Koncesionet, Shqipëria, një prodhues serioz i energjisë
Procesi i dhënies me koncesion duket se po shihet nga qeveria si një ambicie për të privatizuar objektet shtetërore. Dhënia me koncesion, sidomos e veprave që do të përdoren si burim alternativ për prodhimin e energjisë, shihet nga qeveria si mjaft efikase. Në këtë kuadër qeveria ka vendosur të japë me koncesion portet, kaskadën e Vjosës dhe atë të Skavicës. Kjo është bërë e ditur dje nga Kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave. Kreu i qeverisë theksoi se procesi i koncesioneve të mëdha do të vazhdojë me shpejtësi dhe transparencë. Kryeministri Berisha përmendi disa nga koncesionet e rëndësishme në porte dhe në fushën energjitike. “Janë një seri ofertash shumë të rëndësishme për portet, për kaskadën e Vjosës që do të kalojë në tender ndërkombëtar dhe për të cilën është marrë një kompani konsulente e veçantë që po përgatit termat e tenderit; po rishqyrtohet Skavica, në mënyrë që të optimizohet prodhimi më i madh, me përmbytjen më të vogël, pasi kostoja e përmbytjeve është shumëplaneshe, jo vetëm monetare, por edhe sociale, njerëzore, e shumanshme”, - është shprehur dje në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë tha se në këtë proces prioritet do t’u jepet kompanive me projektet më efikase. “Për këtë arsye, nga situata fillestare që gjetëm, qëndrimi ynë ka evoluar dhe ndryshuar. Ne do t’ia ofrojmë Skavicën konsorciumit apo kompanisë që do të ketë projektin e prodhimit më të madh dhe përmbytjes më të vogël”, - nënvizoi kreu i qeverisë. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria synon të jetë një prodhues serioz e i rëndësishëm i energjisë nga burime të ndryshme dhe këto koncesione do të shtojnë burimet energjitike në vend. “Uroj që çmimi i naftës të mos kthehet në diktat për politikat botërore të energjisë, ndonëse nuk mund të mohohet se ka një rol qendror, por me rritjen që pati, të paktën, fuqizoi shumë domosdoshmërinë e diversifikimit të burimeve energjitike”, - ka nënvizuar shefi i qeverisë. Ndërsa ka theksuar se kështu, ne do të vazhdojmë me koncesionet, por mbi baza të një transparence të plotë. Këto janë projekte të mëdha që shkojnë nga gjysmë miliardi, në 1 miliard euro dhe kanë meritën e madhe të shtimit të burimeve dhe të ecjes drejt shndërrimit të vendit në një superfuqi të vogël energjitike. “Ambicia jonë është: Shqipëria një prodhues serioz e i rëndësishëm i energjisë nga burime të ndryshme”, - u shpreh Kryeministri.