët e fundit?

“Unë gjykoj se në Partinë Demokratike kanë ardhur ata që kanë qenë në PD dhe themeluesit e saj. Gjykoj që PD-ja duhet të jetë e hapur për këdo që kërkon të kontribuojë, e hapur për këdo që ka ide dhe e shikon partinë si instrument për të realizuar idetë e tij politike, ekonomike dhe organizative. Çështja është që njerëzit të vijnë në PD, por të vlerësohen në bazë të punës që bëjnë. Shpesh ne kemi bërë mekanizmin që kemi vlerësuar njerëz që jo vetëm që nuk kanë kontribuar për PD, por shpeshherë kanë punuar në krah të kundërt me interesat e saj. Unë do të falja dhe do t’i pranoja me kënaqësi edhe ata që kanë punuar kundër PD-së, por që janë persona me një nivel të lartë, ku qeverisja ka nevojë për prezencën e tyre. Ndërsa shpeshherë ne kemi marrë edhe persona të cilët kanë punuar dhe niveli i tyre nuk është i tillë që Partia Demokratike ka shumë nevojë për ta. Mund të them gjithashtu, që në PD ka me qindra dhe mijëra militantë intelektualë, të cilët kanë nivel të lartë dhe partia nuk ka qenë e aftë t’i mobilizojë gjatë këtyre tre viteve këto potenciale në të mirë të qeverisjes së vendit”.

-Në rast se këto rikthime realizohen, sa të mirëpritur janë ata nëse do të bëheshin pjesë e strukturave drejtuese të PD-së?

“Unë e thashë, çdo prurje e re ose e vjetër është e mirëpritur, sipas gjykimit tim, që secili të marrë atë që i takon në PD. Ose e thënë ndryshe, kur prurja të sjellë një sinergji pozitive dhe jo negative. Ne jemi të interesuar për prurje që sjellin frymë të re pune, frymë të re kritike, frymë të re idesh, por natyrisht PD-ja ka nevojë edhe për persona të zakonshëm, sepse edhe ata bëjnë punën e tyre”.

-Në fillim të këtij mandati qeverisës, kabineti qeveritar u mbush me të ardhur të rinj të Partisë Demokratike. Për këto tre vite qeverisëse, sa mendoni se janë vlerësuar figurat e hershme të PD-së?

“Çështja qëndron që qeverisja ka nevojë për lloje të ndryshme vlerash dhe individësh. Nuk është e thënë që pasi partia vjen në pushtet, personat që kanë punuar shumë për partinë të zënë poste të rëndësishme. Unë gjykoj që personat që kanë punuar për partinë duhet të zënë poste që i përshtaten nivelit, kulturës dhe aftësive për të bërë sa më mirë qeverisje. Problemi më i madh i partisë sonë ka qenë ai që ne kemi vendosur në poste drejtuese, në poste ekzekutive persona të cilët jo vetëm nuk kanë pasur vlerë në PD, por nuk kanë pasur aftësi për të bërë këtë punë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›