E Diel, 1 Nëntor 2026

Kiço Mustaqi: Më ’91 me Xhelilin dhe Gramozin do çlironim Portin

Jemi në fundin e vitit 1991. Shqipëria përjeton një situatë kaotike. Institucionet e shtetit nuk funksionojnë me efiçencë. Masat e njerëzve që dëshirojnë anarshinë kanë marrë përmasa shqetësuese. Masa e madhe e njerëzve të thjeshtë nga e gjithë Shqipëria janë drejtuar për në Portin e Durrësit, që të mund të largohen nga vendi i tyre për mbijetesën e fëmijëve. Qeveria "Nano" bën përpjekje të jashtëzakonshme për të marrë mbështetje ushqimore për popullin që përjeton ditët e zisë. Por këto asistenca të komunitetit europian nuk mund të vijnë, për faktin e thjeshtë se i vetmi port ku mund të zbarkojnë, ndodhet nën pushtetin e turmave, pasi forcat e rendit nuk kishin munduar ta mbronin. Në këto kushte, del vendimi i Qeverisë, që portin e madh kombëtar t'ia kalonte në mbrojtje ushtrisë, të cilën e autorizon që të hapë zjarr në rast nevoje, ndërkohë që ky urdhër nuk u ishte dhënë forcave të rendit që e kishin për detyrë. Xhelil Gjoni, me autoritetin e tij personal dhe me petkun zyrtar si Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe Anëtar i Byrosë Politike të tij, ndërkohë që ishte dhe krahu më i afërt i Ramiz Alisë, mori përsipër të rivendoste situatën në qytetin bregdetar, ku kishte kthyer sytë gjithë Shqipëria. Ai, së bashku me ministrat Ruçi e Mustaqi, mbërriti në Durrës ku jo vetëm rivendosi në çast situatën e dëshiruar, por ktheu besimin te administrata e qytetit. Për gjithçka rreth asaj historie më se interesante flet në intervistën e radhës vetë ish- ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Kiço Mustaqi.

(Vijon nga numri i kaluar)

Nga numri i kaluar zoti Mustaqi, folëm goxha për atë që ndodhi në Ministrinë e Mbrojtjes ku ju drejtonit, ndërkohë që edhe pas shkarkimit që ju bëri Ramiz Alia, juve vijuat detyrën si rezultat i protestës dhe kërkesës së fuqishme të ushtarakëve, apo jo?
Mund të flasim edhe për ato ditë, ashtu siç mund të flasim edhe për më parë se ajo periudhë, pasi ajo që folëm nga numri i kaluar i përkiste periudhës së fundit të vitit 1991. Se konkretisht, për faktin që flisni juve, pra për shkarkimin dhe ardhjen e Ramizit në Ministrinë e Mbrojtjes, ishte data 23 nëntor 1991. Pra, ishte fundi i vitit. Ishim në ditët e jashtëzakonshme të asaj periudhe, ku gjithçka po dilte nga kontrolli. Situata ishin më shumë se tragjike. Njerëz të shfrenuar gjendeshin gjithandej. Irritimi në njerëz ekstremistë, të cilët përbënin rrezikshmëri për konflikte, ishte përherë në rritje.
Pra, jemi në ditët kur Shqipëria ishte përfshirë nga ndryshimet politike?
Patjetër që për atë periudhë flasim, por tashmë e shikojnë me skepticizëm vlerësimin që duhet t'iu bëjnë zyrtarëve të asaj periudhe, për faktin se ata sipas "ideologëve" të sotëm i përkasin të shkuarës komuniste. Me këtë harrojnë vlerat e tyre në drejtim të shtetit në momentet më kyçe të historisë së tij, kur gjakftohtësia dhe zgjuarsia e tyre lozte një rol nga më të jashtëzakonshmit në fatet e popullit.
Pse është kaq i jashtëzakonshëm ai rol?
Sepse duhej veç një urdhër i pamenduar apo një ndërhyrje e gabuar dhe pastaj konfliktet ishin të përmasave gjakatare. Unë ju kam thënë dhe jua them, që ne zyrtarët e djeshëm e kemi lënë pushtetin me qytetarinë më të madhe, sepse kemi menduar për popullin. Ne drejtonim dikasteret kur gjaknxehtësia politike kishte marrë përmasa galopante. Kur turma të tëra djathtistësh bërtisnin me të madhe "Enver- Hitler".
Por tashmë kuptojmë se ato turma që bënin ato thirrje sipas konceptit të tyre kishin të drejtën e tyre dhe nuk mendoj se kishte ndonjë gjë që nuk shkonte në situatën që po flasim zoti Mustaqi, apo jo?
Jam shumë dakord me ty. Por dua të të kujtoj se në pushtet ishte qeveria komuniste dhe mos harro se s'kishte kaluar shumë kohë që Enveri kishte qenë i duartrokitur. Pra, në atë moment, siç kishte antienveristë të vendosur,- gjë që unë e konsideroj normale,- kishte edhe enveristë tepër të vendosur. Pra këtu kemi provokim ndjenjash. Mos harro se kur u rrëzua monumenti i Enverit kishte shumë njerëz që tashmë mund të jenë me të djathtën që në atë moment janë traumatizuar. Pra, ka kaluar kohë që të evoluojnë mendimet njerëzore. Që të më kuptosh idenë, neve zyrtarët e shtetit, siç mund të quhemi pa u mburrur, kur ndërroheshin sistemet po të them se kemi një meritë të jashtëzakonshme për atë që kemi bërë, që në çdo rast shikonim interesin e masës së madhe të njerëzve, pra të popullit.
Më konkretisht?
Le të shmangemi paksa nga trajtimi politik që po i bëjmë situatës. Kemi precedentin tjetër, që në atë kohë kishte edhe shumë njerëz, madje turma, që nuk donin t'ia dinin për të majtën dhe për të djathtën por ata donin bukën e gojës. Ishin ata që tashmë dihet që u vërsulën maleve për të kaluar kufijtë, apo trageteve për të kaluar në shtetet fqinje si emigrantë. Por kishte edhe anarshistë dhe grupe të papërgjegjshme që përfitonin nga situata për të nxitur anarshinë, vjedhjen dhe rrugaçërinë. Të gjitha këto, duhej të menaxhoheshin nga shteti, i cili prirej edhe të drejtonte por më shumë edhe të toleronte. Pra, siç i thonë fjalës, tërhiq e mos këput.
Zoti Mustaqi. Mendoj se jo vetëm unë, por edhe lexuesi ju kupton qartë nga sa po shpjegoni. Unë do insistoja të ndaleni në një fenomen më se konkret, që të qartësojmë edhe më shumë atë çka doni të përcillni, se me sa shikoj jeni duke shprehur se juve keni drejtuar mbi thikën me dy presa për të ruajtur ekuilibrat dhe për të shmangur konfliktet, ndërsa institucionet e shtetit pothuajse ishin bërë të pavlera, se kishin humbur sensin e drejtimit dhe të autoritetit. Nuk e di nëse u shpreha qartë, që t'ju fus në temën që dua të ndjek...
Do t'ju flas qartë, që të më kuptoni më shumë. Unë kryeja detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Gramoz Ruçi kishte ardhur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në këto momente që unë po të them, vazhdonte përplasja Ministri e Rendit - Ministri e Mbrojtjes, e cila kishte nisur që pak para se të shkarkohej Hekuran Isai. Kjo përplasje vinte vetëm te Ramiz Alia, ku unë nuk pranoja të ndërmerrja veprime që binin ndesh me Kushtetutën dhe ligjet, pasi ai kërkonte që ushtria të merrte të gjitha masat për të ruajtur objektet e rëndësisë së veçantë të cilat i takonin policisë. Policia në atë kohë drejtonte edhe repartet e kufirit dhe që nuk kishte pak forca siç pretendonte, por kishte aq shumë sa që mund t'i përballonte detyrat që i takonin me ligj dhe Kushtetutë. Megjithatë, dolën disa vendime që duheshin zbatuar. Këto kishin të bënin me objektet e emergjencës së popullit, që duhej t'i merrte në dorë ushtria. Një ndër këto objekte ishte edhe porti më i madh detar i vendit, që ishte ai i Durrësit. Porti i Durrësit i kaloi në ruajtje ushtrisë. Sigurisht, ishim të detyruar ta zbatonim, pavarësisht se këtu kishte një hile shumë të madhe, sepse nga Ramiz Alia synohej që mua të më jepeshin më shumë përgjegjësi se ç'më takonin, madje të më përballte me anti-ligjin dhe për këtë u ndala mirë me të. Ai, siç të thashë edhe nga numrat e kaluar, e kishte keq me mua. Nuk e di pse më ishte kundërvënë.
Ma theksuat disa herë këtë shprehje, që Ramizi e kishte kapur keq me juve. Le të ndalemi në këtë subjekt që po më shtjelloni dhe më thoni se ku ishte dashakeqësia në këtë rast?
Kur doli vendimi i Këshillit të Ministrave, që Porti i Durrësit të kalonte nga mbrojtja e Ministrisë së Brendshme në ruajtje nga forcat ushtarake, jam çuditur jo pak, se atë e kishte pasur detyrë ligjore ajo ministri, ndaj e ruante prej kohësh.
Po pse jua kaluan juve?
Se ata pretendonin se nuk e ruanin dot, për faktin se sipas tyre nuk kishin forca për një situatë të tillë. Por kur në zbatim të vendimit të marrë, portin e mori në ruajtje ushtria, pashë që aty ishin 57 policë dhe 200 ushtarë të kufirit, që kishte vënë në dispozicion Ministria e Rendit. U çudita, se ne nuk kishim më shumë se aq forca që do të linim aty, por fakti ishte se ai port ishte pushtuar nga turmat që gjendeshin kudo, madje edhe nëpër anije, që donin të iknin në Itali. Mirëpo këtu na kishte dalë një problem i pallogaritshëm, pasi ishin ditët kur ne prisnim të ankoronim anijet e huaja, kryesisht ato italiane, me ndihma.
Dhe ku ishte hilja e Ramizit këtu, të cilën ma përshkruat në fillim?
Sepse, përse ia hiqte Ministrisë së Brendshme dhe ia kalonte ushtrisë, kur ajo nuk e kishte me ligj të qëllonte mbi njerëzit apo të vepronte mbi ta? Ndërkohë që ne nuk vendosëm më shumë forca në port. Ndërsa rendin që ishte pushtuar nga turmat me gjithë ata njerëz, neve e ruajtëm dhe ndihmat erdhën për bukuri. Pra, ne krijuam mundësitë që të shkarkoheshin ndihmat emergjente.
Dhe pse nuk e ruajti Rendi?
Sepse ata kishin marrë urdhër që të mos qëllonin, ndërsa neve na thonin 'qëlloni po të jetë nevoja'.
Ku e mësuat një fakt të tillë juve?
Sepse kur shkova për të marrë portin në dorëzim nga ministri Gramoz Ruçi dhe gjeta një situatë të tillë, pyeta kryetarin e degës së brendshme të Durrësit se përse kishin lejuar një masakër të tillë në port kur populli do të priste nga çasti në çast ndihmat ushqimore nga solidariteti ndërkombëtar për krizën që po kalonte? Ai m'u përgjigj se kishin urdhër të mos qëllonin. Unë i thashë: "Po përballim pa forcën e armëve a kanë bërë forcat tuaja? Pra, më tregoni, - i thashë, - një polic apo ushtar që të jetë gërvishtur sadopak, se kjo tregon se keni bërë përpjekje për ta ruajtur por s'keni mundur". Prandaj këtu u revoltova, se pashë se ishte një situatë me të ngecur. Duhej që forcat ushtarake të drejtuara nga unë të hapnin zjarr dhe jo ato të Rendit. Këtë gjë ia kam bërë prezent edhe Ramiz Alisë, i cili ka shpërthyer në mënyrë shumë të çuditshme, por që s'është pjesë e komentit të ditës së sotme kjo, pasi do të flasim në numrin e ardhshëm.
Reaguat kur ju komunikuan vendimin e qeverisë për kalimin e sigurisë së portit të pushtuar në duar të ushtrisë?
Nuk flitej për reagim këtu, por për përgjegjësi qytetare dhe patriotike. Prandaj u fola qartë në fillim, se ne kishim një situatë tepër të vështirë në duar. Në ato kushte, duhej të lironim mundësinë e ardhjes së ndihmave nga Europa. Prandaj unë si ministër i Mbrojtjes Popullore, duhej të merrja në dorëzim portin nga ministri i Punëve të Brendshme, Gramoz Ruçi. Për këtë dua të përmend rolin e njërit prej figurave tepër të përgjegjshme të asaj kohe, që ishte Xhelil Gjoni. Ai ishte anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, ndërkohë që ishte dhe krahu i djathtë i Ramiz Alisë. Pra Xhelil Gjoni ishte njeriu më i afërt i Ramiz Alisë në situatën më të vështirë që kalonte shteti.
Për Xhelil Gjonin në shumë raste flasin me insinuata negative, nëse mund t'i quajmë të tilla, apo keni koment tjetër?
Ç'e do se çfarë thonë. Kur nuk e njohin atë dhe rolin e tij kështu do të flasin, por le të flasin. I kam dëgjuar edhe unë në shumë raste që thonë se ishte prepotent etj etj. Por çfarë do të bënte me llafollogë që vetëm flisnin dhe nuk bënin asgjë, kur situatat degjeneronin në çdo moment dhe pak të lëshoje dorë nga ndjekja e tyre mund të shkaktoheshin menjëherë ngjarje tragjike siç ishte rasti i Durrësit që po të flas. Xhelil Gjoni ishte një kuadër autoritar dhe shumë i thellë në mendim. Ishte psikolog i jashtëzakonshëm dhe një organizator perfekt. Ishte i prerë dhe nuk njihej si tip i dërdëllitjeve siç mund të bënin shumë kuadro të asaj kohe. Ramiz Alia e mbajti në krahë se i duhej për menaxhimin e gjithë asaj situate kritike që kalonte shteti. Kështu ndodhi edhe atë ditë që doli vendimi i Këshillit të Ministrave për Portin. Xhelili më mori në telefon dhe më tha:
- Shoku Kiço, ti dhe shoku Gramoz do të takoheni me mua për të shkuar në Durrës. Situata aty ka dalë nga kontrolli. Qyteti është në duar të anarshisë. Porti detar është pushtuar nga të ardhurit dhe nga vandalët, të cilët po shkatërrojnë pa mëshirë gjithçka gjejnë përpara, paçka se është djersë e popullit që ka sakrifikuar për ta bërë dhe për ta blerë gjithë atë pasuri. Ministri tuaj do të marrë në dorëzim portin, ndërkohë që shoku Gramoz do t'jua dorëzojë. Në Durrës do të vij dhe unë. Do të shkojmë të tre. Takohemi menjëherë.
Unë natyrisht iu përgjigja:
- Si urdhëron shoku Xhelil.
Nuk kaloi shumë dhe unë me Gramozin u takuam me Xhelil Gjonin. Ai na tha që të ecim së bashku me një makinë. Kështu bëmë. Makinat e shoqërimit na vinin mbrapa.
Çfarë ndjenit kur shkonit me Xhelilin?
Nuk e di, por kishim një siguri të jashtëzakonshme. Ai ishte i qetë dhe i vendosur për të siguruar qetësinë dhe mundësinë e ardhjes së ndihmave. Mbaj mend se kishte një nervozizëm të brendshëm kur tha se:
- Nuk mund të lëmë situatën në duar të disa vandalëve të cilët nuk lejojnë të ankorohen anijet që po sjellin ndihmat. A dini ju se në zona të tëra u mungon dhe buka e fëmijëve dhe ata presin nga ne?
Kjo më bëri me forcë dhe më shtoi një respekt të madh për të.
Ju e kishit takuar më parë?
Kur isha Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe ai kishte qenë Sekretar i parë në Krujë apo në Dibër unë e kisha takuar pak herë për probleme të ushtrisë në rrethin që ai drejtonte.
Po a s'ishte anëtar i Byrosë Politike tashmë që shkonit në Durrës? Përse thoni se gjente forcë? Ai forcën e gjente te pushteti që kishte?
Ishte si person i gjallë dhe autoritar. Ai mjafton fakti që duhej të zbrisnin ndihmat në qytet, nuk donte të dinte për nëpërkëmbjen që kishte shteti, se duhet të kesh parasysh se gjithçka ishte në indiferencë të madhe. Por ajo kërkonte zemër dhe kurajë, që të mos lije shumicën në dorë të anarshisë. Dhe ashtu si të them ndodhi vërtet, pasi sa hymë në Durrës pamë që qyteti ishte në kaos të plotë. Kudo dëgjoheshin krisma dhe turmat e njerëzve që i drejtoheshin portit bënin çfarë të donin. Nuk ndihej shteti askund. Pashë që Xhelili u nxi dhe nuk foli asnjë fjalë, por i tha shoferit që të merrte drejtimin e Komitetit të Partisë.
Po a ishit nisur për në port së bashku?
Ishim nisur, por kur pamë që qyteti ishte në duar të vandalëve ç'të bënim neve. Mendo që familjet durrsake ishin strukur të terrorizuara nga ata që ishin aventurierë, se ndryshe nuk kishe si iu thoje. Nuk mjaftonte të shaje komunizmin dhe të bëje çfarë të doje, sepse njerëzit kishin të drejtë të funksionin në qytetin e tyre. Prandaj Xhelili u nis drejt Komitetit të Partisë, si organi drejtues i ligjshëm që ishte në atë moment.
Kishte njeri në punë?
Ç'të ishin. Kishte shkuar në punë gjithë administrata, por ishte nën terror të pashembullt. Ishin futur në bodrum, pra në katin përdhes, dhe aty bënin lloqe, duke treguar një tërheqje dhe një rënie psikologjike të paimagjinueshme. Një gjë e tillë nuk i lejohet një njeriu që është të paktën me një koncept minimal patriotik. Shkuam në zyrën e Sekretarit të Parë, i cili nuk di nëse më kujtohet, që ishte Skuqi, më duket se Nazim Skuqi duhet të ketë qenë, në s'gaboj. E gjetëm në zyrë, por kishte mbyllur edhe grilat dhe punonte nën dritën e abazhurit që i ndriçonte vetëm letrën që kishte përpara. Komiteti ishte në errësirë të plotë. Kishte mbyllur të gjitha grilat, dritaret, perdet dhe gjithçka tjetër. Pra, siç të thashë, personeli ishte në katin përdhes apo bodrum si mund të quhet, ndërsa Sekretari punonte në errësirë. Jashtë breshëritë e armëve të zhurmonin veshët dhe askush nuk thoshte gjë.
Po ju si ndiheshit ndërsa patë një situatë të tillë?
Të them të drejtën, situata ishte më shumë se tragjike, por kur ishim me Xhelilin nuk e di, por ndiheshim shumë qetë. E dija se autoriteti i tij ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa kurajoja dhe vendosmëria në veprimet që bënte ishin akoma më të mëdha, dhe më të vërtetë nuk u gabova. Sa ndaluan makinat tona para Komitetit të Partisë, ai përshëndeti njerëzit që u mblodhën te dera. Pastaj me hap autoritar dhe tepër krenar mori drejtimin për në zyrën e Sekretarit të Parë. Mua e Gramozit nuk na ngelej vetëm të shkonim dhe ta shoqëronim, sepse nuk ishte fare e nevojshme ndërhyrja jonë. Sa hyri brenda dhe e gjeti në atë gjendje i bërtiti:
- Ç'bën kështu mor burri i dheut. Pse je strukur në këtë formë, aq sa ke hutuar dhe personelin.
Dhe shkoi vetë hapi grilat, perdet, madje dhe dritaret.
- Të hyjë drita brenda, se njerëzit presin qetësi nga ju se jeni pushtet i ligjshëm.
Ndërkaq, u ngjitën në katin tonë edhe punonjësit e tjerë. Xhelili doli jashtë, u dha dorën dhe i përqafoi. Pashë se ata kishin nevojë për një lloj morali të tillë që diti ta jepte vetëm ai. Në pak minuta u hapën dritaret dhe perdet e grilat e të gjithë godinës. Hyri ajër dhe entuziazëm, por më shumë hyri besim dhe siguri, për të cilat ata kishin shumë nevojë.
Jashtë vazhdonin breshëritë e armëve, apo jo?
Ato vazhdonin, por për çudi u hap fjala si me erë se Xhelil Gjoni dhe dy ministrat ishin në Komitetin e Partisë. Kjo me sa kuptova u prit mirë edhe nga ata që ishin demokratë të rregullt, pasi askush nuk e donte kaosin. Në këtë çast Xhelili urdhëroi që të vinte me urgjencë kryetari i degës së Punëve të Brendshme dhe ndërsa na bënë një kafe, ku ishte ai, Sekretari i Parë Gramoz Ruçi dhe unë, arriti Kryetari i Degës.
Çfarë urdhri i dha?
I tha që "Nëse brenda 30 minutash nuk më vendos situatën, je i shkarkuar në vend". Do ti që situata u vendos. Do ti që mori frymë qyteti? Këtu e kam fjalën për ata me bindje të majta e për ata me bindje të djathta. Askush nuk ua kishte borxh rrëmujën që u krijonin anar-shistëve dhe aventurierëve. Pastaj Xhelili na dha porositë për të marrë masat unë dhe Gramozi, që të merrja unë portin në dorëzim, pra nga Gramozi, dhe ta lironim menjëherë atë për të krijuar kushte për të ardhur anijet italiane me ndihma. Pas kësaj, Xhelil Gjoni u largua duke na lënë jo vetëm neve, por edhe sigurinë, në administratën e Durrësit për të vazhduar punën.
(Vijon nesër)
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›