E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE: Zgjedhje me standarde. Lleshi: Palët bashkëpunim me KQZ, që të pranohen nga të gjithë

TIRANE- Në ceremoninë e nisjes së trajnimit për anëtarët e KZAZ-ve për zgjedhjet e 23 qershorit, që zhvillohet me mbështetjen e OSBE-së dhe Këshillit të Europës ka mbajtur fjalën kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi. 

Sipas saj, palët duhet t’i bashkohen vullnetit pozitiv që ka KQZ me qëllim që të garantohet një proces i drejtë dhe i ndershëm dhe që rezultati të pranohet nga të gjithë. 

“Mbetem e bindur se pa bashkëpunimin e ngushtë dhe pa mbështetjen e të gjithë hallkave të këtij procesi asnjë palë nuk mund të realizojë në Shqipëri zgjedhje të lira, të ndershme, të barabarta, transparente dhe demokratike. KQZ me të drejtë konsiderohet si autoriteti më i lartë përgjegjës për garantimin e procesit elektoral, por në fakt aktorët janë më të shumtë, sa janë të paneglizhueshëm edhe ndikimet e tyre. Unë përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë palët t’i bashkohen vullnetit maksimal pozitv që ka KQZ për t’ju dhënë shqiptarëve një proces të ndershëm, të drejtë, një klimë transparente dhe demokratike zgjedhore, një rezultat të pranueshëm nga të gjithë palët”, tha Lleshi. 

Lleshi më tej vlerësoi rolin e trajnuesve, duke kwrkuar prej tyre të jenë të paanshëm dhe të tregojnë profesionalizëm në përmbushjen e detyrave të ngarkuara. 

“Komisionerët e cdo niveli, ashtu edhe votuesit, kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë standartet më të larta të etikës duke respektuar me rigorozisht edhe me paanshmëri procedurat ligjore dhe kodin zgjedhor sigurisht”, shtoi ajo.

PËRFAQËSUESI I KIE: TË ZBATOHET KODI, ZGJEDHJE ME STANDARDE
Pas përfundimit të konferencës përfaqësuesi i KiE, Konad Olsvewski ka folur për mediat në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Sipas tij trajnimi i komisonerëve ka shumë rëndësi për këtë proces. Duke folur për kodin zgjedhor ai tha se rëndësi ka zbatimi i tij dhe mbajtja e zgjedhjeve demokratike.

“Në fakt mund të themi se kodi zgjedhor i Shqipërisë është përmirësuar. Përsa i përket rekomandimit më kryesor për zgjedhjet, ai nuk ka pasur të bëjë me kodin. Ky është rekomandim që ka ardhur nga vëzhguesit e ndryshëm ndërkombëtar, nga OSBE, KiE. Në fakt rekomandimi kryesor ka pasur të bëjë me rolin dhe detyrat e partive politike, me anëtarët që kanë në komisionet e ndryshme gjatë zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë zgjedhjet e duhura në Shqipëri. Pra cështja nuk ka të bëjë me ligjin, por me zbatimin e tij. Ne mund të japim ndihmesën tonë në fusha të ndryshme, por një gjë që nuk mund të bëjmë, është që të ndryshojmë vullnetin e partive politike për të bërë atë që ato duhet të bëjnë. Le të shpresojmë që anëtarët e të gjitha niveleve në komisione, të bëjnë punën e tyre në standardin dhe etikën më të lartë të mundshme, sepse zgjedhjet nuk janë për partitë politike por për votuesit. E drejta e zgjedhësve që të marrin pjesë në zgjedhje demokratike është më e rëndësishme se e partive”, tha ai.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera OSBE mbështet KQZ për trajnimin e trajnerëve të komisionarëve zgjedhorë VIDEO: Lleshi: Palët bashkëpunim me KQZ, që zgjedhjet të pranohen nga të gjithë VIDEO: Përfaqësuesi i KIE: Të zbatohet kodi zgjedhor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›