E Diel, 1 Nëntor 2026

KfW financon me 90 milionë euro dy projekte për energjinë

Dy projekte të rëndësishme të energjisë në vend do të realizohen falë financimit që banka gjermane KfW ka akorduar dje. Gjermania i ka akorduar Shqipërisë një shumë prej 90 milionë eurosh për dy projekte të rëndësishme, marrëveshjet për të cilat u nënshkruan nga ministri i Financave, Ridvan Bode, në një ceremoni në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë, në prani të Kryeministrit Sali Berisha. Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Gjermane në kuadër edhe të hapjes së zyrës rajonale të KfW për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ishin të pranishëm edhe zv.kryeministri Genc Pollo dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar. "Bashkëpunimi me vendet mike është mjaft i rëndësishëm në kuadër të ndryshimeve që po ndërmerr Shqipëria", - deklaroi Kryeministri Sali Berisha para nënshkrimit të dy marrëveshjeve të financimit për shërbime ekspertize për "Linjën e transmetimit 400 kv Tiranë-Prishtinë, Kosovë dhe "Unaza 110 kv për jugun e Shqipërisë", midis qeverisë shqiptare dhe bankës shtetërore gjermane “Kreditanstalt fur Wiederaufbau”, KfW. Kryeministri Berisha e cilësoi nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve, me vlerë rreth 90 milionë euro, si mjaft të rëndësishme, ndërsa shtoi se "suksesi i madh i projekteve gjermane është një garanci për suksesin e sigurt të këtyre dy projekteve për vendin tonë". "Ne do bëjmë çdo përpjekje që bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve të zhvillohet edhe më tej", - theksoi Kryeministri Berisha, duke shtuar se "çdo vend ka nevojë për ndryshim, por Shqipëria ka nevojë më shumë se asnjë vend tjetër në Evropë për shkak të trashëgimisë së saj të tmerrshme në të shkuarën". Duke shprehur mirënjohjen e popullit shqiptar për bujarinë e qeverisë dhe taksapaguesve gjermanë, Berisha theksoi se "në krye të kësaj bujare është KfW, e cila ka realizuar shumicën e këtyre projekteve, me rreth gjysmë miliard euro", ndërsa nënvizoi se hapja e zyrës rajonale në Tiranë është një ngjarje e rëndësishme për ne dhe rajonin. Ne jemi të kufizuar me dy vende mike si Maqedonia dhe Kosova, vende që e kanë jetik bashkëpunimin me njëri tjetrin, cilësoi Kryeministri, duke shtuar në këtë kuadër se "vetëm linja që financohet me Kosovën përbën një ndihmë për energjinë dhe për të dyja vendet dhe do të mundësojë optimizimin e përdorimit të energjisë, pasi burimet janë krejtësisht të ndryshme, duke vendosur në këtë mënyrë në një komandë të përbashkët sistemet energjetike". Duke iu drejtuar ambasadorit gjerman në vendin tonë, kreu i qeverisë tha se projektet e realizuara në Shqipëri, të cilat janë të përqendruara në nevojat me jetike të qytetarëve shqiptarë, si ujësjellës, kanalizime, arsim, energjetikë, bujqësi, kanë ndryshuar për mirë jetën e shqiptarëve. Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, i cilësoi projektet për ndërtimin e linjave Tiranë-Prishtinë prej 400 kv dhe "Unaza 110 kv për Jugun e Shqipërisë", si projekte me rëndësi strategjike për zhvillimin e Shqipërisë. "Qeveria shqiptare dhe ajo gjermane kanë rënë dakord për sektorët kyç të bashkëpunimit dypalësh, ndërsa projekti për ndërtimin e linjave Tiranë-Prishtinë prej 400 kv synon zgjerimin e kapacitetit të transmetimit në linjën ndërkufitare Shqipëri-Kosovë të tensionit të lartë, duke shtuar një linjë 400 kv dhe në përputhje me këtë rrit kapacitetin transformues dhe shpërndarës të sistemit të furnizimit me energji në Jug të Shqipërisë”.

Box

OST, përfituesi i fondeve dhënë nga KfW

Ministri i Financave dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë nënshkruan dje marrëveshjen qeveritare për hapjen e Zyrës Lokale të Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim. Zyra do të ketë si qëllim mbështetjen e projekteve në të gjitha aspektet, si dhe detyra më të gjera specifike dhe administrative në lidhje me zbatimin e projekteve. Po kështu në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me Republikën Federale të Gjermanisë është rënë dakord në parim financimi me kredi me terma koncensionale nga KfW të dy projekteve dhe konkretisht të projektit “42 milionë euro”, “Linja unazore 110 kv për Shqipërinë e Jugut”, me një kosto 49 milionë eurosh dhe projekti “Linja 400 kv Shqipëri–Kosovë” me një kosto 42 milionë euro. Për të mundësuar realizimin e këtyre projekteve në kuadër të fondit “Studime dhe Eksperte V dhe VI”, të akorduara nga qeveria gjermane në formë granti do të financohen shërbimet e ekspertëve për: përgatitjen e këtyre projekteve si dhe asistencën për përgatitjen e tenderave përkatës. Përfituesi i këtyre fondeve do të jetë OST. Për këtë qëllim dje u nënshkruan edhe marrëveshjet përkatëse të financimit, për shumat përkatëse, të cilët janë granti i akorduar për projektin “Linja unazore 110 kv për Shqipërinë e Jugut”, është 600.000 euro, ndërsa granti i akorduar për projektin “Linja 400 kv Shqipëri–Kosovë” arrin në 700.000 euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›