Kievo në “gjueti” për Bogdanin

Merkatoja e janarit në kampionatet italiane të futbollit pritet me padurim. Klubet dëshirojnë të konfigurojnë skuadrat e tyre dhe të bëjnë korrigjimet e mundshme. Në vorbullën e lëvizjeve të Serisë A pritet të përfshihet edhe Kievo, që kërkon të revolucionarizojë sulmin. Në largim e sipër, sipas gazetës prestigjioze "La Gazzetta dello Sport", janë Godsea, Bruno (i kërkuar nga Mesina dhe Triestina) dhe Triboki, i "përkëdhelur" së fundi nga konsideratat e Lees. Në listën e përforcimeve të "verdhebluve" të Kievos janë katër emra: Evakuo i Avelinos, Floro Flores i Arecos, Pele nga Cezena dhe sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani. Ditët e fundit, sinjale të qarta për Bogdanin u dhanë nga Roma e teknikut të suksesshëm , Luciano Spaleti. Roma për merkaton e janarit ka bërë gati listën e përforcimeve ku kërkohen tre lojtarë, ku midis tyre përmendet edhe sulmuesi shqiptar i Sienës, Erjon Bogdani. Roma, që luan me sulmues të vetëm, Totin, të mbështetur nga tre lojtarë: Mancini, Perrotta e Taddei, ka nevojë për sulmues të nivelit të dytë dhe më mirë se kushdo tjetër këtë rol mund ta luajë sulmuesi shqiptar, që nuk po gjen hapësirën e duhur te Siena. Bogdani, që sezonin e kaluar shënoi 11 gola me Sienën, ka gjetur vetëm dy herë golin në 13 javët e para të sezonit aktual.