E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidati për kryebashkiak Lulzim Basha takon banorët e njësisë nr 3 në Tiranë, premton rrugë dhe gjelbërim dhe transparencë

03-04-2011 / Gazeta 55

Asfaltimi i rrugëve, gjelbërimi, pastrimi, strehimi, ambientet çlodhëse për të moshuarit, kënde lojërash për fëmijët, biblioteka dhe mundësi për të penetruar falas në internet kanë qenë disa nga kërkesat që banorët e njësisë bashkiake numër 3 në kryeqytet i kanë bërë kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie, Lulzim Basha. Basha i ka garantuar banorët se realizimi i kërkesave të tyre do të jetë prioritet i punës së tij në krye të bashkisë së Tiranës. “Një ndër problemet që ne kemi në zonën tonë përsa i përket të rinjve, është mungesa e një bibliotekë për ata që duan të studiojnë dhe nuk kanë mundësi ekonomike, ose një shërbim internet falas për ata që duan të marrin më shumë informacione”- i tha Bashës një e re banore e zonës. Një studente që takoi kandidatin u shpreh: “Kërkojmë krijimin e qendrave qytetare, të disa shërbimeve që të na krijojnë akses për të marrë informacione rreth shkollimit dhe punësimit, taksat që do të mblidhen, të na krijojnë shërbime të reja”. “Problemi  i jonë në këtë zonë është që Bashkia nuk e ka kthyer kokën kurrë ndaj nesh, ndërkohë që ne i jemi përgjigjur në të gjitha drejtimet, me taksa dhe të gjitha detyrimet që kemi pasur ndaj Bashkisë”- u ankua një banor i njësisë 3 në Tiranë.
Ndërkohë Lulzim Basha i siguroi banorët se: “E para për mua është transparenca, do të tregojmë sa taksa mbledhim dhe si i shpenzojmë. E dyta taksat nuk do i shpenzojmë për rroga, paratë do ti rikthehen qytetarit nëpërmjet shërbimeve”.
Basha është njohur gjithashtu me problemet e shumta që shqetësojnë banorët e kësaj njësie. Ashtu si dhe në lagje të tjera të Tiranës, infrastruktura është tejet e amortizuar dhe e lënë në harrese prej vitesh. Vende - vende, dallohet vetëm një shtresë e asfaltit të hedhur në kohë zgjedhjesh. “Ne kemi problemet e rrugës, kemi vënë prita që të mos na hyjë uji nëpër shtëpia. I heqim çorapet edhe dalim zbath kur i çojmë kalamajt në shkollë, se uji është mbi rrugë. Na mbytën hekrat, na mbytën plehrat, na mbytën pisliqet. Këtu verës nuk mundemi me hap asnjë dritare prej pluhurit edhe dimrit është llucë deri në gju. Kam lënë fshatin atje ku jetoja, që është 300 banorë, atje i ka vajtur fshatit derë më derë asfalti, këtu siç e shikoni nuk është vënë dorë. Ka 20 vjet dhe nuk është ndërtuar një shkollë, nuk është ndërtuar një kopësht për fëmijët. Në qoftë se dëgjuat britmat e fëmijëve kërkojnë shpresë dhe shpresa e vetme jeni ju”- i tha Bashës një banor. “Na duhet një shkollë këtu lart për fëmijët se i cojmë shumë larg. Lana është skëterrë. Me rrugët, aman të lutëm bëji se jemi të sëmurë”, iu ankua Bashës  një qytetar.
Fëmijët janë gjithnjë të pranishëm në takimet e kandidatit.
“Ne duam parqe se këtu nuk ka fare gjelbërim. Edhe para shtëpisë tonë është shumë pis nuk ka fare pastrim”, i thanë ata dje Lulzim Bashës.
“Të gjitha këtu janë problemet parësore për komunitetin dhe janë problemet e mija jo vetëm tuajat. Ju jap fjalën që në çdo lagje të Tiranës, ne do ndërtojmë hapsira të gjelbërta për fëmijët”- i garantoi Basha banorët
Kështu, në ditën e tetë të fushatës, kandidati për Kryebashkiak preku nga afër problemet specifike të zonave të ndryshme të Tiranës. Në mbrëmje, z.Basha dhe bashkëshortja e tij Aurela ndoqën operan “Traviata” në çeljen e sezonit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Lulzim Basha ka në platformën e tij për Tiranën, gjallërimin e jetës kulturore në kryeqytet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›