E Diel, 1 Nëntor 2026

KiE: Situata pozitive. Por, Presidenti të mos kthehet në burim konflikti

TIRANË-  Raportuesi e KiE largohen nga Shqipëria me përshtypje të mira. Ky fakt u konfirmua në konferencën e përbashkët për shtyp në fund të vizitës që dy raportuesit e Këshillit të Europës Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco mbajtën në fund të vizitës së tyre faktmbledhese ne Tirane. 

Raportuesi Tomas Jirsa vlerësoi frymën bashkëpunuese dhe të qetë politke në vend, e cila ka shënuar hapa pozitiv ka vizita e fundit e kryer në vitin 2011.

“Më duhet të them se një tipar dallues është bashkëpunimi që kemi vën re, ne kemi qënë në qershor të 2011, gjatë raportit që do prodhojmë për Shqipërinë kemi vënë re bashkëpunim që është në përputhje me kërkesat e KiE. Krahasuar me 2011 situata është më e qetë, jemi të lumtur dhe presim të vijojë edhe në vijim. Jemi të vendosur të ndihmojmë në plotësimin e kushteve të vendit tuaj në BE”,- deklaroi Tomas Jirsa.

Dy raportuesit e KiE u pritën sot në një takim nga presidenti i vendit Bamir Topi, kreu i LSI-së Ilir Meta. Më pas dy raportuesit kanë takuar ministrinë Drejtësisë, Eduard Halimi si dhe kryeprokuroren Ina Rama. Të gjitha takimet janë zhvilluar pa praninë e medias. Pasdite dy raportuesit do takohen me kryeministrin Berisha dhe më pas do të mbahet edhe një konferencë shtypi.

LAJMI VIJON 

Topi: Duhet ruajtur pavarësia e institucioneve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët ndodhen në vendin tonë, në kuadër të një misioni faktmbledhës. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të se kreu i Shtetit dhe anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vlerësuan dialogun e rivendosur midis mazhorancës dhe opozitës, të konkretizuar me ‘Planin e Rishikuar të Veprimit’ në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, si një hap i domosdoshëm për të realizuar aspiratën e popullit shqiptar për integrim zyrtar në Bashkimin Evropian.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi zhvillime të tjera parësore të vendit, mbi ecurinë e deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, mbi luftën kundër korrupsionit, për çështjet e pronave si dhe mbi hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011, për të cilat ndanë të njëjtën pikëpamje se “në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës”.

Bashkëraportuesit e Këshillit të Evropës e siguruan Presidentin Topi për gatishmërinë e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për të asistuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike, duke theksuar gjithashtu se “dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane”.

Meta: Shqipëria meriton statusin kandidat brenda vitit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta priti bashkë-raporterët z. Tomas Jirsa, z. Grigore Petrenco dhe z. Bas Klein në selinë e LSI-së, në kuadër të vizitës faktmbledhëse të raporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Shqipëri,

Në takimin e zhvilluar në selinë e LSI, kreu i kesaj partie Ilir Meta e ka cilësuar reformën zgjedhore kyce për demokracinë dhe theksoi se është e rëndësishme që sistemi elektoral të garantojë përfaqësim real të votës. Sipas Metës Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat për në BE brenda këtij viti si një hap të merituar dhe kyç për të ardhmen e vendit, duke theksuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale dhe konstruktive për realizimin e plotë të reformave të nevojshme në interes të integrimit evropian të Shqipërisë.

Ina Rama: Konsolidim të institucioneve të pavarura
Në takimin me Prokuroren e Përgjithshme bashkëreportuesit u interesuan mbi çështjet që lidhen me drejtësinë shqiptare, duke e vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit, çështja e 21 janarit si dhe marrëdhëniet midis institucionit të akuzës me gjykatat dhe ekzekutivin.

Kryeprokurorja Rama garantoi raportuesit e KiE për vendosmërinë e institucionit që ajo drejton për zbardhjen 21 janarit pavarësisht problematikës me të cilën është ndeshur gjatë hetimit institucioni i akuzës.
(ma.ar/el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›