Rregullorja e Kuvendit, Paloka: Votojmë vetëm modelin e PE-së
TIRANË Ndryshimet në rregullore të propozuara nga grupi parlamentar socialist, do të kalojnë në Kuvend vetëm nëse përputhen me përmbajtjen e rregullores së Parlamentit Europian. Nënkryetari i grupit parlamentar i PD-së, Edi Paloka deklaroi dje se mazhoranca është e gatshme që të diskutojë në Kuvend vetëm për rregulloren e Parlamentit Europian. “Qëllimin tonë për rregulloren e kemi bërë të qartë. Jemi gati të diskutojmë. Ka një rregullore Parlamenti Europian. Besoj nuk duhet të ketë asnjë kundërshtim për rregulloren e PE-së. Nuk besoj se dyshon njeri se ajo është jodemokratike. Nuk kemi pse të bëjmë shpikje të reja. Mjafton të adoptojmë atë rregullore dhe besoj se çështja e rregullores është e zgjidhur meqë PS-ja këmbëngul”, -
tha dje Paloka. Deputeti demokrat e ka një përgjigje edhe për ndryshimet e përfolura në Kodin Zgjedhor. “Sa për Kodin, janë ndryshimet e propozuara nga OSBE/ODIHR. Janë vërejtjet që ata kanë bërë, mbi bazën e të cilave ne duhet të përqendrohemi”, - shtoi ai.
Në kalendarin dhe programin e ri të punës së Kuvendit janë përfshirë propozimet e socialistëve për disa ndryshime në rregullore. Është vendosur që në rast se Këshilli i përhershëm për Rregulloren dhe Mandatet do të bëjë shqyrtimin në kohë të këtyre propozimeve, atëherë ato do të kalojnë për votim brenda trejavëshit të ardhshëm. Nga ana e tyre, socialistët në materialin e paraqitur për miratim, propozojnë ndërmjet të tjerave rikthimin e votës së fshehtë për kandidaturat e sjella nga presidenti për në institucionet e larta kushtetuese, heqjen e seancave dëgjimore për ta, rikthimin e diskutimeve të lira në fillim të seancës plenare, si dhe zbutjen e masave ndëshkuese për shkeljen e rregullave parlamentare