E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fotot me shoferin e Frrokut”, Ministri Noka padit për shpifje deputetin Tahiri

TIRANE – Ministri i Brendshëm, Flamur Noka pritet të depozitojë në gjykatë një padi për shpifje ndaj deputetit socialist Saimir Tahiri, për publikimin e fotove në të cilat ai pretendon se ministri Noka kishte takuar shoferin e Arben Frrokut, të dyshuarit kryesor të Policisë për vrasjen e Komisarit, Dritan Lamaj.

Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli hodhi poshtë çdo mundësi që ministri Noka të ketë takuar shoferin apo persona të tjerë që kanë lidhje me biznesmenin e akuzuar.

“Asnjë nga personat e pranishëm në fotot e publikuara nuk ka kurrëfarë lidhje me Arben Frokun. Asnjë shpifës nuk do të mund të pengojë zbardhjen e krimit ku humbi jetën komisari Dritan Lamaj. Shpifja është rezultat i panikut që ka përfshirë zotin Rama dhe humbësit e tij përpara zgjedhjeve. Ministri Noka do të paraqesë në gjykatë padi ndaj shpifësit të pandreqshëm Saimir Tahiri”- deklaroi Olli.

TAHIRI PUBLIKON FOTOT NE FACEBOOK
Deputeti socialist, Saimir Tahiri publikoi një ditë më parë në rrjetin social "Facebook" disa fotografi të ministrit të Brendshëm Flamur Noka, teksa takohet në një lokal me një person, që sipas Tahirit është shoferi i Arben Frrokut. Tahiri ka rrethuar me të kuqe kokën e ministrit Noka dhe ka shkruar mbi të "Nul Moka". Në shënimet e Tahirit sqarohet se bashkë me ta është edhe zv/ministri i Brendshëm Arben Ristani.

Në komentin që deputeti i PS bën, duke shoqëruar fotot e publikuara shkruan se: "Pas fotos së gostisë me çifteli të Kuliçit dhe drejtuesve të lartë të Kupolës, së bashku me Arben Frrokun, këto foto i shtohen dyshimit publik se tradhtia ndaj Komisar Dritan Lamajt ka qenë e organizuar nga maja e piramidës së kupolës së policisë". Më tej, Tahiri i drejton disa pyetje Ministrit të Brendshëm. "Ministri ka detyrimin publik të dalë e të japë llogari: 1. A është diskutuar për Arben Frrokun në atë tavolinë? 2. A kompromentohen hetimet për vrasjen e Dritan Lamajt nga këto takime? 3. Cila është lidhja e Mul Mokës dhe Ristanit me shoferin dhe kushëririn e Arben Frrokut?". Dhe në fund, Tahiri bën edhe një koment. "Sigurisht kjo foto nuk i thotë të gjitha. Sigurisht as foto e gostisë me çifteli mbase nuk i thotë të gjitha. Por, e sigurtë është që këto foto shtojnë më shumë dyshimin publik për bashkëpunimin e policisë me krimin, pa kursyer as ministrin Nul Moka", shkruan Tahiri.

BIZNESMENI
Biznesmeni Arben Frroku u arrestua në Selanik për llogari të drejtësisë shqiptare, pasi akuzohet për vrasjen e komisarit, Dritan Lamaj, më 24 Shkurt. Drejtësia shqiptare kërkon ekstradimin e Frrokut, pasi dyshon se është autor i krimit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, në zonën e "Vasil Shantos", ku kryekomisar Lamaj, që për një kohë të gjatë ka mbajtur detyrën e shefit të Komisariatit Nr.6 në Tiranë, u qëllua për vdekje me breshëri automatiku. Frroku u arrestua pa kaluar as 24 orë nga krimi i rëndë, në një hotel në Selanik të Greqisë. Frroku nuk e ka pranuar akuzën e rëndë. Ndërkohë që, prokuroria e mbështet akuzën ndaj biznesmenit në dy momente, tek një telefonatë që Frroku ka bërë pas vrasjes, ku shprehet se ka mbyllur një punë të madhe.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Tahiri publikon foto te ministrit Noka me shoferin e Frrokut FOTO: FOTOT E PUBLIKUARA NE FACEBOOK NGA DEPUTETI I PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›