E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kiço Mustaqi: Unë, minoritari që mu besua kreu i mbrojtjes shqiptare

Kiço Mustaqi, ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve, është libri më i fundit i shkrimtarit Albert Zholi, që i kushtohet njërës prej figurave më të rëndësishme të regjimit komunist. I privilegjuar nga rasti dhe rrethanat, Kiço Mustaqi, djaloshi me origjinë greke, mbriti në majat më të larta të ushtrisë e të udhëheqjes plotike të vendit, duke shkruar një histori sa të çuditshme, aq edhe të pazakontë. E bekuar nga Enveri, kreshentua e karrierës së tij, ndërpreu shkëlqimin e vet në kapërcyllin e sistemit, duke e transformuar kreun e mbrojtjes së vëndit në rojen e  një fabrike në Athinë. I rikthyer në Tiranë, pas gati dy dekadash mërgimi, Kiço Mustaqi mendon se është koha të shkruajë e dëshmojë për jetën e tij ashtu siç ka rrjedhur, duke besuar se ka shumë për të thënë e për të treguar nga ato që shumëkush nuk mundej ti shihte dot nga kaq afër. Vitet në krahë të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Ramiz Alisë e Prokop Murrës, ishin sa të lavdishme dhe tronditëse, me të papritura e kurthe që fshinin si me magji njerëz të fuqishëm, që deri dje kishin bërë histori në krye të shtetit. Kiço Mustaqi kreu për tetë vjet me radhë detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshmë, pas një karriere të suksesshme gati në tërë gjeografinë e Shqipërisë. Nga korriku 1990 e deri në prill 1991 ishte ministër i Mbrojtjes, periudha më e vështirë kjo e ushtrisë shqiptare, që përkon me ndërrimin e sistemeve. Në vitin 1993 doli në pension dhe u largua drejt Greqisë, si shumë shqiptarë të tjerë, në kërkim të një jete më të mirë. Për vite me radhë ka jetuar mes Tiranës dhe Athinës, por së fundi është kthyer në rezidencën e vjetër. Ka ndërruar Athinën me Tiranën edhe pse në xhepin e brendshëm mban një pasaportë ku shkruhet ÅëëÜäá. Me pasaportë shqiptare apo greke, shprehet Mustaqi, unë jam një qytetar i lirë…

Peca, vendlindja
Peca, vendlindja ime, është një fshat i vogël në Shqipërinë e Jugut, i cili gjendet pas Qafës së Muzinës dhe kryqëzimit të rrugëve nacionale Sarandë-Delvinë. Shtrihet mes kodrash të bukura, ku gjelbërimi nuk largohet në asnjë stinë. Pak më poshtë fshatit gjendet një ndër mrekullitë e ujëdaljeve apo burimeve madhore të Shqipërisë, Syri i Kaltër, sot një pikë turistike. Në vitet e vegjëlisë, skisha mundur të shkoja asnjëherë në Sarandë apo Delvinë, edhe pse për bukurinë e tyre dëgjoja çdo ditë. Aso kohe fëmijët nuk lëviznin prej fshatit, por edhe të rriturit e gjezdisur dhe që kishin parë botë, ishin të paktë. Jeta e tyre ish e thjeshtë, e lidhur aty rreth e rrotull shtëpisë, pas tokës, bimëve dhe bagëtisë. Delvina dhe Saranda ishin aq afër, po atëherë ngjanin si në fund të botës dhe mua më dukej një ëndërr magjepsëse ideja se një ditë mund ti shihja me sytë e mi.
Vitet e luftës
Fshati Pecë është ndër fshatrat që u lidh shumë ngushtë me Luftën Nacionalçlirimtare. Idetë komuniste u përhapën shumë shpejt, ndoshta edhe nga që  xhaxhai im Andoni, që punonte në Durrës u dërgua të përcillte këto ide në zonën e minoritetit të Delvinës. Nga ky fshat i vogël me 40-45 shtëpi (atëherë), dolën shumë vajza e djem  partizan. Gjithmonë e kam patur për nder dhe jam krenar që jam nga ky fshat. E aq me tepër për xhaxhain tim Andonin (ndjetë pastë) që mori pjesë në këtë luftë. Në luftë mori pjesë dhe motra ime Eleni, që u martua me partizanin Sali Pronjari. Kushërira ime e parë, Kleopatra që u martua  me Llambi Premtin (partizan). Pikërisht nga këto qëndrime fshati u dogj nga gjermanët. Kur forcat gjermane filluan djegiet ne u hodhëm në fshatin Krongj, përballë Syrit të Kaltër për ti shpëtuar  rrezikut. Por dhe këtu provuam  bombardimin  me artileri  të gjermanit. Isha vetëm 6 vjeç. Mbaj mend që na futën në qilarë dhe për mua, me që mbeta djalë i vetëm pas 4 motrave, tregohej një kujdes i skajshëm. Aq shumë e kishin mendjen tek unë  sa që motra e vogël  Katerina mbeti në katin e dytë, lozte me xhamat e thyer dhe aty nga fundi i bombardimeve  u kujtuan për të. Mua më mbulonte nëna me trupin e saj për të më shpëtuar. Kushëriri im Koço Korini  humbi gjysmën e veshit në luftë (ndjesë  pastë, më vonë ishte mjek në spitalin Ushtarak). Situata pas mbarimit të Luftës u bë edhe më e rëndë, sepse u shtuan djegia e shtëpisë, grabitja e bagëtive e të tjera vuajtje, por diçka  u lehtësua se morëm pak tokë nga reforma agrare. Rreth 2-3 vjet qëndruam në shtëpitë e Rexhatëve, ato nuk ishin djegur. Pas çlirimit babai filloi të shtonte bagëti (dele, dhi, lopë) bletë dhe nga që i donte shumë e i kulloste  mirë, ato shtoheshin . Aty nga viti 1950-1952 kishim rreth 35-40 kokë dhi e dele, 5 – 6 lopë etj.
Në shkollën e Kuçovës
Në mes të kësaj varfërie, nën dritën e kandilit e të pishës kaluam shtatë klasat e shkollës. Sapo dilnim nga shkolla do vërshonim drejt lopëve apo shelegëve, prandaj dhe përpjekjet tona më të mëdha u bënë për një jetë më të mirë, përpjekje që synonin për tu larguar nga fshati. Koncepti i babait ishte ndryshe. Ai mendonte dhe më thoshte mos ik nga fshati, se këtu është pasuria. Ja u bë një luftë, çfarë do të hani në qytet? Çdo gjesh në fshat atëherë, kur nuk ke lënë një bazë? Këto mendime nuk janë fare pa baza se  nja dy fshatarët e mi që para lufte  (1939) kishin shkuar në Athinë, pas disa vitesh,  nga papunësia e uria u kthyen në fshat. Ata kishin pak prona. (Por po të mendojmë këtë tani, me ligjin 7501, çfarë do të gjejmë ne po të kthehemi në fshat?! Këto nuk i kupton njeri tani veç atyre që kanë grabitur  tokat e të tjerëve.) Mirëpo duke patur këtë koncept babai vetëm me fjalë më thoshte, mos ik nga fshati, por as më ndihmonte, as më rrihte të mendoja ndryshe se kishte dhimbjen e thellë të Mihalit që vdiq. Në këto kushte  unë vetë në moshën 10-13 vjeç shkoja dhe vija  në këmbë nga fshati në Delvinë e pastaj në Sarandë me lutje e letra  nëpër duar për tu shkolluar. Me ndihmën e xhaxha Andonit, pas 3 vjetëve  na u aprovua 10 djemve  të fshatit bursa që të shkonim në një shkollë teknike  në Qytetin Stalin (Kuçovë).
Rruga për oficer
Në Kuçovë më zuri mosha, kur më kërkuan për ushtar. Meqenëse plotësoja kushtet, nga dega ushtarake e Beratit mu bë thirrja për në Shkollën e Bashkuar. Nuk kam patur ndonjë nostalgji për ushtarak. Presionet e prindërve dhe të shoqërisë në Kuçovë i kisha që të mos shkoja për oficer. Pastaj ai 6001-njëshi i 1956-s, e bëri të pasigurt rolin e oficerit. Kjo pasiguri ndihej kudo, prandaj dhe kisha shumë kërkesa e lutje nga shoqëria e prindërit të mos shkoja. Në këto rrethana mendova se Dega Ushtarake mund të hakmerrej për mospranimin dhe më këpuste  një e në kufi ose në flotë dhe nuk më ndahej 3-vjeçari në ushtri. Kështu që mendova, se në shkollën e Bashkuar do të jem në mes të Tiranës, ku në fund të shkollës mbetem në klasë dhe kthehem andej nga erdha. Por më shkonte në mendje edhe për tek TEC-i i Tiranës. Mirëpo aty nga mesi i vitit  të parë mendova ndryshe. Po të ngelesha në klasë, shokët, fshatarët do thoshin, shkoi dhe Kiçua për oficer, por mbeti në klasë I shkreti, vetëm për punëtor bën ai ose të kullosë  delet në fshat. Vendosa Dreqi ta hajë do durojë çdo vështirësi dhe po u bë ndonjë  6001-sh, tjetër (u bë 900 -ësh në 1966) TEC-et në vend janë. Ndoshta  (më kaloi ndër mend) mund të më çojnë atje nga ku erdha. Në këtë mënyrë  ju futa  mësimeve dhe përpjekjeve për të dalë oficer. Më pëlqenin degët profesionale si në transport, në tanke por ato u plotësuan e aty shkuan ata që kishin ndonjë  mik. Përpjekjet për to më shkuan kot, sepse vija nga profesion mekaniku. Por në këto degë lëvronte miku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›