E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: “Berisha kërkon të fusë në rutinën e kalendarit të Kuvendit draftet e PS-së”



Eneida Jaçaj
Partia Socialiste i bën të ditur maxhorancës dhe kryeministrit Sali Berisha se nëse do të refuzojë nismën e saj ligjore për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me objekt hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapjen e kutive, “thembrën e Akilit”, opozita do të dalë në protestë masive. Ish-kryetarja e Grupit Parlamentar në PS, deputetja Valentina Leskaj, deklaroi dje se deri tani PS-ja nuk ka marrë asnjë përgjigje serioze nga maxhoranca për dy draftet ligjore të depozituara në Sekretariatin e Kryesisë së Kuvendit. Duke iu referuar deklaratës së Berishës, Leskaj u shpreh se ai po vazhdon të fshihet përsëri pas gjykatave për të justifikuar mungesën e vullnetit për zgjidhjen e krizës. Sipas saj, Berisha po përpiqet të fusë nismën e opozitës në rutinën e kalendarit të Parlamentit, duke kontribuar në radikalizimin e situatës.
Deklarata
Deputetja Leskaj, deklaratat e Berishës se ishte pro dialogut dhe zgjidhjes së krizës politike, i ka konsideruar si një sjellje për t’u hedhur hi syve ndërkombëtarëve, pasi deri tani kryeministri Berisha nuk ka dhënë asnjë përgjigje për nismën e opozitës. “Për muaj me radhë, teksa përballej me vendosmërinë e aksionit opozitar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, Sali Berisha betohej përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se kishte vullnetin dhe dëshirën për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut”, - u shpreh Leskaj, duke shtuar se “sot, kur Partia Socialiste e ka hedhur hapin a parë drejt sigurimit të transparencës mbi 28 qershorin dhe drejt arritjes së një marrëveshjeje që do të zgjidhte krizën politike që ka paralizuar vendin, kryeministri na dëshmoi se të gjitha këto deklarata kanë qenë veç përpjekje të sforcuara për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Mënyrën e sjelljes të kryeministrit në seancën e Parlamentit të ditës së enjte dhe refuzimin e tij për të dhënë një përgjigje për nismën e PS-së, Leskaj e ka konsideruar si provën e qartë të mungesës së vullnetit politik për një hetim të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të qershorit. “Kriza, është prezente dhe e gjithëpranuar. Ajo nuk zgjidhet kur bën sikur nuk e sheh. Zgjidhja e vetme është transparenca. Askush nuk duhet të ketë frikë nga transparenca. Këshilla jonë për Sali Berishën është se, herët a vonë, ai duhet të gjejë kurajën ta përballojë këtë frikë. Ai duhet të gjejë kurajën të përballet publikisht me të vërtetën për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, në rast të kundërt do të përballet me popullin opozitar”, - tha Leskaj.
Draftet
Një ditë pas betimit në Parlament, ditën e premte të javës së shkuar, dy deputetët e PS-së, Erion Braçe dhe Taulant Balla, dorëzuan amendamentet e PS-së në Sekretariatin e Kryesisë së Kuvendit. Draftet mbajnë firmat e mbi 35 deputetëve dhe sipas dy dorëzuesve të tyre, do të hyjnë automatikisht në rendin e punimeve pa qenë nevoja për të ndryshuar kalendarin, ndryshim i cili kërkon shumicë të cilësuar. Mbetet tashmë në dorë të maxhorancës të përcaktojë datën dhe formën se si do t’i shqyrtojë ato. Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar ka lidhje me çështje të tilla si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës elektorale për personat e dënuar për vepra penale.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›